Home / Lajme / Maqedoni / Vendi që ndan Sllatinën dhe Leshkën në shitje

Vendi që ndan Sllatinën dhe Leshkën në shitje

18 shtator-Hapësira në fjalë është blerë para dhjetë viteve, me plan të ndërtimit të shtëpizave, të cilat asnjëherë nuk janë ndërtuar dhe sipas ligjit, nëse për një kohë prej 2 vitesh nuk ndërtohet asgjë, atëherë ky truall kthehet në pronësi shtetërore

Trualli i vetëm që i ndan dy fshatrat, Sllatinën dhe Leshkën, në Komunën e Tearcës, sipas bashkësive vendore, është hedhur në shitje. Ata kundërshtojnë shitjen e 700 metrave katrorë, vend ky i cili i ndan këto dy fshatra. Krerët e bashkësive vendore të këtyre fshatrave janë ankuar se trualli që ndan këta dy fshatra, tashmë nuk është pronë shtetërore, por është pronë private e katër personave të cilët në vitin 1999 e kanë blerë nga shteti.
Drejtuesit e bashkësive vendore pohojnë se atëbotë shitja është bërë me plan për ndërtime të shtëpizave, ndërkohë që të njëjtat, përkundër afatit të kushtëzuar dyvjeçar për ndërtim, deri tani ato nuk janë ndërtuar. Kështu, sipas marrëveshjes së atëhershme prona është dashur të kthehet sërish te këto dy fshatra. Tani blerësit e kësaj toke atë e shesin me një çmim prej 40 eurove. Kreu i Bashkësisë vendore të fshatit, Leshkë, Ivan Atanasovski, thotë se me këtë veprim po uzurpohet vija e vetme e gjelbër mes këtyre dy fshatrave. “Toka shtetërore, e cila është blerë para dhjetë viteve, tani është në shitje. Toka është 770 metra katrorë me plan që të ndërtohen shtëpiza, por sipas ligjit të atëhershëm në fuqi, nëse për një kohë prej 2 vitesh nuk ndërtohet asgjë, atëherë toka kthehet në pronësi të shtetit. Tani këtë hapësirë dëshirojmë ta shndërrojmë në park për banorët dhe fëmijët. Këtu do të vendosim ulëse sepse ka shumë vende të këtilla”, thotë Ivan Atanasovski, nga bashkësia lokale e fshatit Leshkë. Ai thotë se ankesa për ndërhyrjen e shtetit që kjo pjesë mos shitet iu është dërguar ministrisë së transportit dhe tani presin përgjigje.
Bashkësitë vendore të këtyre fshatrave thonë se i vetmi vend i gjelbëruar mes këtyre dy vendbanimeve, tani është në shitje dhe ata do të bëjnë çmos që të pengojnë këtë. Adem Ademi, kryetar i Bashkësisë lokale të fshatit Sllatinë, thotë se një kohë të gjatë kjo tokë është në shitje. “Ne do të përdorim të gjitha mekanizmat që kjo tokë të mos u shitet personave privat. Vërtet ky vend nuk është mirëmbajtur, por është tokë e cila në të ardhmen mund të shfrytëzohet për park, për gjelbërim, për rekreacion e kështu me radhë”, thotë Ademi. Të dy fshatrat shpresojnë se do ta arrijnë qëllimin që të ndalojnë shitjen e tokës, që sipas tyre nuk i takon askujt, por mund të shfrytëzohet në interes të dy fshatrave. Për këtë rast, krahas pushtetit qendror poashtu është informuar edhe komuna e Tearcës. Sipas kryetarëve të bashkësive lokale, ata kanë marrë premtim se do të kenë përkrahje për ta parandaluar shitjen e këtij trualli.
Ndryshe, fshati Leshkë është i banuar me popullsi etnikisht të pastër maqedonase, ku sipas regjistrimit të vitit 2002 ka 440 banorë, kurse afër tij gjendet fshati Sllatinë që ka mbi pesë mijë banorë më rreth një mijë shtëpi, ku 99 për qind janë popullsi shqiptare. Pronarë të truallit në shitje janë pronarë maqedonas, kështu që dyshohet se në të kaluarën ata kanë përdorur lidhjet e tyre nëpër ministri për të blerë lirë këtë tokë, të cilën tash e shesin me 40 euro për metër katrorë. Njëri prej pronarëve në afërsi posedon edhe një pronë tjetër me rreth 800 metra katrorë tokë me të mbjella dhe tashmë të njëjtën e shet si tërësi. Për fshatrat nuk është kontestues vendi i të mbjellave, por vendi që gjenden pranë rrugës, sepse sipas kryetarëve të bashkësive lokale, ky do të jetë një shembull i keq edhe për të tjerët dhe do të hap rrugën e uzurpimeve të tokave të këtilla kudo që ato ndodhen. Reagimet kanë ardhur pas 11 viteve kur pronarët që tani jetojnë në Beograd kanë kontaktuar me banorët e këtushëm në lidhje me shitjen e kësaj toke.

Gjithashtu lexo

Starnawski përsëri zhytet në Matkë

Zhytësi i famshëm speleologjik, Krzysztof Starnawski nga Polonia, së bashku me ekip të zhytësve vendas …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *