Home / Sport / Shqipëria mund 3-1 Qipron

Shqipëria mund 3-1 Qipron

Kombëtarja shqiptare e futbollit i ka nisur me këmbën e mbarë eliminatoret e Botërorit 2014 duke marrë një fitore të rëndësishme 3-1 në ndeshjen e parë përballë Qipros. Falë këtij suksesi të kombinuar me rezultatet e tjera në Grupin E, kuqezinjtë e shohin veten në vendin e parë, një pozitë që duhet ta mbrojnë pas tre ditësh në fushën e vështirë të Zvicrës.

Në ndeshjen e luajtur në “Qemal Stafa” përballë rreth 10 mijë spektatorëve, kombëtarja e drejtuar nga Xhani De Biasi ka marrë iniciativën që nga minuta e parë, falë edhe një rreshtimi ofensiv ku në repartin e avancuar ishte dyshja Salihi-Sadiku. I pari humbet raste të njëpasnjëshme, ndërsa i dyti, në momentin e parë që shfaqet para porte, arrin të shënojë. Në minutën e 36-të, pas një goditje dënimi të debutuesit Meha, është pikërisht sulmuesi elbasanas që gjen golin e vanatazhit me një gjuajtje me kokë, duke entuziazmuar tifozerinë e pranishme në stadium.

Por qipriotët, inekzistentë në fushë në pjesën e parë, arrijnë të gjejnë golin e barazimit në mënyrë fatlume në shtesën para pushimit të ndeshjes. Është Laban që ekzekuton një goditje dënimi, e cila nuk devijohet nga asnjë prej mbrojtësave kuqezi dhe përfundon pas krahëve të Ujkanit, i cili sheh në mënyrë të pabesueshme se si topi përfundon në rrjetë.

Goli i pësuar në shtesën e pjesës së parë është një goditje e rëndë për kuqezinjtë që në pjesën e dytë duken të tronditur psikologjikisht. Gabimet e njëpasnjëshme të përfaqësueses shqiptare bëjnë që Qipro të marrë kontrollin e ndeshjes dhe t’i afrohet shumë golit të dytë. Më saktësisht, është Vila që për pak shënon autogol, por fatmirësisht gjuajtja e tij drejt portës tonë ndalet nga shtylla.

De Biasi provon të ndryshojë duke larguar Sadikun për të aktivizuar Hykën, por edhe kjo lëvizje sjell shumë pak të reja. Atëherë trajneri vendos të rrezikojë gjithçka në minutat e fundit, duke larguar Vilën e Salihin, për të aktivizuar Bogdanin e Çanin. Kjo lëvizje rezulton ajo e duhura pasi është i riu Çani që gjen rrugën e rrjetës pas një harkimi të Hykës në minutën e 84-t, ndërsa Bogdani shënon një supergol me një predhë nga jashtë zonës në minutën e 87-të për të vulosur fitoren 3-1 të kuqezinjve dhe golin e tij të 17-të personal me fanellën kuqezi.

Të martën, kombëtaren e De Biasit e pret një ndeshje shumë më e vështirë ndaj Zvicrës, ku më shumë se rezultati, do të jetë e rëndësishme të shihet nëse kuqezinjtë arrijnë të përmirësojnë lojën e tyre apo do të vazhdojnë të shfaqin pasiguritë që shfaqën në shumë momente gjatë sfidës me ekipin modest të Qipros.

Gjithashtu lexo

Ylli i Shkëndijës: Nuk kemi çfarë të humbasim ndaj Milanit

Ardian Cuculi ka thënë se Shkëndija do të tentojë të bëjë lojën e saj dhe …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *