Home / Sport / Renova nis me Napredokun, Shkëndija mysafire e Pelisterit

Renova nis me Napredokun, Shkëndija mysafire e Pelisterit

Të hënë në zyrat e stadiumit kombëtar ‘Filipi i Dytë’ u bë hedhja e shortit për kalendarin e ndeshjeve të Ligës së Parë, Ligës së Dytë si dhe dysheve të 1/16 së Kupës së Maqedonisë. Liga e Parë nis me ndeshjen Renova-Napredoku që do të zhvillohet të shtunën, ndërssa takime tjera në program janë të dielën. Shkëndija starton në transfertë me Pelisterin, ndërsa Drita në elitë do të debutojë në Bogovinë përballë Bregallnicës. Drejtuesit e Renovës kanë njoftuar se ndeshjet e tyre si vendas do t’i luajnë të shtunën, ndërsa Rabotnicki si teren vendas ka paraqitur stadiumin ‘Boris Trajkovski’ në Maxhari

Fundjavën që pason më në fund do të përfundojë pauza në futbollin vendor, pasi me tërheqjen e shortit edhe përfundimisht u mësua orari i ndeshjeve për sezonin e ri. Kampionati zyrtarisht fillon më 12 gusht kur do të zhvillohen pesë përballje të xhiros së parë, ndërsa të shtunën siparin e hapin Renova dhe Napredoku në përplasjen që do të zhvillohet në Tetovë me fillim në orën 17:00. Kampionati i ri sjell derbi të madh lokal që në javën e parë, kur Vardari të dielën në stadiumit kombëtar ‘Filipi i Dytë’ do të ndeshet me Rabotnickin. Ish-kampionia e vendit Shkëndija do të nisë në transfertë me Pelisterin, ndërsa Drita e Bogovinës debutimin në Ligën e Parë do ta ketë në teren vendas përballë Bregallnicës së Shtipit. Derbi i parë i Tetovës do të jetë në xhiron e dytë, kur Renova do të jetë mysafire e Teteksit. Shkëndija dy ndeshjet e parë do t’i luajë si mysafire me Pelisterin dhe Horizonin, ndërsa për herë të parë në teren të vet do të paraqitet më 26 gusht në xhiron e tretë, kur do të presë Metalurgun. Në xhiron e katërt Teteksi pret Dritën, ndërsa Renova përballet me Vardarin në Tetovë. Në javën e pestë Shkëndija do të jetë vendase e Rabotnickit, kurse në të njëjtën xhiro në Bogovinë Drita do të presë Renovën. Derbi i madh Shkëndija-Teteksi në program do të jetë në xhiron e shtatë, ndërsa një xhiro më vonë Renova do të përballet me Shkëndijën. Seria e derbive të ekipit ‘kuqezi’ do të vazhdojë edhe në javën e 9-të, kur në stadiumin e qytetit në Tetovë, Shkëndija do të përballet me Vardarin. Në javën e 10-të në Bogovinë do të ketë derbi lokal ndërmjet Dritës dhe Shkëndijës. “Fakti që do të luajmë 6-të javët e para në Tetovë dhe rrethinë (ndeshja me Dritën në xhiron e 5-të) sigurisht që është një favor për ne, mirëpo njëkohësisht nënkupton se në raundin e dytë e njëjta gjë do të kthehet në disfavorin tonë. Normal ne jemi të kënaqur me shortin dhe presim që të kemi start të suksesshëm, që më pas me kalimin e kohës të normalizojmë formën tonë në tentimin për të mbajtur ekipin në pjesën e epërme të renditjes. Njëkohësisht shpresojmë në ecuri pozitive edhe në Kupën e Maqedonisë, ku kërkojmë të mbrojmë titullin e fituar sezonin e kaluar”, deklaroi drejtori sportiv i Renovës, Lirim Saiti. “Shkëndija si gjithnjë nën drejtim tonë do të kërkojë majat e tableës dhe ky vit nuk do të jetë përjashtim. Dy xhirot e para do luajmë si mysafirë me Pelisterin dhe Horizontin dhe unë besoj se me rezultate pozitive në këto ndeshje, Shkëndija do të paralajmërojë kandidaturën e saj për kreun e tabelës. Besojmë në ekipin tonë, shpresojmë të përforcohemi në vazhdimësi dhe në periudhën në vazhdim pason krijimi i një Shkëndije të fuqishme. Krahas kampionatit nuk do të lëmë anash edhe Kupën, ku kemi ambicie të mëdha, me atë që për këtë do të flasim më vonë, pasi realisht ndeshja e parë nuk duhet të paraqesë problem për ekipin tonë”, u shpreh sekretari i Shkëndijës, Fikret Shaqiri, pas tërheqjes së shortit. “Jemi të kënaqur pasi na u dha mundësia që debutimin në Ligën e Parë ta kemi në fushën tonë, ndërsa fakti që do të përballemi me Bregallnicën, na jep të drejtën që të shpresojmë për debutim me fitore. Normal ne respektojmë kundërshtarin e parë dhe gjithë të tjerët, por përsërisim se jemi të kënaqur që do nisim si vendas dhe presim ta bëjmë këtë me fitore”, u shprehën nga tabori i Dritës së Bogovinës.

Renova gjashtë javë me rradhë në Tetovë

Shorti i të hënës ishte fatlum për ekipin e Renovës e cila në gjashtë xhirot e para nuk do të dalë jashtë Tetovës. Nisin me Napredokun, para ‘transfertës’ me Teteksin në Tetovë, ndërsda pasojnë përballjet si vendas me Horizontin dhe Vardarin. Në xhiron e pestë Renova në Bogovinë të Tetovës do ndeshet me Dritës, ndërsa xhiron e gjashtë përballen me Sileksin. Ekspedita e Renovës për herë të parë do të udhëtojë në xhiron e shtatë më 23 shtator, kur në Manastir do të ndeshen me Pelisterin. Pak sa e pabesueshme por e vërtetë dhe duket se drejtuesit e Renovës shoferit të autobusit mund t’i japin dy muaj pushim. “Haha, po ashtu duket në shikim të parë dhe përfundimisht kemi patur fat në këtë drejtim. Por e përsëris se ky favor në raundin e dytë do të jetë kundër neve, por si do që të jetë ne do të jemi të gatshëm që të luftojmë për kreun e tabelës, pa marrë parasysh orarin dhe vendin ku luajmë”, shprehen nga rradhët e Renovës.

Kupa e Maqedonisë: Renova nis përballë Novacit

Garat në Kupën e Maqedonisë do të nisin më 22 gusht dhe Renova mbrojtjen e trofeut do ta nisë nga Manastiri, pasi kundërshtar mori Miravcin. Finalisti i finales së fundit, Rabotnicki në 1/16 e finales së Kupës do të jetë mysafir i Pobeda Juniorit. Kundërshtari i Shkëndijës në start të Kupës do të jetë Pllackovica e Radovishit, ndërsa Drita do të jetë mysafire e Maxhari Solidarnostit. Skuadra e Gostivarit si vendas do të luajë me Bregallnicën, ndërsa në 1/16 e finales Bashkimi i Kumanovës do të kërkojë befasi përballë Tikveshit.

Super Kupa mbetet e Shkëndijës, këtë vit nuk luhet!?

Suket se trofeu i madh për fituesin e Super Kupës së Maqedonisë do të mbetet në zyrat e Shkëndijës së Tetovës si fitues akatual, i parë dhe deri tani i vetëm i kësaj gare. Kjo për faktin sepse mbetet skajshmërisht e paqartë nëse në fakt do të ketë këtë vit ndeshje të Super Kupës, ku do të përballeshin kampini dhe fituesi i edicionit të kaluar të futbollit në vend, në këtë rast Vardarit dhe Renovës. Komesari i ri për gara pranë FFM-së, Vasko Bozhinovski konfirmoi se ndeshja e Super Kupës ndërmjet Vardarit dhe Renovës përfundimisht nuk do të zhvillohet para fillimit të sezonit, ndërsa deri të mërkurën do të sillet vendimi nëse dhe kur do të luhet takimi në fjalë. Ndeshja e Super Kupës u vendos të luhet nga sezoni i kaluar, kur kampionia e atëhershmë Shkëndija mundi 2:1 fituesin e Kupës Metalurgun.

Dyshet e javës së parë:
Renova-Napredoku,
Pelisteri-Shkëndija,
Drita-Bregallnica,
Vardari-Rabotnicki,
Sileksi-Metalurgu,
Teteksi-Horizonti.

Kupa e Maqedonisë 1/16 e finales:
Novaci-Renova,
Pobeda J.-Rabotnicki,
Pllackovica-Shkëndija,
Maxhari S.-Drita,
Gostivari-Bregallnica,
Bashkimi-Tikveshi,
Karaormani-Metalurgu,
Babi-Napredoku,
Lokomotiva-Miravci,
LFK Kërcovë-Vardari,
Bellasica-Sileksi,
Babuna-Horizonti,
Luboteni-Euromilku,
Ohrid 2004-Teteksi,
Sllavej-Pelisteri,
Astibo-11 Oktomvri.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *