Home / Lajme / Maqedoni / Në USHT hapet Seminari i gjashtë ndërkombëtar me temë ‘Çështja shqiptare, para dhe pas shpalljes së pavarësisë

Në USHT hapet Seminari i gjashtë ndërkombëtar me temë ‘Çështja shqiptare, para dhe pas shpalljes së pavarësisë

20 shtator-Prorektori për arsim, njëkohësisht edhe drejtor i i seminarit, Doc.dr. Fehari Ramadani në fjalën e tij me këtë rast tha se gjatë sesioneve shkencore, sipas programit të punës do të paraqiten rreth 80 kumtesa nga studiues më në zë nga Republika e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Republikës së Bullgarisë.

Në amfiteatrin e rektoratit të Universitetit Shtetëror të Tetovës sot në mënyrë solemne është hapur Seminari i gjashtë ndërkombëtar i albanologjisë me temë qendrore “Çështja shqiptare, para dhe pas shpalljes së pavarësisë”.

Në seminarin të pranishëm ishin zëvendëskryeministri i Republikës së Maqedoninë, Musa Xhaferi, zëvendëskryeministrja për Eurointegrime, Teuta Arifi, ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Maqedoni, Arben Çejku, ambasadori i Republikës së Kosovës në vendin tonë, Ylber Hysa, ministra, deputetë, përfaqësues të pushtetit qendror dhe lokal, e tjerë.

Prorektori për arsim, njëkohësisht edhe drejtor i i seminarit, Doc.dr. Fehari Ramadani në fjalën e tij me këtë rast tha se gjatë sesioneve shkencore, sipas programit të punës do të paraqiten rreth 80 kumtesa nga studiues më në zë nga Republika e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Republikës së Bullgarisë.

“Seminari Ndërkombëtar i Albanologjisë që organizohet për të gjashtën herë me radhë nga Universiteti ynë, këtë vit mëton të paraqitet më dinjitoz para studiuesve dhe mbarë opinionin, aq më tepër kur i fillon punimet shkencore në vigjilje të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe Flamurit kombëtar. Të udhëhequr nga kjo ndjesi madhështore që ka pushtuar të gjithë shqiptarët kudo që janë, të vetëdijshëm për rolin historik dhe kontributin e studiuesve shqiptarë dhe të huaj, Këshilli drejtues i Seminarit VI Ndërkombëtar të Albanologjisë, u përcaktua që tema bosht e Konferencës shkencore të jetë: ‘Çështja shqiptare para dhe pas shpalljes së pavarësisë'”, tha Ramadani.

Seminari VI Ndërkombëtar i Albanologjisë, siç tha ai, gjatë ditëve në vazhdim do t’i zhvillojë punimet në këto sesione shkencore:

SESIONI I GJUHËSISË, me temë: “40 vjet gjuhë e përbashkët standarde shqipe”;

SESIONI I LETËRSISË, me temë: “Letërsia shqipe, frymëzuese e Pavarësisë”;

SESIONI I HISTORISË, me temë: “Çështja shqiptare para dhe pas shpalljes së Pavarësisë”; ndërsa do t’i përmbyll punimet me,

SESIONIN ETNOKULTURËS, që i referohet Etnokulturës shqiptare para dhe pas shpalljes së Pavarësisë në trevat etnike lindore.

“Nga ky Seminar, besojmë të nxjerrim rezultate të reja në fushat e lartpërmendura dhe do t’i çojmë përpara kërkimet dhe studimet shkencore. Edhe këtë vit, Seminari do t’i zhvillojë punimet në Shkup, në hapësirat e studimeve të disperzuara të USHT-së, por në program kemi parashikuar të realizojmë edhe vizita të ndryshme në institucionet me rëndësi kulturore dhe historike, si, Instituti për Trashëgimi Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në Maqedoni, Shtëpia muze e nobelistes shqiptare-Nënë Tereza, Çarshia e Vjetër në Shkup, etj”, tha drejtori i Seminarit, Ramadani.

Kjo ngjarje e rëndësishme , theksoi ai në fjalimin e tij, tashmë e ka ndërtuar identitetin shkencor dhe në këtë aspekt përfaqëson veprimtarinë më të rëndësishme shkencore në hapësirat shqiptare në Maqedoni dhe më gjerë.

“Ky Seminar, çdo vit e më tepër përcjell mesazhe bashkëpunimi e respekti për të gjithë ata që e vlerësojnë shkencën, kulturën, dijen, dhe ka dëshmuar se respekton diversitetin kulturor, sepse në punimet e tij marrin pjesë edhe studiues të huaj të cilët me kontributin dhe studimet e tyre bëjnë të mundur njohjen e ndërsjellë të kulturave në mes popujve që jetojnë në këto hapësira. USHT angazhohet për zhvillimin e shkencës së albanologjisë, prandaj, qasja shkencore dhe e drejta e studimeve, për studentët dhe profesorët tanë paraqesin një detyrim profesional dhe kombëtar, por që përmbajnë në vete një krenari dhe konkurrencë pozitive”, theskoi Ramadani

Ai në fund të fjalimit të tij ka shprehur mirënjohje për Rektoratin e Universitetit Shtetëror të Tetovës, për mbështetjen gjatë gjithë kohës së përgatitjes së Seminarit, por ka shprehur falënderime edhe për Ministrinë e Kulturës, e cila do të mbulojë pjesën dërmuese të shpenzimeve, po ashtu edhe për institucionet dhe ministrit tjera që kanë ofruar mbështetje, siç janë: Ministria e Drejtësisë, Ministria e Ekologjisë, Ministria e Ekonomisë, Ministria e Pushtetit Lokal, Ministria e Mbrojtjes, Sekretariati për Integrime Evropiane, Postat e Maqedonisë dhe Fondi Pensional Invalidor. MIA

Gjithashtu lexo

Stejt Departamenti: Qeverisja e VMRO-së ka nxitur diskriminim fetar në Maqedoni

Grupet religjioze në Maqedoni vlerësojnë se ish-Qeveria e VMRO-DPMNE-së e ka favorizuar Kishën Ortodokse – …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *