Home / Lajme / Maqedoni / Tearca i plotëson kushtet për zonë industriale

Tearca i plotëson kushtet për zonë industriale

19 tetor-Komuna ka tokë ndërtimore e cila është e përshtatshme për zonë industriale me sipërfaqe prej katër hektarëve që gjendet në mes fshatrave Dobrosht dhe Gllogjë

Urim HASIPI

Rajoni i komunës së Tearcës ka rreth 4 hektarë tokë shtetërore, e cila në të ardhmen do të mund të shfrytëzohet për zonë industriale. Edhe pse kjo nuk është një hapësirë e madhe për zonë të lirë ekonomike, megjithatë në komunën e Tearcës insistojnë se toka që gjendet mes fshatit Dobrosht dhe Gllogjë i plotëson kushtet për zonë industriale. Së pari herë zona Industriale është përmendur nga vetë kryeministri Nikolla Gruevski gjatë një vizite që bëri para tre vitesh në fshatrat e komunës së Tearcës. Megjithatë, që nga atëherë e deri më sot nuk është bërë asnjë lëvizje pozitive në këtë drejtim.

Kryetari i Komunës së Tearcës Isen Asani shprehet se në territorin e kësaj komune ka tokë shtetërore ku janë kryer matjet gjeodezike, dhe e njëjta mund të përdoret si zonë industriale. Ky propozim tashmë është dërguar në qendrën për zhvillim të barabartë të rajonit planifikues të Pollogut. “Komuna ka tokë ndërtimore e cila është e përshtatshme për zonë industriale me sipërfaqe prej katër hektarëve që gjendet në mes fshatrave Dobrosht dhe Gllogjë. Deri te ky vend është hapur një rrugë, e cila e lidh këtë zonë në mënyrë të drejtpërdrejt me rrugën rajonale Tetovë-Jazhincë, pasi që kërkohet edhe infrastrukturë për një zonë të tillë. Komuna e Tearcës është realizues dhe financues i këtij projekti dhe propozimi është dërguar në qendrën rajonale për zhvillim të Pollogut, ku i njëjti ka kaluar, ndërsa tani janë kryer edhe matjet gjeodezike edhe për tërë fshatin Dobrosht, pasi që kjo zonë i takon këtij fshati dhe së shpejti do të nxirret anketim publik për vërejtje eventuale”, tha Asani. Sipas tij, në fillim të vitit të ardhshëm do të kryhen procedurat juridike dhe më pas kompanitë e interesuara mund të investojnë, ndërkohë që deri më tash nuk ka pasur pengesa ligjore.

Nga ana tjetër, qeveria pohon se hapja e zonave të lira ekonomike mbetet prioritet për zhvillimin ekonomik të vendit dhe tërheqjes së investitorëve të huaj. “Në këtë drejtim, me vendim të Qeverisë përpos asaj në Shkup dhe në disa qytete tjera, zona ekonomike janë hapur edhe në Tetovë, Strugë dhe Kërçovë”, thotë zëdhënësi i qeverisë Muhamet Hoxha. Me këtë rast, ai thekson se sa i përket Tetovës dhe rrethinës, pritet që zona e lirë ekonomike në këtë qytetet së shpejti të lulëzoj për shkak se pritet të përfundojnë procedurat dhe të zgjidhet kompania e huaj që do të menaxhon me këtë zonë. “Zona industriale e Tetovës është sipas modelit partneritet privato-publik dhe në këtë drejtim, do të vazhdojmë do të themelojmë zonë ekonomike atje ku ka nevojë si dhe interesim për të investuar nga ana e kompanive të huaj. Sa i takon zonave industriale, komunat duhet vetë të ngrenë iniciativa dhe qeveria pastaj të jep pëlqim si dhe të ndihmon në themelimin e tyre me të vetmin qëllim tërheqjen e investitorëve të huaj, zvogëlimin e papunësisë që është në të mirë të gjithë banorëve ”, thotë Hoxha.

Nga komuna e Tearcës theksojnë se të gjitha planet urbanistike të cilët miratohen përgjatë rrugës Tetovë-Jazhincë,e që kalon nëpër Tearcë, llogariten si zona industriale për ndërtim, por në anën tjetër ato janë tokë private të individëve. Gjatë një vizite që kryeministri Nikolla Gruevski i bëri Tearcës, në mes tjerash pat deklaruar se me autoritetet e komunës së Tearcës është biseduar edhe për zonën industriale në Tearcë dhe se janë duke u bërë përgatitje për tokën, e cila sipas informacioneve mund të jetë shtetërore. Zonat ekonomike në Maqedoni, kohëve të fundit po themelohen në shumë qytete, ndërsa në rajonin e Pollogut, deri më tash ekziston ajo e Tetovës edhe atë vetëm në letër.

Gjithashtu lexo

Vetëndizet vetura e mërgimtarit – (VIDEO)

Të shtunën mbrëma në dalje të fshati Zherovjan për në fshatin Radiovcë, është vetë-ndezur në …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *