Home / Lajme / Maqedoni / Tetova, “thesari” i hajnave

Tetova, “thesari” i hajnave

3 gusht-Nga policia bëjnë të ditur se një pjesë e madhe e vjedhjeve nuk paraqiten në polici, pasi që pjesëtarë të afërm të familjeve janë të involvuar në vjedhje dhe denoncimi në polici nuk është i preferueshëm për shkak të prishjes së raporteve të brendshme familjare

Urim Hasipi
Edhe pse kronika e zezë e policisë është e stërmbushur me vjedhje, megjithatë shifrat tregojnë se në krahasim me vitin paraprak, gjatë gjashtë muajve të parë ka 39 vjedhje më pak. Bashkërisht në Tetovë dhe Gostivar deri në fillim të muajit korrik janë kryer 547 vjedhje, prej të cilave 316 në Tetovë dhe 231 në rajonin e Gostivarit. Vitin e kaluar deri në këtë periudhë kishte 586 vjedhje. Shumica e vjedhjeve që janë regjistruar këtë vit, janë 236 nëpër shtëpi private, ndërsa vitin e kaluar shifrat kanë qenë 213. “61 vjedhje që janë regjistruar në gjysmë vjetorin e parë të këtij viti janë kryer në shitore, 42 në automjete dhe 126 në vende tjera, ndërsa janë evidentuar edhe 10 vjedhje të shkathëta apo janë marrë prej pronarëve ar dhe flori drejtpërdrejt nga afërsia. Edhe këtë vit karakteristikë e vjedhjeve është se të njëjtat janë kryer në mungesë të pjesëtarëve të familjes, ndërsa më shpesh hajnat kanë hyrë në objekt përmes dritareve dhe dyerve nga kati përdhesë”, thuhet në raportin më të ri të Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë. Vjedhjet në rajonin e Pollogut pothuajse janë të njëjtat pasi që hajnat si prioritet kanë arin dhe paratë. “Më tërheqëse për vjedhje tek hajnat janë paratë dhe ari, por edhe prodhimet teknike, ndërsa në më pak raste vidhet tekstili dhe sende tjera me më pak vlerë. Shumica e vjedhjeve kryhen gjatë orëve të natës dhe jo vetëm në këtë kohë vidhen shtëpitë dhe lokalet, por edhe veturat të cilët nuk kanë siguri të madhe”, theksojnë në policinë e Tetovës. Si vende të cilët ende kanë probleme serioze me vjedhjet janë rajoni i Komunës së Tearcës, Reçicës së Vogël dhe të madhe si dhe brendia e qytetit. Në këto vende dyshohet se operojnë grupe të cilët shfrytëzojnë çdo moment për të vjedhur nëpër shtëpi private, sidomos atyre familjeve që kanë anëtarë jashtë vendit dhe kanë më shumë pasuri. Policia ka raportuar se ka efikasitet rreth 60 për qind në zbulimin e kryerësve të vjedhjeve. Tri vite me radhë në Tetovë dhe Gostivar realizohen aktivitete preventive, para se gjithash në aspektin edukativ dhe preventiv të drejtuara se si të mbrohen nga vjedhësit. Si edhe viteve të kaluara, edhe këtë vit, në shumë raste është apeluar që pronarët e shtëpive, banesave, lokaleve, të cilët kanë vendosur të shkojnë në pushim, të njëjtat t’i sigurojnë me alarme apo vendosin kamera dhe në kohë t’i paraqesin lëvizjet e dyshimta në afërsi të objekteve. Megjithatë, nga policia bëjnë të ditur se një pjesë e madhe e vjedhjeve nuk paraqiten në polici, pasi që pjesëtarë të afërm të familjes kanë qenë të involvuar në vjedhje dhe denoncimi në polici nuk ka qenë i preferueshëm për shkak të prishjes së raporteve të brendshme familjare. Një pjesë bukur e madhe e shtëpive, pronar të së cilave janë mërgimtarë kanë të vendosura edhe kamera sigurie, por edhe në këto shtëpi nuk kanë munguar plaçkitjet. Sa i përket vjedhjeve që kryhen në automjete, zakonisht hajnat i çelin dyert e veturave të cilët nuk kanë të vendosura sistem për alarm dhe dyert e tyre hapen më lehtë. Bëhet fjalë për vetura të cilët janë të vendosura afër shtëpive dhe në rrugë më pak të ndriçuara. Kohë më parë, me kërkesë të bashkësive lokale në Tetovë dhe komunave përreth, kanë filluar takimet ku marrin pjesë vetë bashkësitë vendore, pjesëtarë të policisë, pushtetit lokal dhe institucione tjera, me qëllim të marrjes së masave preventive për parandalim të vjedhjeve të cilët karakterizuan këtë fillim vit rajonin më të gjerë të Pollogut.

Gjithashtu lexo

Starnawski përsëri zhytet në Matkë

Zhytësi i famshëm speleologjik, Krzysztof Starnawski nga Polonia, së bashku me ekip të zhytësve vendas …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *