Home / Sport / Reali i merr Superkupën Barçës

Reali i merr Superkupën Barçës

Real Madrid ka fituar Superkupën e Spanjës falë suksesit 2-1 në ndeshjen e kthimit të luajtur në “Santiago Bernabeu”. Trofeu ka kaluar në duart e madrilenëve falë rregullit të golave në fushën kundërshtare, pasi në takimin parë në “Kamp Nou” ishin mundur me rezultatin 3-2.

Skuadra e Murinjos sulmon që në minutën e parë të ndeshjes, duke kërkuar me ngulm golin. Madrilenët kthejnë në poligon qitje portën e Valdes, ndërsa katalanasit e kanë shumë të vështirë të ndërtojnë aksione ofensive. Në momentin kur ata sulmojnë, Reali i godet menjëherë me kundërsulm, duke gjetur golin e avantazhit me Higuain që përfiton nga një gabim i Maskerano për të dërguar topin në rrjetë.
Barcelona çuditërisht e ndjen goditjen dhe madrilenët përfitojnë nga kjo përgjumje e rivalëve. Kristiano Ronaldo, në minutën e 18-të, i shmanget Pike me një prekje të jashtëzakonshme të topit me thembër, hyn në zonë dhe mposht Valdes për herën e dytë.
Tashmë katalanasit janë krejtësisht të paqartë në lojën e tyre dhe situata përkeqësohet kur në minutën e 27-të, Adriano ndëshkohet me karton të kuq. Por Reali i fal duke humbur raste të pabesueshme para portës së Valdes, i vetmi që duket në formë në këtë takim mes katalanasve dhe bën të pamundurën për të mbajtur ekipin e tij në lojë.
Kur duket se pjesa e parë mbyllet me suksesin e pastër 2-0 të Realit, mendon i zakonshmi Mesi për të ringjallur Barcelonën me një goditje dënimi perfekte në minutën e 44-t, për të mbyllur këtë pjesë me rezultatin 2-1 e për të mbajtur të gjallë shpresat e skuadrës së tij për fitoren e Superkupës.
Pjesa e dytë është shumë më e ndezur, me lojë të fortë nga të dy ekipet, por rastet para porte nuk janë po aq të shumta sa në pjesën e parë pasi dy trajnerët duket kanë dhënë urdhër që ekipet të mbrohen. Vilanova provon të ndryshojë diçka, duke hedhur në fushë Song e Tejo, ndërsa Murinjo kundërpërgjigjet me Kalehon, Benzema dhe Modriç. Por tabloja nuk ndryshon, me Barcelonën që luan me shumë pasime dhe Realin që kundërsulmon rrezikshëm duke vënë në vështirësi Valdes.
Megjithatë, 90 minutat mbyllen pa një tjetër gol dhe Reali i gëzohet këtij triumfi dhe fakti që më në fund ka treguar se është një skuadër që luan futboll po aq bukur sa Barcelona e për më tepër ka mësuar se si mundet ajo.

Gjithashtu lexo

Shikoni çfarë ka bërë Barcelona pas sulmit terrorist (FOTO)

Klubi i Barcelonës ka reaguar pas sulmit terrorist në Barcelonë. Katalunasit e kanë bërë një …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *