Home / Lajme / Maqedoni / REAGIM I RDK-SË NE LIDHJE ME VDEKJEN E IBRAHIM SULEJMANIT

REAGIM I RDK-SË NE LIDHJE ME VDEKJEN E IBRAHIM SULEJMANIT

4 tetir-RDK shpreh dyshimin për rrethanat e vdekjes së Ibrahim Sulejmanit dhe kërkon kryerjen e obduksionit nga ekspertë të huaj, meqë mundësitë e shkaktimit të vrasjeve që duken vdekje të natyrshme, sot janë të shumta dhe nuk mund të zbardhen pa ekspertizë profesionale dhe objektive.

Rilindja Demokratike Kombëtare është thellësisht e tronditur nga vdekja e djeshme misterioze e ish-luftëtarit të UÇK-së, Ibrahim Sulejmani, dhe i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së të ndjerit, për humbjen e djalit të tyre.

RDK konsideron se rrethanat e vdekjes së ish-luftëtarit të UÇK-së e vënë në pikëpyetje versionin zyrtar se gjoja i ndjeri ka ndërruar jetë nga shkaqe natyrore. Aq më e dyshimtë bëhet vdekja e Ibrahim Sulejmanit kur dihet se kjo ngjarje përbën vazhdimësi të përsëritur të vdekjeve, vetëvrasjeve dhe vrasjeve të pasqaruara deri tani të një numri të ish-luftëtarësh të UÇK-së. Një vdekje e tillë e papritur e një personi në moshë të re dhe pa problem shëndetësore, pjesëmarrës aktiv i luftës së vitit 2001, ngre dyshime që nuk mund të kalohen vetëm me deklaratë rutinë të zyrtarëve përgjegjës dhe me obduksione formale. Sot janë të shumta mundësitë e shkaktimit të vrasjeve që duken vdekje të natyrshme, të cilat nuk mund të zbardhen pa një ekspertizë profesionale dhe të pavarur.

Kjo vdekje që pason një varg vdekjesh të tjera është dëshmia më e mirë për gënjeshtrën e madhe të partisë shqiptare në pushtet, për gjoja një realitet, të ri të krijuar pas vitit 2001. Përrallat se as ligji për stërpikjen e mushkonjave nuk mund të miratohet pa pëlqimin e partisë shqiptare në pushtet po shoqërohen me realitetin e vdekjeve të çuditshme të djemve të rinj, të cilat partia në pushtet po i hesht dhe po i kalon thua se të ishin vdekje mushkonjash. Heshtja për ekzekutimin në pritë të Harun Aliut, mosqarimi i vrasjeve të komandantëve të UÇK-së – si ajo e Nuri Mazarit – dhe vdekjet misterioze nëpër burgje të ish-luftëtarëve të UÇK-së janë dëshmi bindëse se realiteti i ri i krijuar pas vitit 2001, nënkupton krijimin e një kaste të korruptuar pushtetarësh shqiptarë, të cilët shërbejnë vetëm si mbulesë dhe dekor për të gjitha pësimet dhe padrejtësitë e shqiptarëve.

Dërgimi i ish-luftëtarit shqiptar, Ibrahim Sulejmani, për të vuajtur dënimin e tij në një qytet joshqiptar dhe largimi nga Gostivari i policit vrasës të të dy të rinjve, me qëllim mbrojtjen e tij, tregon për kutin e dyfishtë të pushtetit shtetëror në Maqedoni, duke mbrojtur vrasës të shqiptarëve dhe duke lënë të pambrojtur shqiptarë, tashmë të ndjerë.

RDK vlerëson se vdekja e dyshimtë e Ibrahim Sulejmanit, edhe një vit pas miratimit të amnistisë dhe në kohën kur Ministri i drejtësisë është shqiptar, është dëshmia më e mirë për inferioritetin dhe mjerimin e përfaqësuesve shqiptarë në pushtetin e Maqedonisë dhe tregues se ligji i amnistisë vlen vetëm një grup të vogël shqiptarësh, pjesëmarrës në pushtet, të cilët tashmë e kanë deklaruar se, në këtë mandat, nuk kanë patur interesim të zgjidhin ndonjë çështje tjetër me rëndësi për shqiptarët, pos amnistisë për vetveten.

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *