Home / Lajme / Maqedoni / Thaçi takohet me Berishën

Thaçi takohet me Berishën

21 gusht-Ashtu si edhe më parë garantova kryeministrin, se PDSH do të udhëheqë një politikë të drejtë këmbëngulëse shqiptare dhe gjithmonë konstruktive në vijim të procesit demokratik dhe procesit rajonal që zhvillohet për ta integruar gjithë Ballkanin në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, është shprehur ndërkaq kreu i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi pas takimit me kryeministrin shqiptar Sali Berisha.

Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha ka pritur sot në një takim kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçin. Gjatë këtij takimi kryeministri Berisha i shprehu dhe njëherë ngushëllimet më të sinqerta Thaçit për ndarjen nga jeta të kryetarit të Nderit të kësaj Partie, Arbën Xhaferi. Gjithashtu Thaçi e informoi kryeministrin Berisha rreth zhvillimeve më të fundit politike në Maqedoni si dhe qëndrimet politike të PDSH-së, njoftojnë nga kjo parti.

“Sapo përfunduam një takim të rëndësishëm me zotin Menduh Thaçi, kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni. I shpreha edhe njëherë ngushëllimet e mia më të sinqerta, për ndarjen nga jeta të presidentit të nderit të kësaj partie, Arbën Xhaferi, i cili lë një trashëgimi të shkëlqyer në mendimin politik shqiptar dhe në mendimin shqiptar në tërësi. Një trashëgimi, e cila do të frymëzojë shqiptarët në mbrojtjen e idealeve dhe interesave të tyre. Zoti Menduh më informoi mua mbi zhvillimet e fundit dhe disa qëndrime të forcës politike që drejton. Unë e garantova se për ne avancimi i mëtejshëm i lirive dhe te drejtave të shqiptarëve në Maqedoni është dhe mbetet një përparësi madhore, sikundër paqja dhe stabiliteti i këtij vendi, kanë një rëndësi kryesore. Në këtë kontekst ne mbështesim fuqishëm përpjekjet për bashkëpunim midis forcave politike shqiptare dhe midis forcave politike të etnive të ndryshme në këtë vend, si interesi më i mirë i paqes, stabilitetit dhe integrimit të Maqedonisë. Bisedimet kaluan në një atmosfere mirëkuptimi të plotë”, ka thënë kryeministri shqiptar, Sali Berisha pas takimit.

Nga ana tjetër Thaçi është shprehur se ka patur mundësinë që në takimin me kryeministrin shqiptar, në emër të Partisë që drejton ta falënderoj për nderin që i bënë kryetarit Arbën Xhaferi, vetë kryeministri dhe delegacioni qeveritar. “Mua mu dha mundësia që ta informoj kryeministrin Berisha për zhvillimet e fundit politike në Maqedoni, për përpjekjen e PDSH që të vendosë ura bashkëpunimi me forca politike qoftë shqiptare qoftë maqedonase, të cilat do ta përshpejtojnë procesin integrues të Maqedonisë drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Është një brengë e përbashkët, jo vetëm e PDSH-së, por e të gjithë dashamirësve të Maqedonisë, që ky proces duhet të ecë. Ashtu si edhe më parë garantova kryeministrin, se PDSH do të udhëheqë një politikë të drejtë këmbëngulëse shqiptare dhe gjithmonë konstruktive në vijim të procesit demokratik dhe procesit rajonal që zhvillohet për ta integruar gjithë Ballkanin në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, është shprehur ndërkaq kreu i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi pas takimit me kryeministrin shqiptar Sali Berisha.

Gjithashtu lexo

Vetëndizet vetura e mërgimtarit – (VIDEO)

Të shtunën mbrëma në dalje të fshati Zherovjan për në fshatin Radiovcë, është vetë-ndezur në …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *