Home / Sport / MotoGP, kalendari i sezonit të ardhshëm

MotoGP, kalendari i sezonit të ardhshëm

Kampionati I ardhshëm do të ketë 19 gara, 1 më tepër sesa sezoni aktual, e ashtu si edhe më parë në Laguna Seca do të shkojnë vetëm pilotët e klasit mbretëror.

Federata Ndërkombëtare e Motoçiklizmit komunikoi datat zyrtare të kampionatit të ardhshëm botëror. Kalendari I vitit 2013 përsa I përket pistave është ende provizor, ndërsa datat tashmë janë të përcaktuara dhe sezoni do të hapet më 31 mars, e sërish me Cmimin e Madh të Katarit, garë që do të zhvillohet ashtu si edhe në të kaluarën në mbrëmje, në pistën e Losail-it. Kampionati I ardhshëm do të ketë 19 gara, 1 më tepër sesa sezoni aktual, e ashtu si edhe më parë në Laguna Seca do të shkojnë vetëm pilotët e klasit mbretëror. 4 nga ato 19 gara do të mbahen përsëri në Spanjë, megjithatë përsa I përket Cmimit të Madh të Spanjës që në radhë vjen si gara e katërt e sezonit mbetet akoma për t’u vendosur, pasi duhet paraprakisht të konfirmohet kontrata përfundimtare me drejtuesit e pistës së Jerez-it. Sezonin e ardhshëm nuk do të jetë më Cmimi I Madh I Portugalisë, që mbahej në Estoril, ndërsa Cmimi I Madh I Italisë do të zhvillohet më 2 qershor, duke u afruar me 6 javë krahasuar me kampionatin e sivjetshëm.

Ndonëse quhet Cmimi I Madh I San Marino-s, Italia do të ketë privilegjin për të pritur edhe garën që do të zhvillohet në cirkuitin Marco Simoncelli të Misano-s, ndërsa Shtetet e Bashkuara me shumë gjasa do të presin 3 gara në Moto Gp. Në kalendar pas Losail-it, dy garat e tjera janë ende të papërcaktuara dhe kjo përkon në radhë me garën e dytë dhe të tretë të sezonit, gara që gjithsesi siç edhe kanë bërë të ditur drejtuesit e Dorna-s do të mbahen respektivisht në Argjentinë dhe Teksas, e vetëm pas tyre do të bëhet debutimi në Evropë, që në kalendar është fiksuar më datë 5 maj, në Andaluzi.

Sivjet gara e Britanisë së Madhe u zhvillua më 17 qershor, ndërsa vitin 2013 në Silverstone do të garohet ditën e parë të shtatorit. Kalimi I muajit tetor nga Azia në Australi do të jetë po njësoj, me 3 gara në 15 ditë, respektivisht në Sepang, Phillip Island dhe Motegi, ndërsa privilegjin për ta mbyllur kampionatin e ardhshëm botëror do ta ketë sërish Spanja, me Cmimin e Madh të Valencia-s, që do të zhvillohet në cirkuitin Ricardo Tormo, më 10 nëntor.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *