Home / Sport / De Biasi: Shqipëria nuk ka Mesi e Iniesta!

De Biasi: Shqipëria nuk ka Mesi e Iniesta!

Xhani De Biasi duket qartë se nuk po përjeton një moment shumë të lumtur në drejtimin e kombëtares shqiptare të futbollit. Humbja e paparashikuar ndaj Islandës i ka lënë dukshëm pasoja teknikut italian që është shfaqur mjaft i nervozuar në konferencën për shtyp para ndeshjes me Slloveninë, duke bërë të qartë që kritikat ndaj tij nuk ishin të drejta.

“Këto ditë kam dëgjuar deklarata nga shumë njerëz të cilët mund ta njohin lojën e futbollit, por flasin për gjëra që nuk i dinë. Unë nuk kam pse justifikohem para askujt, pasi në fund të fundit, po mundohem të bëj diçka me lojtarët që kam në dispozicion. Të gjithë, nga lojtari i fundit e deri te unë, po bëjmë maksimumin, por mos harroni kontaktin me realitetin. Nëse ka ndonjë njeri që mendon se në kombëtare kemi Mesi apo Iniesta, dua t’i kujtoj që gabohet rëndë. Shqipëria ka lojtarë të mirë, por jo yje që të bëjnë diferencën dhe të na nxjerrin nga situata në ndeshje”, ishte komenti i trajnerit italian që si rrallëherë është shfaqur shumë i nervozuar para mediave.
Duket se dy humbjet radhazi kanë bërë që trajneri italian të harrojë fjalën mrekulli, atë të kualifikimit në Botëror, dhe të mendojë për atë që duhej të ishte realisht objektivi i kësaj përfaqësueseje, sigurimi sa më parë i vendit të katërt në grup për të evituar një pozicion më të keq në renditje. Kjo gjë ndoshta ka ndikuar në përgatitjen psikologjike të sfidës përballë Islandës, siç ka pranuar edhe vetë trajneri.
“Unë e kuptoj se pas fitores së parë me Qipron, njerëzit përreth kombëtares i rrëmbeu entuziazmi, por më pas u zhgënjyen nga humbja me Zvicrën dhe Islandën. Në këtë pikë dua të sqaroj se ndaj Qipros luajtëm më keq por fituam 3-1. Por duhet të shohim para tani, mund të fitojmë ndaj çdo kundërshtari, por edhe mund të mundemi. Është e pafalshme të përfshihemi nga fantazia në këto momente”, ishin fjalët e trajnerit i cili në fakt ka qenë i pari që ka përdorur gjithmonë fjalët “ëndërr” apo “mrekulli” sa herë që prononcohej për mediat.
Nervozizmi i trajnerit është parë edhe në ultimatumin që u ka bërë lojtarëve të përfaqësueses. “Se kush do të luajë nga fillimi, do ta vendos vetëm në ditën e ndeshjes. Të gjithë lojtarët janë në analizë, të gjithë janë para një provimi. Nuk e di se çfarë ndryshimesh do të bëj, por ju garantoj që do të ketë të tilla me Slloveninë”, ishte paralajmërimi i trajnerit, një “dorashkë sfide” për futbollistët që mund të rezultojë fatale për trajnerin italian, ashtu siç i ka ndodhur çdo trajneri të përfaqësueses sa herë që është munduar të bëjë ndryshime drastike në ekip.

Gjithashtu lexo

Ylli i Shkëndijës: Nuk kemi çfarë të humbasim ndaj Milanit

Ardian Cuculi ka thënë se Shkëndija do të tentojë të bëjë lojën e saj dhe …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *