Home / Sport / ‘Shkëndijë’ e frikshme goditi Rabotnickin

‘Shkëndijë’ e frikshme goditi Rabotnickin

Simfoni ‘kuqezi’, nën orkestrin e dirigjuar nga Artim Shaqiri. Kjo ndoshta është fjalia që sadopak mund të përshkruajë paraqitjen e Shkëndijës në derbin me Rabotnickin, të fituar me rezultatin e lartë 5:1 nga ‘kuqezinjtë’. Në një ndeshje ku shkëlqyen të gjithë futbollistët, dallohet kapiteni Emini me dy gola të shënuar dhe assiste në realizimet e Demirit, Ejupit dhe Pollozhanit.

Një ‘Shkëndijë’ e frikshme ka goditur ‘pesë herë’ Rabotnickin e Shkupit. ‘Kuqezinjtë’ tetovarë mundën me rezultatin e lartë 5:1 ekipin shkupjan, duke i dhënë tre pikë të reja Shkëndijës në ndeshjen më interesante të javës së pestë në Ligë e Parë të futbollit në vend. 5 000 spektatorë të tubuar në stadiumin e qytetit në Tetovë, më në fund kishin mundësi të shohin ‘shkëlqimin’ e ekipit të tyre, të cilët në tërësi demoluan kundërshtarin, duke u mbajtur falas orë mësimi të futbollit modern. Ende shkikuesit nuk ishin ulur në vendet e tyre, ndërsa Shkëndija avansoi 1:0, me golin e kapitenit Izair Eminit. Vendasit tentuan me shpejtësi të sjellin golin e dytë, mirëpo ishin miqtë që reaguan shkëlqyeshëm. Së pari Iseni del para portës tetovare, mirëpo goditja e tij ndalet në traversë, ndërsa pak më vonë, Velkovski për mrekulli kalon Berishën dhe me qetësi con topin në rrjetë për barazim të rezultatit dhe për qetësi absolute në tribuna. Miqtë i’u gëzuan golit të barazimit, pa ditur se cka i pret në vazhdim. Ndoshta ai gol hidhëroi vendasit, të cilët shumë shpejtë morën lojën në kontroll dhe sollën një performansë të paparë deri tani. Ishte minuta e 15-të kur Emini pason për Demirin, i cili kombinon dyfisht me Pollozhanin, para se të shënojë për 2:1. Në vazhdim ‘kuqezinjtë’ kishin disa raste të mira shënimi, mirëpo rezultati nuk ndryshoi deri në minutën e 40-të, kur Emini për mrekulli pasoi në hapsirë për Ejupin, i cili pasi i’u ofrua portës, me goditje të matur shënoi për 3:1. Pjesa e dytë solli dominim të skuadrës vendase, ndërsa miqtë dukeshkin ‘të humbur’ në teren. Trajneri Shaqiri në lojë inkuadroi edhe Nexhipin, Shabanin dhe Huseinin, të cilët i dhanë edhe më shumë klas lojës së ‘kuqezinjëve’. Në minutën e 58-të përsëri kapiteni Emini pason në hapsirë për Taipin, i cili kthen topin para zonës drejt Pollozhanit, ndërsa strugani me goditje precize realizoi për 4:1. Vetëm tre minuta më vonë tjetër gol në rrjetën mysafire, kur Emini për mrekulli nga brendësia e zonës plasoi në rrjetën mysafire për rezultatin përfundimtar 5:1. Në vazhdim vendasit kishin edhe shumë mundësi tjera shënimi, deri sa argëtonin publikun me lëvizje atraktive, kombinime të bukura dhe goditje nga distanca, që në të shumtën e rasteve përcilleshin me ‘ole, ole’, nga publiku. Mundësinë e fundit të ndeshjes e kishte Huseini, ‘projektili’ i të cilit nga distanca u devijua në rivënie nga këndi nga portieri mysafir. Në fund Shkëndija mori fitoren më bindëse në historinë e saj në Ligën e Parë, duke i shkaktuar njëkohësisht Rabotnickit humbjen më të lartë në elitë. Për trajnerin Shaqiri, kjo ishte fitorja e dytë në ndeshjen e tij të tretë, deri sa në mesjavë barazoi pa gola me Bregallnicën. Njëherit goli i pranuar në këtë ndeshje, ishte i pari që pranon Shkëndija nën drejtimin e trajnerit Shaqiri, i cili duket se ka kthyer atmosferën në ekip dhe drejton skuadrën në rrugën e duhur. Në derbin shqiptar të zhvilluar në Bogovinë, Renova ka mundur Dritën me rezultatin e lartë 4:1. Kuriozitet i kësaj përballeje është fakti që Renova në pushim shkoi me avantazh të lartë 3:0, ndërsa autor të golave ishin tre futbollistë të Dritës. Nafija, Mustafi dhe Kërstevski shënuan autogola, duke i lehtësuar punën skuadrës mysafire. Në pjesën e dytë Drita tentoi të kthehet, kur Tunevski shkurtoi diferencën në 1:3, mirëpo në anën tjetër Emini nga gjuajtja e lirë realizoi për 4:1. Deri në fund të ndeshjes Drita provonte të bëjë dic më tepër dhe arriti vetëm të zbusë disfatën në 2:4, me golin që shënoi Ardian Nuhiu. Në ndeshjet tjera Metalurgu fitoi 2:1 përballë Bregallnicës, ndërsa Pelisterit me rezultat 1:0 ka fituar përballë Napredokut. Vardari mundi Horizont Turnovën me rezultatin e thellë 5:1, ndërsa java e pestë kompletohet të hënën me duelin Sileksi-Teteksi.

Rezultatet e javës së pestë:
Drita-Renova 2-4,
Shkëndija-Rabotnicki 5-1,
Metalurgu-Bregallnica 2-1,
Pelisteri-Napredoku 2-0,
Vardari-Horizont T 5-1
Sileksi-Teteksi (e hënë).

Gjithashtu lexo

Shikoni çfarë ka bërë Barcelona pas sulmit terrorist (FOTO)

Klubi i Barcelonës ka reaguar pas sulmit terrorist në Barcelonë. Katalunasit e kanë bërë një …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *