Home / Lajme / Maqedoni / Gostivarë:Vazhdojnë përplasjet pushtet lokal dhe qendror

Gostivarë:Vazhdojnë përplasjet pushtet lokal dhe qendror

24 shtator-Komuna e Gostivarit ka akuzuar ministrin e pushtetit lokal në Maqedoni, Nevzat Bejta dhe Qeverinë lidhur me rrënimin e një objekti 8 katësh. Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Nevzat Bejta i demantoi akuzat në adresë të tij, lidhur rrënimin e një objekti, të cilat i prezantoi sot Komuna e Gostivarit

Komuna e Gostivarit ka akuzuar ministrin e pushtetit lokal në Maqedoni, Nevzat Bejta dhe Qeverinë lidhur me rrënimin e një objekti 8 katësh.

“Qëllimi i konferencës së sotme për shtyp ka të bëjë me informimin objektiv të opinionit publik se cili institucion është duke bërë rrënimin e objektit ‘Lovec’ dhe se a ka logjikë të bëhet prishja e objektit në kohën kur në vend është duke u realizuar procesi i legalizimit të 350 mijë objekteve joligjore në bazë të Ligjit në fuqi për legalizim. Duhet t’ia qartësojmë opinionit publik se kompetencat në fushën e inspektimit ndërtimor ku bën pjesë rrënimi i objektit ‘Lovec’ tashmë 8 muaj i janë marrë Komunës së Gostivarit nga ana e Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve. Inspeksionit shtetëror i ndërtimit pranë Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve është duke e prishur objektin dhe se Komuna e Gostivarit nuk ka lidhje me aktivitetet e Inspektoratit të ndërtimit”, theksoi sekretari i komunës, Naxhi Xhelili.

Ai tha se sipas dokumentacionit që e posedojnë, ministri aktual i pushtetit lokal Nevzat Bejta, në mbledhjen e 8-të të Qeverisë së Maqedonisë dt. 31.08.2011, ka kërkuar nga Qeveria që t’i merren kompetencat Komunës së Gostivarit dhe në bazë të kësaj kërkese të Nevzat Bejtës, është duke u ekzekutuar prishja e objektit “Lovec”.

“Meqë bëhet fjalë për objekt 8-9 katësh, rrënimi i pjesës më të madhe të ndërtesës do të shkaktojë dëm të madh material jo vetëm për pronarin, por edhe për ndërtesën e komunës dhe për objektet e shumë qytetarëve përreth objektit. Të vetëdijshëm për pasojat negative, Komuna e Gostivarit mbajti qëndrim ligjor përderisa objekti ishte në fazën e ndërtimit dykatësh, aq sa e posedonte Lejen e ndërtimit. Komuna e Gostivarit, përderisa i kishte kompetencat e Inspeksionit të ndërtimit, ia tërhoqi vërejtjen pronarit të objektit që të ndërpresë vazhdimi i ndërtimit të objektit në etazhet e mësipërme dhe kështu të eliminonte mundësinë e shkaktimit të dëmit material siç është aktualisht, mirëpo pronari i objektit i refuzonte kërkesat e Komunës dhe të Inspeksionit komunal të ndërtimit”, theksoi Xhelili.

Ai theksoi se komuna ka mbajtur qëndrim shumë pozitiv, por vetëm ligjor, që tu jepet mundësi maksimale e legalizimit të objekteve të cilat nuk posedojnë leje ndërtimi duke respektuar Ligjin për legalizimin e objekteve të miratuara nga Kuvendi i Maqedonisë në vitin 2011.

“Duhet ta theksojmë se Inspektori i autorizuar ndërtimor i Komunës së Gostivarit, i ka ndërmarrë të gjitha procedurat ligjore, duke filluar prej inspektimit në vendngjarje, përpilimit të procesverbalit, sjell aktvendim për prishje dhe me konkluzion lejon realizimin e rrënimit të objektit në fazën shumë të hershme, kur pasojat do të ishin minore. Në kohën kur legalizohen qindra mijëra objekte të egra në nivel shtetëror, respektivisht mbi 8 mijë në territorin e komunës së Gostivarit, është absurde që të ndërmerren kësisoj veprimesh. Përsërisim edhe njëherë me rezignim, se në këtë kohë të krizës së madhe ekonomike dhe sociale dhe kur është në fazën e zbatimit të plotë Ligji për legalizimin e objekteve jolegale është absurde të prishen objekte 8-9 katëshe, duke shkaktuar dëm të madh ekonomik dhe duke demonstruar forcë pa mos informuar aspak komunën e Gostivarit për këtë veprim. Po ashtu përsërisim edhe një herë se ky objekt prishet nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve me kërkesë të Nevzat Bejtës – ministër i pushtetit lokal dhe se Komuna e Gostivarit nuk ka kurrfarë lidhje me këtë veprim”, theksoi sekretari Naxhi Xhelili.

Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Nevzat Bejta i demantoi akuzat në adresë të tij, lidhur rrënimin e një objekti, të cilat i prezantoi sot Komuna e Gostivarit

“Akuzat që i ka prezantuar sot Sekretari i Komunës së Gostivarit janë akuza pa vend, se gjoja objekti i cili është në prishje në Komunën e Gostivarit fajtor është Ministri i Vetëqeverisjes Lokale. Ajo është e pavërtetë dhe me keqardhje them se unë nuk jam që të rrënohen objektet”, thuhet në reagimin e ministrit Bejta.

Sipas tij, Komuna e Gostivarit mban përgjegjësi, pasi ka lejuar ndërtimin e objektit i cili në të vërtet nuk ka leje për ndërtim.

“Në vitin 2008-të, për objektin që bëhet fjalë është marr leje nga unë, për bodrumin dhe P+2. Ajo pjesë që është nënshkruar nga Nevzat Bejta nuk guxon askush ta preke.
Kurse pjesa tjetër e objektit pa leje për të cilën aktualisht bëhet fjalë, ka filluar të ndërtohet në vitin 2009-të, që kur komuna udhëhiqet nga kryetari aktual. Se pse është lejuar të ndërtohet ajo pjesë pa leje dhe pse nuk i janë legalizuar pronarit katet tjera është përgjegjësi e kryetarit aktual të Komunës së Gostivarit”, thuhet më tej në reagim.

Gjithashtu, ai tha se akuzohet padrejtësisht se gjoja në një nga mbledhjet e Qeverisë është diskutuar që t’i merren kompetencat kryetarit të komunës së Gostivarit në sferën e urbanizmit.

“Në Qeveri asokohe është diskutuar për keqpërdorimet në urbanizëm në Gostivar dhe Inspektorati Shtetëror për Urbanizëm, në vitin 2011-të ja ka marrë kompetencat Kryetarit të Komunës së Gostivarit në këtë sferë. Kompetencat në urbanizëm i janë marrë për shkak të keqpërdorimeve të kryetarit të komunës dhe bashkëpunëtorëve të tij në sektorin e urbanizmit”, thuhet në fund të reagimit.

Gjithashtu lexo

Starnawski përsëri zhytet në Matkë

Zhytësi i famshëm speleologjik, Krzysztof Starnawski nga Polonia, së bashku me ekip të zhytësve vendas …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *