Home / Sport / Baloteli-Inter, sinjale për vitin 2013

Baloteli-Inter, sinjale për vitin 2013

Masimo Morati dhe Mario Baloteli duket se po bëhen gati të plotësojnë premtimin për t’u ritakuar që i kanë dhënë njëri-tjetrit në momentin e largimit të sulmuesit nga radhët e Interit në vitin 2010.

Palët mund të bashkohen përsëri në vitin 2013, ndonëse është shumë e vështirë që një gjë e tillë të ndodhë në janar kur rihapet merkato, por me shumë mundësi gjatë verës kur është edhe periudha e duhur për të diskutuar gjerësisht rreth një marrëveshje të tillë me Mançester Sitin.

Pavarësisht fjalëve të menaxherit Mino Raiola, Baloteli duket se është mërzitur në Angli dhe do të kthehet në Itali, ku është më i lirë për të bërë çfarë dëshiron pa u ndjekur nga dhjetëra fotografë.

Shkëndijat me Mançinin në fund të sfidës së fundjavës, të përfunduar në barazim ndaj Arsenalit, janë sinjali i radhës së diçka nuk shkon mes palëve dhe as fanella e titullarit në ndeshjen e kupës ndaj Aston Vilës nuk ka kthyer buzëqeshjen e sulmuesit italian. Baloteli vazhdon të jetë një lojtar i rëndësishëm për Mançester Sitin, por me kthimin në formë të Edin Xheko, mungesa e tij nuk ka filluar të ndjehet edhe aq shumë, ndërsa hapësirat në formacion janë ngushtuar ndjeshëm. Si rrjedhojë, nëse vjen një ofertë e mirë, ai mund të shitet.

Fjala i kalon Masimo Moratit, i cili publikisht ka thënë shpesh se do të dëshironte ta kthente te Interi. Zikaltërit do të jenë të pranishëm kurdo që Mançester Sitit ta hedhë në merkato sulmuesin.

Në fakt, në kontratën e shitjes të vitit 2010 ekziston një klauzolë në të cilën shkruhet qartësisht se Interi mund ta rimarrë lojtarin duke barazuar çdo ofertë që bëhet nga një klub tjetër. Baloteli ka një kontratë deri në vitin 2015 me skuadrën angleze, nga e cila përfiton 6 milion euro në sezon dhe mendohet se tani vlera e tij është rreth 30 milionë euro.

Gjithashtu lexo

Ylli i Shkëndijës: Nuk kemi çfarë të humbasim ndaj Milanit

Ardian Cuculi ka thënë se Shkëndija do të tentojë të bëjë lojën e saj dhe …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *