Home / Lajme / Maqedoni / Zgjedhjet dhe demokratura

Zgjedhjet dhe demokratura

Tani, kur ministrat e parfumosur dhe me kollare u paraqitën para varrezave të dëshmorëve gjoja për të nderuar veprën e tyre, logjikisht lind dyshimi në sinqeritetin e këtij homazhi. A ka nderim apo homazh më të denjë për dëshmorët sesa sjellja e Ligjit të premtuar për familjet e tyre? Familjarët e dëshmorëve duket se janë shumë zemërgjerë meqë nuk vënë këtë kusht për politikanët shqiptarë: do keni të drejtë të bëni homazhe mbi varret e tyre, bile edhe me kollare dhe të parfumosur, vetëm kur ta sjellin ligjin e premtuar 10-vite me radhë, ligj i cili do t’i vë në të njëjtin nivel me “mbrojtësit”.

Nga Xhelal Neziri
Jo të gjithë u ngazëllyen me aktin “rebelues” të ministrave shqiptarë në qeverinë e Nikolla Gruevskit, të cilët vendosën të nderojnë edhe dëshmorët e UÇK-së të varrosur në Sllupçan të Kumanovës.

Në shikim të parë ky akt u vlerësua si hap fillestar i BDI-së që, pas katër viteve pjesëmarrje në pushtet, të dalë nga guaca e inferioritetit dhe të fillojë të shpëtojë atë që është e mundur për shqiptarët e Maqedonisë, të cilët edhe i përfaqësojnë në qeveri.

Megjithatë, nëse analizohen politikat e Ali Ahmetit ndaj ish-ushtarëve të rënë në luftën që ai e filloi në vitin 2001, atëherë zhduket e gjithë kjo mjegullnajë e krijuar në opinion. Në vitin 2003, dy vite pas konfliktit, në Parlamentin e Maqedonisë votohet Ligji aktual i “mbrojtësve” të Maqedonisë, me ç’rast eliminohet segmenti tjetër i konfliktit – ai shqiptar. Që absurdi të jetë më i madh, ky Ligj sillet edhe me votat e deputetëve të BDI-së, parti e cila atë kohë ishte në koalicion qeverisës me LSDM-në e Branko Cërvenkovskit. Që nga ajo kohë e deri më tani, qasja e Ahmetit ndaj invalidëve të luftës dhe familjarëve të dëshmorëve ka qenë joinstitucionale dhe partiake. Gati 10-vite sa është në qeveri, Ahmeti vetëm ka formuar komisione ndërpartiake dhe ka blerë kohë para votueseve të tij. Partia e Ahmetit nuk arriti që të ndryshojë as ligjin aktual të “mbrojtësve të Maqedonisë” ku dëshmorët dhe invalidët shqiptarë të luftës do të futeshin nën grafën “viktima të konfliktit”. Në vitin 2008, kur BDI-ja u bë pjesë e qeverisë me Marrëveshjen e Majit, u formuan komisione ndërpartiake që të zgjidhin çështjen e ish-UÇK-së, me ç’rast nuk arriti që të detyrojë VMRO-DPMNE-në të pranojë t’u ndajë as pensione si invalidë të konfliktit, pa mos përmendur pjesëmarrje aktive në konflikt, siç është rasti me “mbrojtësit”. Ahmeti gjatë kësaj dekade ka luajtur një rol të dyfishtë – konstruktiv me partnerin maqedonas dhe i zjarrtë në tubimet përkujtimore për shënimin e konfliktit të 2001-shit.

Tani, kur ministrat e parfumosur dhe me kollare u paraqitën para varrezave të dëshmorëve gjoja për të nderuar veprën e tyre, logjikisht lind dyshimi në sinqeritetin e këtij homazhi. A ka nderim apo homazh më të denjë për dëshmorët sesa sjellja e Ligjit të premtuar për familjet e tyre? Familjarët e dëshmorëve duket se janë shumë zemërgjerë meqë nuk vënë këtë kusht për politikanët shqiptarë: do keni të drejtë të bëni homazhe mbi varret e tyre, bile edhe me kollare dhe të parfumosur, vetëm kur ta sjellin ligjin e premtuar 10-vite me radhë, ligj i cili do t’i vë në të njëjtin nivel me “mbrojtësit”.

Kriza fiktive, e krijuar mes VMRO-së dhe BDI-së për shkak të homazheve në Sllupçan, nxori në sipërfaqe vetëm disa detaje nga marrëveshja koalicionuese midis këtyre dy partive. Sekretari i përgjithshëm i BDI-së, në brifingun me gazetarë tha se “gjatë bisedimeve për formimin e koalicionit qeverisës partia e Gruevskit ka pranuar përkujdesje për të dëmtuarit dhe familjarët e dëshmorëve të UÇK-së, por ka bërë me dije se në atë rast nuk do të mund të mbyllen rastet e Hagës”. Kjo deklaratë më kujtoi një barsoletë mbase të njohur nga të gjithë: Gjyshi veteran i tregon nipit se gjermanët në Luftën e Dytë Botërore e kishin zënë rob bashkë me një grup të madh partizanësh dhe i kishin mbyllur në një burg të improvizuar. Pas një kohe, komandanti gjerman u kishte treguar se kishin dy mundësi për të zgjedhur – ose vrasjen, ose përdhunimin. “E ti gjysh, çfarë zgjodhe”, e pyet nipi. “Natyrisht se vrasjen”, i përgjigjet gjyshi.

Deklarata e Ademit tregon vetë se cila mundësi është zgjedhur midis amnistisë për kreun e BDI-së dhe ligjit që do t’i jepte legjitimim konfliktit të 2001-shit.

Një detaj tjetër i marrëveshjes koalicionuese midis Gruevskit dhe Ahmetit u shpalos edhe për atë se kur do të sillet Ligji i ri i “mbrojtësve”, për t’iu siguruar atyre më shumë beneficione sesa ato që i gëzojnë, përfshirë këtu banesa, shkollim falas, mjete financiare e kështu me radhë. Pra, qenkan dakorduar që ky ligj, i cili përjashton “grupet ekstremiste shqiptare”, të sillet në mandatin tjetër. Nga këtu del se rebelimi i BDI-së qenka nga shkaku se VMRO-DPMNE-ja paska shpejtuar ta kalojë këtë ligj në këtë mandat, kurse absurdi është se ky ligj nuk mund të kalojë nëse nuk votohet edhe nga partia e Ahmetit. Këto janë detaje të shpalosura vetëm për çështjen e statusit të ish-UÇK-së, andaj do të duhet të presim ndonjë krizë tjetër qeveritare të mësojmë detaje për kontratat për gjuhën shqipe, për ndarjen e buxhetit, për përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve…

Pjesa më e madhe e njohësve të rrethanave politike janë të bindur se kjo krizë qeveritare ose është fiktive ose është e nxitur në mënyrë të njëanshme nga ana e partisë së Gruevskit. Qëllimi i kësaj krize mund të merret me mend – prishja e koalicionit, luftë mediale midis Gruevskit dhe Ahmetit për çështje ndëretnike, shfaqja e tyre si patriotë të vërtetë para maqedonasve dhe shqiptarëve, shpallje të zgjedhjeve të parakohshme, fitore në zgjedhje dhe formim të sërishëm të qeverisë VMRO-BDI. Dikush do të thotë se kjo nuk ka logjikë pasi ata edhe aktualisht e kanë pushtetin dhe pse të ndërmarrin gjithë këtë rrezik për të rifituar përsëri pushtetin. Por, problemi qëndron te rënia e shpejtuar e përkrahjes në teren për VMRO-në dhe BDI-në dhe rreziku që nga shtatori i vitit të ardhshëm zgjedhje të parakohshme të iniciojë opozita e bashkuar. Shpallja e zgjedhjeve tani dhe realizimi i operacionit për fitore i njëjtë si në zgjedhjet e 2011-ës, që ngërthente aktivitete që nga shantazhimi i administratorëve e biznesmenëve e deri te blerja klasike e votave, do t’u garantonte këtyre partive edhe një mandat qeverisës katërvjeçar dhe do të delegjitimonte liderët e partive që përbëjnë opozitën.

Një atu tjetër e pushtetit janë edhe votat fiktive. Nëse zgjedhjet do të mbahen pa zbatimin korrekt të regjistrimit të popullsisë, atëherë në Maqedoni definitivisht do instalohet demokratura si sistem që qëndron diku në mes të demokracisë dhe të diktaturës. Ky sistem, që zgjedhjet i ka vetëm farsë pasi falsifikohen në vazhdimësi, do të vendosë vendin në të njëjtin nivel me Rusinë, Sirinë, Libinë e Muamer el-Gadafit…Regjistrimi i popullsisë patjetër të vihet si parakusht për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, pavarësisht nëse do të jenë të rregullta apo të parakohshme, nga shkaku i pastrimit të listave zgjedhore nga votuesit fiktivë dhe pamundësimit të keqpërdorimit të votave të mërgimtarëve.

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *