Home / Lajme / Maqedoni / Mësimi në Merovë nuk filloi

Mësimi në Merovë nuk filloi

3 shtator-Në fshatin Merovë të Komunës së Zhelinës 120 nxënësit e shkollës së këtij fshati mësimin edhe këtë vit do ta ndjekin në shtëpi private, pasi shkolla e vjetër vitin e kaluar u dogj, ndërsa objekti i ri edhe këtë vit nuk do të përfundojë së ndërtuari

– Edhe këtë vit shkollor nxënësit e shkollës fillore të Merovës nuk do të vijojnë mësimin në kushte normale, por mësimet do t`i ndjekin në shtëpi private pasi verën e kaluar shkolla e këtij fshati u përfshi nga flakët dhe u bë shkrumb e hi. Edhe pse objekti parashihej që të përfundonte me 2 tetor, megjithatë as 50 për qind e punimeve nuk janë realizuar. Drejtori i shkollës fillore qendrore “Pashko Vasa” në Grupçin Nuredin Ismaili, thotë se disa herë janë bërë vërejtje deri te firma e cila kishte premtuar se do të realizojë punët deri më 2 tetor, kurse punët në teren tregojnë të kundërtën. “Firma arsyetohet se deri më 2 tetor kemi afat dhe punët do ti kryejnë në kohën e duhur, mirëpo ne nuk u besojmë fjalëve por veprave, sepse firma në Merovë i ka vendosur veç themelet dhe as bazamentin nuk e ka përfunduar. Ne përmes kërkesës te firma, edhe nëpërmjet Ministrisë bëmë presion dhe u detyruan të vijnë në biseda, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues nga komuna. Kishte edhe inxhinier të firmës Ball-Kom nga Shkupi, kështu që ai na u lut që ne ti japim afat edhe më tepër. Ne i dhamë afat dhe kërkuam që të punohet në dy shkollat paralelisht, edhe në Merovë edhe në Novosellë, dhe punët të përfundojnë më 20 tetor”, thotë drejtori Ismaili. Ai thekson se kjo është faza e parë që ka të bëjë me objektin si karabinë, pa përfshirë punimet e brendshme. “Normal se edhe ky vit do të kalojë ashtu siç ka kaluar viti paraprak, për shkak se vetëm për karabina janë paraparë mjete, gjegjësisht shtatë deri në tetë milionë denarë ka ndarë Ministria dhe tre komuna e Zhelinës. Kështu në tenderin në formë elektronike, ata e zbritën çmimin deri në 7 milionë denarë. Me ato mjete nuk mund të ndërtohen objektet në tërësi, por janë të parapara vetëm për karabina. Me mjete shtesë shpresojmë se do të përfundohen këto shkolla dhe në vitin shkollorë 2013/14 të fillojmë me mësim në objekte të reja”, njofton drejtori i shkollës. Ai njofton se njëkohësisht është vazhduar kontrata me shtëpinë private që shfrytëzohet si shkollë në fshatin Merovë.
Drejtori ka folur edhe për objektin e ri të shkollës së Kapazhdollit, ku sipas tij, në tender është paraqitur vetëm një firmë e cila pas rishikimit të terrenit dhe mjeteve prej 4 milion denarëve është tërhequr, pasi që nuk ka pasur llogari ta ndërtojë. “Shpresojmë se në këtë afat me përsëritjen e tenderit do të kemi sukses, aty është shtuar pak TVSH-ja dhe do të bëhet ketë tender të ri. Nxënësit e kësaj shkolle mësimin do ta ndjekin në të njëjtin objekt deri sa të zgjidhet firma e cila do të fillojë me ndërtimin e shkollës së re”, thotë Nuredin Ismaili, drejtor i shkollës fillore qendrore në fshatin Grupçin “Pashko Vasa”, nën kompetencë të së cilës janë shkollat në Merovë, Novosellë dhe Kapazhdoll. Në shkollën e Merovës mësimin e ndjekin 120 nxënës, të cilët edhe një vit shkollor do mësojnë në shtëpi private. Urim Hasipi

Vërejtje:Çdo tekst I huazuar nga kjo ueb faqe duhet të citohet ose të shënohet komplet adresa e ueb faqes. Në të kundërtën do të meren masa ligjore ndaj atyre që marrin lajme nga kjo ueb faqe dhe nuk e tregojnë burimin.

Gjithashtu lexo

“Çështja mes Shkupit dhe Beogradit shkakton shqetësime në Athinë”

Gazeta greke “Kathimerini” shkruan se diplomatët grek me shqetësime i ndjekin ngjarjet në Ballkan, pasi …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *