Home / Sport / Renova pret Vardarin, Shkëndija në Shtip

Renova pret Vardarin, Shkëndija në Shtip

Mesjava sjell ndeshjet e xhiros së katërt në Ligën e Parë të futbollit në vend, ndërsa spikat dueli ndërmjet Renovës dhe Vardarit. Shkëndija do të jetë mysafire e Bregallnicës në Shtip, ndërsa Drita ndeshjen e saj e zhvillon të ejnten, kur në Tetovë do të përballet me Teteksin.

S’ka pushim për skuadrat elitare. Pasi në fundjavë zhvilluan ndeshjet e javës së tretë, në mesjavë në program janë duelet e xhiros së IV në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë. Ndeshja më interesante do të zhvillohet të mërkurën në stadiumin e qytetit në Tetovë, ku Renova pret Vardarin. Ky duel në një farë mënyre ka vlerën e Super Kupës (e cila këtë vit nuk u zhvillua), pasi përballë njëra-tjetrës do të jenë fituesja e Kupës së Maqedonisë, Renova dhe fituesi i kamponatit të kaluar, Vardari. Xhepcishtasit pas tre xhirove të zhvilluara, kanë regjistruar dy barazime dhe një fitore, ndërsa së bashku me Horizon Turnovën janë dy skuadrat e vetme të cilat në këto tre xhiro nuk kanë përjetuar disfatën. Në anën tjetër, Renova kërkon fitoren e parë si vendase, pasi fitoren e vetme e ka përballë Teteksit, ku ‘gjipspunesit’ ishin në cilësi të mysafirit në Tetovë, ndërsa barazuan 1:1 dhe 0:0 me Napredokun dhe Horiznotin. “Mendoj se është rradha për fitore edhe pse përballë do të kemi ekip cilësor dhe kampion në fuqi. Ne respektojmë Vardarin, por gjithashtu respektojmë edhe veten, kështu që kërkojmë fitore dhe tre pikë të reja. Do të jetë e vështirë, sezonin e kaluar të gjitha përballjet me ta përfunduan baraz, por tani besojmë të shënojmë fitore”, u shpreh njëri prej futbollistëve më cilësorë të Renovës, Argjend Gafuri. Renova dhe Vardari sezonin e kaluar u përballën pesë herë, tre në kampionat dhe dy herë në gjysmëfinale të Kupës, ndërsa gjitha ndeshjet u mbyllën me barazim, me atë që Renova avansoi në finalen e Kupës, falë golit të shënuar në transfertë. Takimi Renova-Vardari zhvillohet të mërkurën në stadiumin e qytetit në Tetovë, me fillim në orën 17:00. Skuadra tjetër tetovare, Shkëndija, pasi të dielën mundi Metalurgun dhe regjistroi fitoren e parë në këtë sezon, tani është mysafire e Bregallnicës në Shtip, në kërkim të vazhdimësisë së rezultateve pozitive. Atmosfera në skuadër është pozitive, përforcimet e reja Pollozhani, Nexhipi dhe trajneri Shaqiri vec më janë akomoduar, ndërsa në ekip kthehen edhe Demiri dhe Useini, që munguan kundër Metalurgut për shkak të pezullimit. “Tre pikët kundër Metalurgut kanë ngritur moralin në skuadër dhe tani shpresojmë të vazhdojmë me këtë rritëm. Në Shtip tradicionalisht luajmë mirë dhe presim edhe tani të jetë ashtu. Bregallnica ka krijuar skuadër cilësore dhe ne jemi të vetëdijshëm për vështirësitë që na presin. Do të tentojmë që me lojë të qetë, të aprovojmë stilin tonë, me shpresë që nga kjo transfertë të kthehemi me tre pikë”, deklaroi mbrojtësi i Shkëndijës, Sedat Berisha. Në ndeshjet tjera Rabotnicki pret Pelisterin, Horizont Turnova takohet me Metalurgun, ndërsa Napredoku takohet me Sileksin. Ndeshja ndërmjet Teteksit dhe Dritës zhvillohet të ejnten në stadiumin e qytetit në Tetovë, me fillim në orën 17:00.

Dyshet e javës së IV:
Renova-Vardari,
Bregallnica-Shkëndija,
Rabotnicki-Pelisteri,
Horizonti-Metalurgu,
Napredoku-Sileksi,
Teteksi-Drita.

Gjithashtu lexo

Shikoni çfarë ka bërë Barcelona pas sulmit terrorist (FOTO)

Klubi i Barcelonës ka reaguar pas sulmit terrorist në Barcelonë. Katalunasit e kanë bërë një …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *