Home / Sport / Grushta në familje, Luan Krasniqi para gjyqit

Grushta në familje, Luan Krasniqi para gjyqit

Luan Krasniqi i është kthyer përsëri dhënies së grushteve, por këtë radhë nuk bëhet fjalë për boks profesionist, por për një zënkë brenda familjes së tij. Boksieri kosovar që banon në Gjermani raportohet se ka patur një zënkë me familjarët e tij, më saktësisht vëllain dhe nipin e tij, për çështje pronësie.

Sipas asaj që raportojnë mediat gjermane, ngjarja në fjalë ka ndodhur me 6 maj, kur anëtarët e familjes Krasniqi janë takuar në spitalin ku ishte shtruar nëna e boksierit kosovar e cila pritej të operohej.
Në ato momente, ka shpërthyer një zënkë e mirëfilltë mes familjes Krasniqi, ku sipas personelit të spitalit, ish-boksieri i njohur i peshave të rënda nuk ka kursyer grushtet ndaj vëllait dhe nipit të tij. Vetëm ndërhyrja e policisë ka bërë që ky sherr i shpërthyer në ambientet e spitalit të ndalej dhe palët të ndaheshin.
Fillimisht, vëllai i Luan Krasniqit dhe nipi i tij kanë ngritur padi ndaj ish-boksierit, por më pas e kanë tërhequr atë duke deklaruar para gjykatës se kishin arritur një marrëveshje paqësore. Por tani duket se ata kanë ndryshuar mendje dhe e kanë rihapur çështjen, duke kërkuar dëmshpërblim për grushtet e marra nga ish-boksieri, pasi nipi i tij kërkon 1200 euro, ndërsa vëllai i tij 2000 euro.
Kjo çështje ka dëmtuar rëndë imazhin e Luan Krasniqit, i cili është një nga personazhet më të respektuar të sportit shqiptar në botë, pasi ka qenë një përfaqësues i denjë i Shqipërisë dhe Kosovës në arenën ndërkombëtare. Por që me fillimin e këtij konflikti familjar, figura e tij ka pësuar goditje të njëpasnjëshme, pa harruar edhe problemet e mundshme me drejtësinë për akuzat e ndërsjella që ka bërë me vëllain e tij për armëmbajtje pa leje.

Gjithashtu lexo

Shikoni çfarë ka bërë Barcelona pas sulmit terrorist (FOTO)

Klubi i Barcelonës ka reaguar pas sulmit terrorist në Barcelonë. Katalunasit e kanë bërë një …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *