Home / Lajme / Maqedoni / Nikolloska: Kallëzime për kundërvajtje në qoftë se nuk kthehen tabelat me emrat e vjetra të shkollave në Çair

Nikolloska: Kallëzime për kundërvajtje në qoftë se nuk kthehen tabelat me emrat e vjetra të shkollave në Çair

3 shtator-Nikolloska tha nuk ka pajtueshmëri nga Ministria e Arsimit për ndryshim të statutit të shkollave, ndërsa me këtë edhe të emrit të shkollave.

Në qoftë se në afat prej tetë ditësh nuk kthehen tabelat me emrat e vjetër të katër shkollave fillore në komunën Çair, Inspektorati shtetëror i arsimit do të parashtrojë kallëzime për kundërvajtje penale.

Këtë e theksoi drejtoresha e inspektoratit Nadica Nikolloska gjatë vizitës në shkollën fillore “Bllazhe Konevski” në komunën Aerodrom të Shkupit.

Nikolloska tha nuk ka pajtueshmëri nga Ministria e Arsimit për ndryshim të statutit të shkollave, ndërsa me këtë edhe të emrit të shkollave.

“Inspektorati shtetëror i arsimit kreu mbikëqyrje inspektuese dhe miratoi vendim gojor për mungesat e konstatuara. Është dhënë afat prej tetë ditësh që të kthehen emrat në pajtim me statutin e shkollave. Nëse nuk veprohet sipas vendimit të Inspektoratit shtetëror të arsimit do të parashtrohen kallëzime për kundërvajtje deri te gjyqet themelore. Dënimet janë dy mijë euro për subjektin juridik, ndërsa prej 500 deri 800 euro për personat përgjegjës në subjektin juridik”, deklaroi Nikolloska.

Emrat e shkollave, tha ajo, janë të definuara në statutin e shkollave, ndërsa pajtueshmëri për statutet jep MASH.

“Në rastin konkret nuk ka pajtueshmëri nga MASH-i për ndryshim të shkollave. Për këtë arsye, Inspektorati shtetëror i arsimit do të kryejë mbikëqyrje inspektuese edhe pas një muaji mund të miratojë sërish vendim, gjegjësisht të dorëzojë kallëzime për kundërvajtje”, tha Nikolloska.

Ajo shtoi se sot në vijim janë mbikëqyrje inspektuese në të gjitha 556 shkollat e mesme dhe fillore, duke i përfshirë edhe shkollat në Çair.
Përderisa ministri i Arsimit dhe Shkencës Pançe Kralev thotë se do të kërkojë përgjegjësi nga pushteti lokal dhe drejtorët pas ndryshimit të emrave të shkollave në Komunën e Çairit, zëvendësi i tij Safet Neziri, ka dalë me deklaratë për qetësim të situatës. Ai thotë se Ministria e Arsimit, komuna e Çairit, inspektorët e arsimit dhe drejtorët e shkollave duhet të ulen dhe ta menaxhojnë situatën.

“Sa i përket shkollave edhe në të kaluarën ka patur ndërrime emrash të shkollave, pasi normalisht është një proces në përputhje me fazën e dytë të Ligjit për decentralizim. Kryetarët e komunave, respektivisht komunat janë themelues të shkollave dhe në bazë të informacioneve që ne kemi, ditëve të fundit janë bërë shumë kërkesa nga shkollat dhe në bazë të kërkesave dhe pëlqimeve të këshillit të prindërve, të këshillit të arsimtarëve, vendimi i komunës normalisht dhe i çdo kryetari i komune është që ti dëgjojë mendimet dhe kërkesat e qytetarëve”, ka deklaruar zëvendësministri Neziri. Sipas tij, nuk duhet që të tensionohet situata dhe nuk është mirë të merren hapa radikal.

“Ne si Ministri dhe komunë duhet që të ulemi që të menaxhojmë më së miri situatën e krijuar. Neve si pushtet qendror ministra, zëvendësministra këtë situatë do ta menaxhojmë në të ardhmen bashkë me pushtetin lokal. Nuk është mirë që të shkohet me hapa radikal. Unë mendoj se duhet që të ulemi të bisedojmë dhe të tejkalohet situata, pa marrë parasysh nëse bëhet fjalë për Çairin apo ndonjë komunë tjetër”, ka deklaruar Neziri.

Gjithashtu lexo

Katër të lënduar në afër Gostivarit – (VIDEO)

Të shtunën mbrëma rreth orës 23 në autostradën Gostivar-Tetovë në afërsi të pikës së pagesës …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *