Home / Sport / Adriano i pandreqshëm, përsëri telashe për sulmuesin

Adriano i pandreqshëm, përsëri telashe për sulmuesin

Karriera e sulmuesit brazilian Adriano po shkon drejt fundit, pasi ish-“Perandori” po shkatërron të ardhmen e tij te Flamengo me duart e tij. Futbollisti nuk është paraqitur të hënën në stërvitje me klubin, vetëm dy javë pasi ka nënshkruar me këtë skuadër dhe arsyeja është ajo e zakonshmja: pjesëmarrja në një festë, pas të cilës ka pësuar edhe një aksident automobilistik.

Gjatë dy javëve të para, të gjithë te Flamengo menduan se Adriano ishte kthyer lojtari i vjetër që mahniti botën shumë vite më parë, pasi shfaqej i rregullt e i përpiktë në stërvitje. Por të hënën, ai nuk ka marrë pjesë në seancën stërvitore të planifikuar dhe nuk ka dhënë asnjë justifikim për këtë mungesë. Pak më vonë, mediat braziliane kanë zbuluar se në orarin e stërvitjes, ai gjendej në lagjen ku është rritur, Vila Kruzeiro, me qëllim organizimin e një feste me miqtë e tij.

Persona të ndryshëm kanë konfirmuar praninë e tij në këtë lagje, ndërsa mbante në dorë disa shishe birrë. Festa ka zgjatur deri në orët e para të mëngjesit dhe kur Adriano po kthehej në shtëpi, ai është bërë pjesë e një aksidenti me makinën e tij BMW, pasi ka përplasur një motorçiklist, por fatmirësisht pa pasoja për të dy palët.

Flamengo nuk ka marrë ende asnjë pozicionim zyrtar, por burime pranë klubit kanë bërë të qartë se për lojtarin do të ketë një gjobë për mungesë disipline. Drejtuesit e skuadrës ia kanë bërë të qartë futbollistit se toleranca e tyre ndaj tij nuk do të jetë si ajo e skuadrave të tjera dhe mund ta përjashtojnë nëse jeta e natës dhe ngjarjet jashtë fushë dëmtojnë jetën e tij sportive. Vetë Adriano kishte pranuar se ky ishte shansi i tij i fundit për të ringjallur karrierën.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *