Home / Sport / INTERVISTË EKSKLUZIVE: ‘BUBA’ PRET MË SHUMË

INTERVISTË EKSKLUZIVE: ‘BUBA’ PRET MË SHUMË

Futbollisti tetovar Ferhan Hasani të dielën e kaluar debutoi në kampionatin Gjerman, kur trajneri i Wolfsburgut Felix Magath, vendosi që ‘Buba’-n ta aktivizojë në pjesën e dytë të takimit me Maincin në kuadër të xhiros së 6-të në Bundesligë. ‘Ëndëra’ e Hasanit u kompletua të dielën, pasi paraprakisht ai vetes i kishte vendosur disa qëllime. Së pari dëshironte titullin e kampionit me Shkëndijën dhe debutim të ‘kuqezinjëve’ në Europë. E arriti këtë duke qenë një ndër futbollistët më të mirë, ndërsa më pas vetes i vuri obligimin për të siguruar një transferim të bujshëm. Dhe në janarin e vitin 2012, Hasani zen faqet e para të gjithë gazetave, duke firmosur me Wolfburgun në Bundesligën Gjermane, një ndër 3 ligat më të forta në Evropë. Në Gjermani gjërat janë më të vështira dhe Hasani len pas 8-të muaj të vështirë, për të kurorëzuar mundin e dhënë me debutimin e tij në kampionatin Gjerman. Kur Hasani firmosi me ekipin gjerman, edhe tifozët më të mëdhenj të ekipi nuk besonin në aftësitë e tij, mirëpo paraqitja e parë përfundimisht ngjall shpresa të mëdha tek ‘ujqërit’, që besojnë Hasani të shkëlqejë në fanellën e gjelbërt. Në faqen zyrtare të Wolfsburgut tani më flitet për Hasanin, ndërsa edhe mediat gjermane tani më i japin hapsirë një yllit të ri, që pritet të shkëlqejë në Bundesligë. Për gjithë këto dhe gjëra tjera rreth jetës së Ferhan Hasanit, ‘Buba’ i zbulon intervistën ekskluzive për televizionin Alsat-M.

Alsat-M: Ferhan na përshkruani si ndjeheni pas debutimit në Bundesligë?
F. Hasani:
Normal që më në fund ndjehem i lumtur komplet, pasi këtë gjë ka kohë që po e pres. Besoni se këtu gjërat janë shumë të vështira, kam lënë pas 8-të muaj shumë të lodhshëm dhe debutimi në Bundesligë më ka bërë që të ndjehem krenar dhe i kënaqur që puna ime në fund u vlerësua.

Alsat-M: Megjithse humbët ndeshjen, paraqitja juaj ishte pozitive. A ndjetë emocione në momentet që gjendeshit në teren?
F. Hasani:
Së pari më vjen keq që dolëm të mundur nga ndeshja me Maincin, ndërsa normal i lumtur që pata shansin të luaj. Emocione… Nuk do kisha thënë se kisha, s’di! Shiko, normal që para ndeshjes kur shikon atmosferën dhe kur mendon se s’ke luajtur as një minutë të vetme në Bundesligë, është normale që ndjesh emocione, mirëpo kjo vlen vetëm para ndeshjes. Ndërkohë kur hyn në lojë gjithçka që të rrethon mbetet sekondare, ndërsa e vetmja që mendon është se si të ndihmosh skuadrën të marrë rezultatin e dëshiruar. Besoj se i’a dola mirë, megjithse gjithmonë mundet edhe më mirë. Kam marrë shumë lëvdata pas ndeshjes, ndërsa duket se ky takim ka ndryshuar shumë gjëra në lidhje me mua. Deri të dielën të paktë ishin personat që mereshin me mua, flas jashtë skuadrës. E dij se në Maqedoni më kanë ndjekur, por edhe kanë menduar se s’do kem shansin të luaj. Prej të hënën gjërat janë ndryshe. Besoni se shumë gazeta kanë vlerësuar me nota pozitive debutimin tim, shumë media tani më kanë prezantuar kush jam dhe prej nga vij, duke ditur se kur erdha te Wolfsburgu isha vetëm një futbollist i ri dhe i panjohur këtu në Gjermani. Në përgjithsi mbetem i kënaqur, por e dij se mundem edhe më shumë. Shpresoj të kem shëndet, ndërsa për gjërat tjera do luftoj me gjithë forcat e mija.

Alsat-M: Po trajnerët, ishin të kënaqur me ju?
F. Hasani:
Në mbledhjen që kishim pas ndeshjes, nuk pati shumë hapsirë për të lavdëruar individë, pasi kishim humbur takimin dhe më shumë u kritikuam për gabimet e bëra. Ndërkohë një ditë pas ndeshjes trajnerët thjesht më kanë ‘shkatëruar’ do kisha thënë, kur së bashku me Oliçin kishim seancë të stërngarkur, me theks të veçnta realizimit para portës kundërshtare.

Alsat-M: Si e vlerëson këtë periudhë të kaluar te Wolfburgu?
F. Hasani:
Thash në fillim se nuk ishte aspak e lehtë. Për mua si futbollist i ri largimi nga vendlindja ishte pak sa i vështirë, megjithse në moment të parë isha i lumtur me transferimin. Kur erdha këtu, mësova se si qëndrojnë gjërat. Profesionalizëm i lartë, shumë punë dhe përkushtim maksimal. I rrethuar me yje të futbollit që më parë kisha mundur t’i shoh vetëm në televizion. Të qëndroj në vetmi ka qenë e vështirë, posaçërisht pasi Wolfsburgu është një qytet shumë i vogël dhe ka shumë pak vende për të dalur dhe karakterstikë është se këtu ka shumë pak shqiptar, thuajse aspak. Në përgatitjet në dimër në Dubai debutova në ndeshje kontrolluese, ndërsa më vonë nuk kisha shumë hapsira për të luajtur. Këtë verë gjërat ndryshuan në të mirë, luaja në ndeshje kontrolluese, luajta kundër Bayernit nga fillimi, ndërsa kisha 60-të minuta shumë të mira kundër Manchester Cityt. Këta ndeshje më dhanë besim se duhet të vazhdoj të punoj me intenzitet edhe më të madh dhe për fat të mirë kjo dha rezultat. Së pari në kampinat isha rezervë kundër Bayernit në Munih, ndërsa ndaj Maincit debutova në Bundesligë. Në përgjithsi i kënaqur, megjithse personalisht kam punuar shumë për të qenë këtu.

Alsat-M: Si e kalon kohën e lirë?
F. Hasani:
S’kam shumë kohë të lirë, pasi shpesh kemi seanca stërvitore nga dy herë në ditë. Punojmë me intenzitet shumë të madh dhe për këtë kam nevojë për pushim, që don të thotë se kohën e shfrytëzoj për të pushuar, për të qenë i gatshëm për seancat e rradhës. Pos kësaj po tentoj sa më shumë të mësoj gjuhën gjermane. Shikoj TV, posaçërisht kur ka futboll.

Alsat-M: Ju mungon Tetova dhe Shkëndija?
F. Hasani:
Absolutisht po. Tetova për mua mbetet e pazëvendësueshme, ndërsa Shkëndija ka vend të madh në zemrën time. Megjithse tani më jam përshtatur me jetën në Gjermani, pasi në fillim kisha shumë probleme me adaptimin dhe isha më nostalgjik. Sa i përket Shkëndijës, aty filloi gjithçka për mua në aspektin sportiv dhe jam i lumtur që isha pjesë e gjeneratës së artë, që solli titullin e parë kampion në Maqedoni dhe debutim në Ligën e Kampionëve. Kjo ishte një ëndër e realizuar, transferimi në Wolfsburg ëndëra e dytë, ndërsa debutimi në Bundesligë e treta. Shpresoj të vazhdoj të përmirësohem dhe të arrij rezultate edhe më të mëdha. Shkëndijën e ndjek vazhdimisht dhe përmes internetit marr informata të vazhdueshme rreth ndodhive në klub. Më vjen mirë që gjërat tani shkojnë mirë dhe shpresoj të vazhdojnë kështu. Mos të haroj të përmend edhe tifozët e mrekullueshëm ‘Ballistët’, të cilët gjithmonë janë pas Shkëndijës dhe kuptohet kanë qenë edhe pas meje. I falemenderoj gjithmonë për këtë përkushtim dhe mbështetje.

Alsat-M: Po te kombëtarja e Maqedonisë, jeni i kënaqur që luani vazhdimisht kohëve të fundit?
F. Hasani:
Kurorëzimi i formës së mirë së çdo futbollisti është paraqitja në ekipin kombëtar. Normal që jam i kënaqur që më jepet rasti të luaj për Maqedoninë dhe tentoj që çdo minutë në teren të jap më të mirën nga vetja. Me trajnerin e ri sollëm dy paraqitje shumë të mira, megjithse morëm vetëm një pikë. Të them të drejtën kundër Kroacisë u hidhërova shumë që nuk u aktivizova, pasi ndjeja se mund të jap shumë. Në Skoci hyra që në pjesën e parë dhe trajnerët mbetën të kënaqur me kontributin tim. Tani jam grmbulluar për sfidat me Kroacinë dhe Serbinë, ku shpresoj të luaj dhe presonalisht pres rezultate pozitive.

Alsat-M: Besoni se Maqedonia mund të ketë eliminatore të suksesshme?
F. Hasani:
Pse jo?! Kemi ekip të mirë, udhëhiqemi nga kapiteni Pandev, një ndër futbollistët më të mirë në Evropë, ndërsa në kombëtare ka shumë futbollistë cilësorë që luajnë në ekipe të mira Evropiane. Nëse punohet mirë, grumbullohen gjithnjë më të mirët dhe më të përgatiturit, atëherë përse mos të besojmë në eliminatore të suksesshme?!

Alsat-M: Cka pret në të ardhmen?
F. Hasani:
Asgjë special, vetëm atë për të cilën paguhem, të luaj. Inshallah kam shëndet dhe të vazhdoj të luaj së ma shumë. Besoj që trajneri Magath të vazhdojë të më japë besim për të luajtur dhe unë këtë do tentoj t’ia kthej në mënyrën më të mirë të mundshme, me paraqitje cilësore. Nëse kjo ndodh, shpresoj të siguroj një vend në formacionin e Wolfsburgut dhe të vazhdoj progresin tim. E njëjta vlen edhe për kombëtaren, ku pres të kem hapsira për të luajtur. Fillimisht shpresoj të mundim Kroacinë dhe Serbinë.

Alsat-M: Çka do kishe shtuar për fund?
F. Hasani:
Para së gjithash shëndet për të gjithë, suksese në profesion dhe uroj që ne shqiptarët të ecim vetëm përpara dhe të ngritemi në të gjitha drejtimet. Jeta këtu në Gjermani më ka hapur sytë dhe më ka mësuar të vetëdijsohem për përgjegjësitë e mija. Pas debutimit në Bundesligë, nga ajo që është thënë në media dhe gazeta, kam kuptuar se nuk bëhet fjalë vetëm për Ferhanin. Këtu interesohen për mua, për karrierën, për klubin tim paraprak Shkëndijën, për Tetovën dhe për shqiptarët në përgjithsi. D.m.th. unë tani ndjej përgjegjësi që në një far mënyrë përveç vetes, të prezantoj suksesshëm një popull të tërë. Dhe normal, kur flitet për gjëra pozitive, unë jam krenar që kontriboi për të nxjerë faqen e bardhë kombit tim. Për këtë arsye dua të shfrytëzoj këtë intervistë për të falemenderaur gjithë ata që më kanë mbështetur gjatë gjithë kohës, në momente të mira dhe të këqija. Uroj çdo të mirë të gjithë teleshikuesve dhe vizitorëve të web-faqes së televizionit Alsat-M, Shkëndijës i uroj të vazhdoj të fitojë dhe të stoliset përsëri me titullin e kampionit, për të kënaqur tifozerinë e mrekullueshme dhe ‘Ballistët’. Juve personalisht dhe televizionit Alsat-M ju falemederoj përzemërsisht që gjithmonë na mbështetni, jo vetëm mua, por të gjithë sportistët shqiptarë dhe sukseset tona i pasqyroni para publikut. Uroj të vazhdoni me punë të mbarë dhe do Zoti suksese sa më të madhë në të ardhmen.

Intervistën e realizoi Faton Zylbehari, Alsat-M.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *