Home / Lajme / Maqedoni / Pollogu mbijeton nga mërgimtarët

Pollogu mbijeton nga mërgimtarët

9 gusht-Këtë vit, sipas përllogaritjeve të ekspertëve ekonomik, mërgimtarët kanë sjellë diku rreth 800 milionë euro në Maqedoni. Pjesa dërmuese e këtyre mjeteve janë të mërgimtarëve nga rajoni i Pollogut

Urim Hasipi

Rajoni i Pollogut që nga pavarësimi i Maqedonisë dhe falimentimit të shumë gjigandeve prodhues, mbijeton dhe është i varur nga të ardhurat e mërgimtarëve. Me mbylljen, falimentimin dhe privatizimin e shumë fabrikave të mëdha në këtë rajon, një pjesë e madhe e fuqisë punëtore filloi të angazhohet ne sektorin privat, kurse një pjesë emigroi jashtë vendit. Kryesisht tash ekonomia në këtë rajon varet pikërisht nga kjo pjesë e popullatës. Të gjithë sektorët e ekonomisë vihen në lëvizje me kthimin e punëtorëve tanë që gjenden me punë të përkohshme në shtetet e Bashkimit Evropian dhe vendeve tjera. Çdo mërgimtarë sjell në vendlindje para kesh që është impulsi kryesor për ekonominë e Pollogut dhe jo vetëm për këtë rajon, por edhe për tërë shtetin. Në Tetovë pjesa më e madhe e sektorëve që punojnë janë biznese private, kryesisht ndërmarrje të vogla dhe të mesme. Pikërisht të ardhurat e këtyre bizneseve varen shumë nga prurjet e mërgimtarëve dhe më pas ata shpërndahen në sektorë të veçanta. Nga Agjencioni për përkrahjen e ndërmarrjeve të vogla dhe mesme ESA- në Tetovë, thonë se prurjet e mërgimtarëve ndihmojnë më shumë ndërmarrjet që nuk kanë eksport jashtë vendit.

“Nga takimet e rregullta që i realizon me klientët e saj, siç janë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, mund të konstatojmë se në këtë periudhë vërehet një përmirësim te këto biznese, sidomos te ndërmarrjet që prodhojnë produkte vendore. Në këtë kohë kriza ekonomike është ajo që më shumë tangon ndërmarrjet që eksportojnë jashtë vendit prodhimet e tyre, ndërsa te ndërmarrjet tjera sjellja e të ardhurave nga mërgimtarët është shumë e rëndësishme për të tejkaluar krizën”, thotë Nebi Jusufi, menaxher në Agjencionin ESA. Këtë vit, sipas përllogaritjeve të ekspertëve ekonomik, mërgimtarët kanë sjellë diku rreth 800 milionë euro në Maqedoni. Pjesa dërmuese e këtyre mjeteve janë të mërgimtarëve nga rajoni i Pollogut. Profesori universitarë, Petrit Pollozhani, shprehet se prurjet e mërgimtarëve janë impuls i rëndësishëm për ekonominë e vendit.

“Në bazë të përllogaritjeve që bëjnë ekspertët e ekonomisë, diku mbi 800 milionë euro mblidhen në ekonominë e Maqedonisë pikërisht nga mërgata shqiptare. Në kohë krize janë para kesh me të cilët asgjë nuk investohet, pra vijnë dhe konsumohen në sektorë të ndryshëm. Kapacitetet e sektorit të pijeve freskuese punojnë me kapacitet të plotë, objektet hotelerie afariste, poashtu punojnë me kapacitete të plota, sektori i ndërtimit është një sektor specifik ku harxhohen mjaft para nga mërgimtarët, sektori i mobiljeve. Poashtu kur gjithë kësaj i shtohen edhe paratë që u lihen familjeve për harxhim nga ana e mërgimtarëve, atëherë kemi të bëjmë me një impuls të madh për zhvillimin e ekonomisë pasi që rreth 15 për qind e Bruto Prodhimit Vendor (BPV) ndihmohet me këto mjete”, thotë profesori universitar, Petrit Pollozhani. Nga ana tjetër, të hyrat që vijnë nga mërgimtarët nuk janë zgjidhje për ekonominë vendore pasi që janë para kesh dhe situata e mirë ekonomike zgjatën vetëm disa muaj.

“Nuk është zgjidhje afatgjate, por është ad -hock, pra është momentale. Për përmirësim të ekonomisë në përgjithësi nevojiten programe dhe projekte të subvencionuara nga niveli qendror dhe ai lokal.”, nënvizon Jusufi. Mbijetesa e këtij regjioni nga të ardhurat prej mërgimtarëve konfirmohet edhe nga vetë ata që kanë punë në mënyrë të drejtpërdrejtë me mërgimtarët. Hasan Emini, menaxher në shitoren “Nora As” thotë se mërgimtarët këtë vit kanë qenë të interesuar për të blerë artikuj dhe në një farë mënyre ata kanë investuar në vendin e tyre. Për çdo vit interesimi i tyre ulet për vendlindjen, duke patur parasysh se mërgimtarët jo vetëm që punojnë, por edhe investojnë në ato vende ku qëndrojnë. Ne presim që të vijë sezoni gjatë muajit korrik dhe gusht dhe në mes të dhjetorit dhe janarit. Në këtë periudhë punojmë pesë fish më shumë, ndërsa në nëntë muajt që ngelin duhet të jemi të kujdesshëm shumë pasi që në atë periudhë mezi mbijetohet”, thotë Emini. Njohësit e rrethanave ekonomike në vend, theksojnë se qeveria në këtë rast në mënyrë indirekte mban balancin ekonomik në këtë kohë krize, pasi që pas ardhjes së mërgimtarëve në këtë periudhë rritet çmimi i energjisë elektrike, derivateve të naftës, ndërsa në anën tjetër tatimet nuk ulen dhe kjo ndikon pastaj te familjet e rëndomta që nuk kanë të ardhura nga jashtë. Edhe profesori Petrit Pollozhani, edhe Nebi Jusufi nga Agjencioni ESA shprehen se për ekonomi stabile nevojitet që të zhvillohen edhe sektorët e tjerë të ekonomisë.

Gjithashtu lexo

Katër të lënduar në afër Gostivarit – (VIDEO)

Të shtunën mbrëma rreth orës 23 në autostradën Gostivar-Tetovë në afërsi të pikës së pagesës …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *