Home / Lajme / Rajon / Një fenomen intelektual në politikë – Preç Zogaj

Një fenomen intelektual në politikë – Preç Zogaj

20 gusht-Ky ishte Arbën Xhaferri, një lider i përdritjes intelektuale, që doli dhe qëndroi në krye jo si disa që zënë kreun të ndihmuar nga rrethanat dhe nuk e lëshojnë pa i shkuar flaka në qiell, por si prijës i arsyes, i asaj arsyeje që nuk ka nevojë për banda, nuk ka nevojë për xhungël, nuk ka nevojë të çirret. Arsyes, të cilën Monteskie e identifikonte me virtytin në politikë, i mjafton zëri i ulët dhe e folura e matur si ajo që përcolli trajektoren prej meteori të Arbën Xhaferrit në politikën shqiptare.

Intelektualë që përfshihen në politikë ka patur e ka kurdoherë mjaftueshëm. Por intelektualë që arrijnë të krijojnë një kauzë politike, të bëhen liderë, të votohen, të fitojnë dhe mandej ta ruajnë deri në fund përmasën e tyre intelektuale ka më pak.

Një nga shembujt më emblematikë të fenomenit intelektual në politikë është rasti i ish presidentit të Çekisë, Vasllav Havel. Ai tregoi si askush tjetër se detyra
politike dhe përmasa intelektuale mund të bashkëjetojnë mrekullisht në figurën e një lideri që ka busull lirinë. Meqë ra fjala, shqiptarët nuk mund të harrojnë se Havel është i vetmi kryetar shteti në Europën e re që dërgoi një avion special për të marrë në Tiranë bashkatdhetarët tanë që u futen në ambasadën e Çekosllovakisë në verën e vitit 1990 dhe i vetmi gjithashtu që përshkoi me këmbë si pelegrin në verën e vitit 1999 rrugën e kthimit në shtëpi të refugjatëve të dëbuar kosovarë, pas çlirimit të Kosovës nga trupat e NATO-s dhe forcat e UÇK-së.

Për të ardhur në gjakun tonë, një fenomen intelektual në politikë, i pastudiuar ende në thellësinë e merituar, është Ibrahim Rugova, një lider popullor i dashur dhe vetmitar, që nuk i lëshoi pe asnjëherë aq sa të tjetërsohej e shpërfytyrohej banalitetit që kërcënon vazhdimisht liderit politikë të aerealit shqipfolës.

Me këta dy shembuj kemi thirrur në skenë një të tretë, Arbën Xhaferrin, atë që veproi në një skenë akoma më të vogël nga pikpamje të sipërfaqes, por ku u dëndësuan disa nga ngjarjet e mëdha të rajonit, të cilat kërkuan një lider shqiptar të një tipi të ri, të kultivuar e të ditur. Gabimisht mendohej se Maqedonia multietnike nuk e kishte. Por tregoi se e kishte. Shqipëria e copëtuar e konferencave dhe hartave e kishte krijuar nga historia e saj për të përfaqësuar e acvancuar një kauzë lirie, dinjiteti, shtetformimi, pavarësie dhe bashkimi. Ky ishte Arbën Xhaferri, një lider i përdritjes intelektuale, që doli dhe qëndroi në krye jo si disa që zënë kreun të ndihmuar nga rrethanat dhe nuk e lëshojnë pa i shkuar flaka në qiell, por si prijës i arsyes, i asaj arsyeje që nuk ka nevojë për banda, nuk ka nevojë për xhungël, nuk ka nevojë të çirret. Arsyes, të cilën Monteskie e identifikonte me virtytin në politikë, i mjafton zëri i ulët dhe e folura e matur si ajo që përcolli trajektoren prej meteori të Arbën Xhaferrit në politikën shqiptare.

Kushdo që ka ndjekur karrierën e tij në krye të një partie shqiptare në Maqedoni, siç është PDSH-ja, ka kuptuar se Arbën Xhaferri rrezatonte përtej saj si një politikan i përmasave kombëtare, rajonale dhe me gjerë. Ai nuk ia flijoj asnjëherë përmasën intelektuale nevojave të politikës së ditës, duke u fshehur prapa alibive që nuk është e vështirë të gjenden. Përkundrazi: ai e përdori formimin dhe kulturën për të iluminuar vetë politikën në një mjedis të vështirë, siç është ai i Tetovës dhe Shkupit, ku vizionet moderne perëndimore të personaliteteve shqiptare kanë qenë gjithnjë nën trysninë e dyfishtë të arkaizmit maqedonas në një anë dhe atij shqiptar në anën tjetër. Arbën Xheferri është nga të paktët që hyri dhe doli si intelektual nga politika, madje si një intelektual edhe më i pjekur, pasi vetë politika është një arenë dhe akademi e madhe gjeopolitike dhe kulturore, nese përdoret e ushtrohet në suazën e qëllimeve të larta për të cilën ekziston. Kushdo që lexon librin e tij me intervista “Në Tetovë, në kërkim të kuptimit”, që është edhe një lloj manuali i mendimit të tij politik, kupton se politika kombëtare shqiptare, apo me saktë çështja kombëtare shqiptare, ka patur e do të vazhdojë të ketë në Tetovë- idealet nuk vdesin- një oshënar dhe drejtues të urtë e mendjeprehtë të fatit të saj. Xhaferri ka ndjekur një qëllim të mbështetur në një bindje dhe vizion të caktuar, aspak romantik apo pseudonacionalist, por realist dhe logjik, për të ardhmen e Maqedonisë dhe Kosovës. Por nga ana tjetër, si një intelektual tipik që nuk burgoset në pikpamjet e veta, që kërkon dhe gjen arsye edhe te pala tjetër, siç thoshte Jorge Lui Borges, ai ka ditur të reflektojë, kur ngjarjet e kanë parakaluar apo kanë ndjekur një rrjedhë të ndryshme nga ajo që ai mendonte.

Rasti i Xhaferrit ashtu si rasti i Rugovës na tregojnë se, ndryshe nga sa thuhet e mendohet, Shqipëria dhe shqiptarët e bëjnë intelektualin në politikë. Nuk është modeli i vetëm, sigurisht, por është një model që ka prodhuar gjithnjë më shumë zgjidhje, përparim dhe paqe. Shembulli i tyre lartëson piksëpari njerëzit që i kanë ndjekur, votuar e respektuar. Një populli që mbështet fenomenet intelektuale në politikë shdërrohet vetvetiu në popull elitë. Kjo është si një aksiomë. Nuk habitemi kur ndodh në Çeki e nuk duhet të habitemi që në rrethana të caktuara ka ndodhur e ndodh edhe në trojet shqiptare. Rasti i Xhaferrit na tregon ndërkaq se përveç rrethanave specifike, një rol vendimtar në promovimin e intelektualëve në politikë kanë vetë këta të fundit. Ata përmbushin një lloj heroizmi duke mos u thyer dhe njëkohësisht duke mos u prishur nga politika e xhuglës, e allishverisheve, e nënshtrimit, e interesave vetjake, e tjerë.

Në çetelën e kujtimit ku zuri vend me vdekjen e tij, Arbën Xhaferri, i urti ynë i Maqedonisë, do të kujtohet pikërisht si dikush që as u thye, as u prish. Për këtë arsye dita e tij në kuptimin e modelit, stilit dhe kauzës poltike që shërbeu, nuk mbetet prapa me të zotin në amshim, por pret Shqipërinë e re në Europën e re. E ardhmja politike i përket arsyes, dijes, zërit normal, të folurës normale, sjelljes normale dhe fisnike si ajo që na la trashëgim Arbën Xhaferri.

Gjithashtu lexo

Vdes ish-kryeministri Bajram Rexhepi – (VIDEO)

Ish- kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi ka ndërruar jetë pas një sëmundje për të cilën …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *