Home / Sport / Renova zbeh ‘auto-Dritën’

Renova zbeh ‘auto-Dritën’

Në duelin Drita-Renova në listën e golashënuesve u regjistruan pesë futbollistë të Dritës dhe një i Renovës. Në kushte normale, ky fakt do të nënkuptonte fitore 5:1 të Dritës, mirëpo ndeshja në fjalë është mbyllur me rezultatin 2:4 për miqtë, pasi tre futbollistë vendas shënuan autogola. Përkundër autogolave, vendimtar në fitoren e Renovës ishte portieri Suat Zendeli, i cili kishte 4-5 pritje vendimtare.

Të dielën në stadiumin e fshatit Bogovinë u zhvillua një nga ndeshjet më të cmendura të futbollit vendor. Drita është mundur në teren vendas me rezultatin 2:4 nga Renova, në takimin ku tre futbollistë vendas shënuan në rrjetë të tyre. Kuriozitet i kësaj përballeje është fakti që Renova në pushim shkoi me avantazh të lartë 3:0, ndërsa autor të golave ishin tre futbollistë të Dritës. Nafija, Mustafi dhe Kërstevski shënuan autogola, duke i lehtësuar punën skuadrës mysafire. Në pjesën e dytë Drita tentoi të kthehet, kur Tunevski shkurtoi diferencën në 1:3, mirëpo në anën tjetër Emini nga gjuajtja e lirë realizoi për 4:1. Deri në fund të ndeshjes Drita provonte të bëjë dic më tepër dhe arriti vetëm të zbusë disfatën në 2:4, me golin që shënoi Ardian Nuhiu. ”Cka mund të them pas një ndeshje të këtillë, kur Drita pranon në një ndeshje katër gola, pasi paraparakisht s’kishim pranuar aq gola në katër ndeshje. Gabime naïve në mbrojtje, tre autogola dhe me një fjalë ne i dhuruam fitoren Renovës. Në fushë luajtëm mirë, krijuam 7-8 raste shënimi, mirëpo në disa raste deciziv ishte Suat Zendeli me pritjet e tij. Ne treguam panik në mbrojtje dhe periudhën në vijim duhet të punojmë në këtë drejtim. Tani na pret ndeshja në kuadër të Kupës me Pobeda Juniorin, ku ne do të kërkojmë rezultat pozitiv që në ndeshjen e parë, pasi që duam të kalojmë këtë fazë”, deklaroi trajneri i Dritës, Jeton Beqiri. “Ndeshje interesante nga e cila unë mbetem i kënaqur me tre pikët, për më shumë nga reagimi i futbollistëve pas humbjes me Vardarin. Loja jonë ende ka vend për përmirësim, por besoj se me kalimin e kohës, gjërat do të vijnë në vendin e duhur. Sot besoj që publiku mbeti i kënaqur me performansën e të dyja skuadrave, pasi edhe Drita tregoi se ka kapacitet në vete. Më vjen keq që ishin të pafat, në momentet e autogolave, mirëpo edhe kjo është pjesë e futbollit. Për Renovën të rëndësishme mbesin tre pikët e reja”, tha trajneri i Renovës, Qatip Osmani, në komentin e tij për duelin Drita-Renova. Për skuadrën e Dritës kjo ndeshje ishte pak sa e papritur, pasi vendasit shpresonin në fitore ndaj Renovës që dukej në krizë, deri sa bogovinasit hynë në seri prej tre përballjeve pa disfatë. Në anën tjetër Renova kthehet me sukses pas humbjes me Vardarin. Ndeshja e të dielës i takon të së kaluarës, pasi vëmendja kthehet kah Kupa e Maqedonisë, kur të dyja skuadrat kanë rival nga Prilepi. Drita në 1/8 e finales do luajë me Pobeda Juniorin, ndërsa Renova takohet me 11 Oktomvrin.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *