Home / Lajme / Maqedoni / Berisha: Shkupi epiqendra e shqiptarëve

Berisha: Shkupi epiqendra e shqiptarëve

12 tetor-“Nuk duhet harruar se deri para vitit 1912, Shkupi ishte epiqendra e shqiptarëve. Nuk duhet të harrojmë gjithashtu, se Kuvendi i Shkupit ishte i një rëndësie të jashtëzakonshme, për t’u shkëputur nga autonomia dhe për të kaluar në tezën e pavarësisë”, deklaroi kryeministri Berisha.

Kryeministri shqiptar Sali Berisha ka theksuar se Shkupi nuk duhet harruar dhe se ai ishte epiqendra e shqiptarëve.

Këto komente kryeministri Berisha i bërë dje në mbledhjen e rregullt të Komitetit të Qeverisë për shënimin e 100 vjetorit të pavarësisë, ku u prezantuan disa nga aktivitet e pritshme në Kosovë e Maqedoni.

“Nuk duhet harruar se deri para vitit 1912, Shkupi ishte epiqendra e shqiptarëve. Nuk duhet të harrojmë gjithashtu, se Kuvendi i Shkupit ishte i një rëndësie të jashtëzakonshme, për t’u shkëputur nga autonomia dhe për të kaluar në tezën e pavarësisë”, deklaroi kryeministri Berisha.

Kryeministri shqiptar ka nënvizuar nevojën për të bërë një rivlerësim të tërësishëm të sakrificës kombëtare.

“Liria kombëtar është një dhe e pandarë. Ajo nuk mund të ndahet. Ky duhet të jetë koncepti që do na udhëheqë në nderimin dhe në vlerësimin e sakrificës shqiptare për liri, në të gjitha trojet etnike shqiptare, në të cilat, fatmirësisht, shqiptarët aty ku janë, janë shumicë etnike, janë vazhdimësi gjeografike. E theksoj edhe një herë, shqiptarët nuk kanë asnjë varr në territore në huaja. Të huajt kanë me qindra e mijëra varre në territoret shqiptare, ndërsa shqiptarët nuk kanë në territore të tjera. Ndaj është shumë e domosdoshme që të bëhet një rivlerësim tërësor, unik i sakrificës kombëtare për liri e dinjitet. Kjo është thirrja e këtij 100 vjetori”, deklaroi kryeministri Sali Berisha.

Sot zbulimi i shtatoreve në Gjakovë dhe Deçan

Kryeministri Berisha do të zhvillojë të premten, një vizitë në Gjakovë dhe në Deçan, në Kosovë. Kjo vizitë bëhet në kuadër të kremtimeve të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, organizuar në të gjitha trevat shqiptare. Kryeministri Berisha sëbashku me autoritetet më të larta të Kosovës do të jetë i pranishëm në ceremonitë e vendosjes së shtatoreve të patriotëve shqiptarë në Gjakovë dhe Deçan.

Fillimisht, Kryeministri Berisha do të ndalet në komunën e Gjakovës, ku në prani të Presidentes së Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, të Kryeministrit Berisha dhe autoritete vendore do të zhvillohet ceremonia e zbulimit të shtatores së patriotit Ali Ibra, në qendër të këtij qyteti.

Më pas, Kryeministri do të vizitojë Deçanin. Kryeministri Berisha do të nderojë kujtimin e luftëtarëve të UÇK-së në memorialin kushtuar UÇK-së, në Gllogjan, do të bëjë një vizite në familjen Haradinaj, si dhe do të vendosë buqeta me lule edhe pranë shtatoreve të heronjve Luan Haradinaj dhe Sali Çeku.

Në një ceremoni të veçantë, Kryeministri Berisha do nderohet me titullin “Qytetar Nderi” i Deçanit, dhënë nga këshilli komunal. Në këtë ceremoni do të jetë i pranishëm edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, zoti Hashim Thaçi.

Më pas, Kryeministri Berisha dhe Kryeministri Thaçi do të vazhdojnë në fshatin Isniq të Deçanit, ku do të jenë të pranishëm në ceremoninë e zbulimit të shtatores së heroit Isa Boletini.

Në këto vizita, Kryeministri Berisha do t’i drejtohet me një fjalë qytetarëve të Gjakovës dhe Deçanit, ku do të shprehë ndjenjën e krenarisë dhe përuljes, në këtë 100 vjetor të pavarësisë së Shqipërisë, para kontributit të shquar she sakrificave të të gjithë patriotëve shqiptarë, kudo, në ngjarjen më të madhe të historisë moderne shqiptare.

Shkup: Akademi solemne për Hasan Prishtinën

Në Shkup sot do të mbahet Akademia solemne për patriotin dhe ish-kryeministrin shqiptar Hasan Prishtina. Në këtë ngjarje që mbahet në “Aleksandar Palace” nën organizimin e komunës së Çairit, do të organizohet edhe një sesion shkencor me historian dhe shkrimtarë nga të gjitha viset shqiptare. Në këtë ngjarje pritet pjesëmarrja e personaliteteve publike shqiptare.

Akademia i paraprinë vendosjes së përmendores së Hasan Prishtinës në pjesën qendrore të Shkupit më 14 tetor, gjithashtu një ngjarje e organizuar nga komuna e Çairit dhe kryetari i saj Izet Mexhiti. (M.Mellova/INA)

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *