Home / Lajme / Maqedoni / Një delegacion i OSBE-së viziton USHT-në

Një delegacion i OSBE-së viziton USHT-në

17 tetor-Kështu, presidenti i Këshillit të Magna Charta Observatory, Prof. Dr. Ystyn Ergyder, e siguroi Rektorin Ameti se do ta mbështes fuqishëm USHT-në drejt implementimit me sukses të reformave të Bolonjës, të cilat paraqesin një garancë për një arsimim cilësor.

Në ambientet e Rektoratit të USHT-së, sot për një vizitë zyrtare qëndroi delegacioni i OSBE-së, i përbërë nga Erik Manton, Koordinator i Zyrës së misionit në Serbi dhe Ulrike Shmit, Koordinatore e Zyrës së misionit në Maqedoni.

Delegacioni i misionit të OSBE-së, siç njofton Zyra për informim pranë USHT-së, u mirëprit nga Rektori i USHT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti, Prorektori për marrëdhënie ndërkombëtare, Prof. Dr. Arbër Çeliku dhe Prorektori për financa, Prof. Dr. Serafim Tomovski.

Pasi që Erik Manton, në vija të shkurtra e elaboroi qëllimin e vizitës së tij, e cila konsistonte në përforcimin e bashkëpunimit me USHT-në, sa i përket funksionimit të Fakultetit ekonomik, të porsa themeluar në Bujanoc, i cili është pjesë integrale e Fakultetit ekonomik të Universitetit të Novi Sadit, me seli në Suboticë, Rektori Ameti, fillimisht e njoftoi koordinatorin e OSBE për rajonin e Serbisë, Manton për zhvillimet e fundit progresive në Universitetin Shtetëror të Tetovës, duke filluar me dhënien e diplomave të studentëve të ciklit të parë dhe të dytë të studimeve, ndërkombëtarizimin e USHT-së, organizimin e katër konferencave ndërkombëtare shkencore, procesin e evaluimit të brendshëm të stafit të profesorëve dhe bashkëpunëtorëve, mbarëvajtjen e procesit arsimor, i cili zhvillohet pa pengesa dhe me kapacitete të plota, si dhe së fundi, edhe për inaugurimin e djeshëm të godinës universitare në qytetin e Kumanovës.

Gjithashtu, Rektori i USHT-së e falënderoi Mantonin për angazhimin e misionit të OSBE në Serbi, në disperzimin e Fakultetit ekonomik të Suboticës në Bujanoc, i cili do të ndikojë dukshëm në emancipimin dhe arsimimin e popullatës së Luginës së Preshevës dhe në ngritjen e urave të bashkëpunimit ndërkomunitar dhe ndërkulturor në jug të Serbisë, sidomos në sferën e ekonomisë dhe biznesit.

Më tej, Ameti shprehu optimizmin e tij për funksionimin e këtij fakulteti dhe ofroi mbështetjen maksimale kadrovike dhe institucionale të Universitetit Shtetëror të Tetovës, por njëherit, ai kërkoi nga faktori ndërkombëtar, që në këtë fakultet të rritet numri i përgjithshëm i lëndëve, që zhvillohen në gjuhën shqipe si dhe të shtohet numri i kuadrit akademik nga rajoni i Preshevës, që ky fakultet të ngritet në një qendër të rëndësishme arsimore-shkencore për mbarë rajonin e Serbisë Jugore.

Në perspektivë, Rektori i USHT-së propozoi që të hapet edhe Fakulteti i mësuesisë në Bujanoc, i cili do të ndikojë dukshëm në rritjen e infrastrukturës arsimore dhe në konsolidimin me mësues të shkollave fillore dhe të mesme në rajonin e Luginës së Preshevës. Ai i siguroi përfaqësuesit e OSBE-së, se Universiteti Shtetëror i Tetovës do ta japë përkrahjen maksimale të këtyre objektivave arsimore, në të mirë të mbarë popullatës së Luginës së Preshevës dhe me gjerë.

Rektori i USHT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti dhe prorektori për marrëdhënie ndërkombëtare, Prof. Dr. Arbër Çeliku morën pjesë në konferencën XXIV të Magna Charta Observatory, e cila u mbajt në qytetin më të vjetër universitar evropian, në Bolonjë të Italisë më datë 21 dhe 22 shtator.

Në këtë konferencë morën pjesë mbi 100 rektorë, prorektorë, profesorë dhe ekspertë të arsimit nga Evropa, SHBA, Azia dhe Afrika, të cilët diskutuan për sfidat dhe problemet, për përparësitë dhe dobësitë, me të cilat përballet sot arsimi i lartë anembanë rruzullit. Në fokus të debatit të kësaj konference ishte edhe procesi i reformimit të arsimit të lartë, liria akademike, autonomia universitare, si dhe bashkëpunimi i ngushtë i universiteteve me sektorin publik dhe atë privat.

Gjatë kësaj konference vjetore të Magna Charta Observatory, Rektori Ahmeti dhe Prorektori Çeliku realizuan edhe shumë takime të frytshme, që do të jenë dëshmi për sukseset e USHT-së drejt reformimit dhe ndërkombëtarizimit.

Kështu, presidenti i Këshillit të Magna Charta Observatory, Prof. Dr. Ystyn Ergyder, e siguroi Rektorin Ameti se do ta mbështes fuqishëm USHT-në drejt implementimit me sukses të reformave të Bolonjës, të cilat paraqesin një garancë për një arsimim cilësor.

Lesli Uilson, sekretare e përgjithshme e EUA-së (Asociacioni i Universiteteve Evropiane), shfaqi interesim për ndryshimet e fundit në udhëheqësinë e USHT-së dhe inkurajoi Ametin dhe Çelikun, që ata të angazhohen maksimalisht në ngritjen e cilësisë akademike dhe shkencore në USHT, me qëllim që Universiteti Shtetëror i Tetovës në mënyrë dinjitoze të jetë pjesë e Asocioacionit të Universiteteve Evropiane. Ajo, gjithashtu shprehu gatishmërinë që së shpejti ta vizitojë USHT-në dhe ta ndihmojë atë në procesin e reformimit dhe ndërkombëtarizimit. Të njëjtin efekt e pati edhe takimi me sekretaren e përgjithshme të Magna Charta Observatory, Ana Glas, e cila shprehu kënaqësinë që USHT-ja merr pjesë aktive në konferencën vjetore të Bolonjës dhe ofroi ndihmesën e saj të pakursyer për USHT-në, sa i përket implementimit të reformave të Bolonjës.

Vlen të theksohet, se gjatë kësaj konference, delegacioni i USHT-së realizoi edhe shumë takime me rektorë dhe prorektorë të universiteteve prestigjioze rajonale dhe evropiane, si me rektorin e Universitetit të Bolonjës, Prof. Dr. Ivano Dionixhi, rektorin e Universitetit të Zagrebit, Prof. Dr. Aleksa Bjelis, me prorektorin e Universitetit të Mainz-it, Prof. Dr. Ulrih Foersterman, dhe shumë të tjerë, me të cilët u diskutuan mënyrat e ndryshme të bashkëpunimit ndëruniversitar, në kuadër të programit ERASMUS apo të projekteve të përbashkëta, që mund t’i inicojnë vetë universitetet.

Vërejtje:Çdo tekst i huazuar nga kjo ueb faqe duhet të citohet ose të shënohet komplet adresa e ueb faqes. Në të kundërtën do të meren masa ligjore ndaj atyre që marrin lajme nga kjo ueb faqe dhe nuk e tregojnë burimin

Gjithashtu lexo

Armata e Maqedonisë shënon 25 vjetorin e formimit të saj

Armata e Republikës së Maqedonisë sot shënon 25 vjet nga formimi i saj. Solemniteti qendror është …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *