Home / Lajme / Maqedoni / Behar Sinani, shqiptari që po synon komunën më të pasur të Brukselit

Behar Sinani, shqiptari që po synon komunën më të pasur të Brukselit

12 tetor-Behari thekson për agjencinë e lajmeve INA se ai ka vendosur t`i hyjë garës zgjedhore për të dhënë kontributin e tij në këtë komunë, por edhe për të ndikuar në planin e avancimit dhe zhvillimit të çështjes së shqiptarëve si në diasporë dhe në vendlindje.

Behar Sinani, një emër i mirënjohur në komunën e pasur Jette të Brukselit është pjesë e garës për këshillin komunal të kësaj komune.

Behari është një ndër kandidatët më të dalluar të Listës Qytetare të komunës Jette. Kjo listë qytetare që udhëhiqet nga kryetari aktual i komunës Erve Doyen ka arritur të fitojë zgjedhjet dhe të drejtoj pushtetin komunal për disa vite me radhë.

Por, kësaj radhe, 27 vjeçari me origjinë nga Luboteni i Shkupit ka arritur që të zgjidhet si personalitet i dalluar dhe kandidaturë më e pranueshme për të udhëhequr me listën për këshilltar komunal.

Behar Sinani është një personalitet i nderuar dhe i përkushtuar pas punës dhe se ai gëzon një respekt në mesin e popullësisë së kësaj komune, e cila dominohet nga belgët, por ku jeton edhe një pakicë shqiptare.

Ai po kryen me sukses punën e tij profesionale si shef i shërbimeve të sigurisë në Pallatin e Kongreseve të Brukselit.

Behar Sinani është i diplomuar në fakultetin e Elektromekanikës në Universitetin e Brukselit, ndërsa ai dallohet edhe për përkushtimin e tij në fushën e sporteve dhe arteve marciale. Përveç kësaj ai dallohet edhe me shkollimin e tij profesional në fushën e arteve marciale dhe kështu është i punësuar edhe si profesor në shkollën e Arteve Marciale CAMJ në Bruksel, e cila drejtohet nga profesori i mirënjohur i arteve marciale në mesin e shqiptarëve, Selajdin Sinani.

Behari thekson për agjencinë e lajmeve INA se ai ka vendosur t`i hyjë garës zgjedhore për të dhënë kontributin e tij në këtë komunë, por edhe për të ndikuar në planin e avancimit dhe zhvillimit të çështjes së shqiptarëve si në diasporë dhe në vendlindje.

“Unë jam pjesë e Listës qytetare e cila përfaqëson të gjithë qytetarët, të gjitha programet dhe ofertat për rininë, aspektet sociale, politike dhe ekonomike, kulturën dhe sportin. Unë kam hyrë këtu pasi që dua të tregoj se shqiptarët jemi me vlera dhe tradita evropiane dhe perëndimore. Idetë e mija kanë të bëjnë me një mentalitet të ri, i cili duhet të aplikohet edhe tek shqiptarët, e ky mentalitet është prosperimi dhe avancimi i çështjeve të rinisë, kulturës, sportit, aspekteve sociale dhe politike, pa dallime fetare, racore e etnike. Por njëkohësisht dua të tregoj dhe të lartësoj edhe çështjen tonë shqiptare. Të jem shembull se si duhet që një shqiptar të përfaqësoj në një institucion këtu në qendrën e politikës dhe integrimit në Bruksel”, thekson për INA, Behar Sinani.

Ai shpjegon se përmes zgjedhjes së tij do ti jap fuqi dhe nxitje interesave shqiptare, për ti avancuar ato dhe për të ruajtur vlerat dhe traditat tona të mirëfillta. Lista Qytetare për komunën Jette ka pranuar disa propozime të Beharit, edhe ate më shumë se 10 propozime që kanë të bëjnë me zhvillimin dhe avancimin e rinisë, sporteve dhe kulturës.

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *