Home / Sport / Zonja e Vjetër nuk fal

Zonja e Vjetër nuk fal

Kryendeshja e javës së tetë në Serie A i takon Juventusit. Bianconerët kanë shënuar fitore prej 2-0 përballë rivalit kryesor për titullin e Serie A, Napoli.

Skuadrat zhvilluan një gjysmë të parë të barabartë, në të cilën ishin mjaft të kujdesshme për të mos pranuar gol, kështu që ishte faza defensive ajo që u tregua më e fortë në këtë gjysmëlojë.

Nga rastet për të shënuar përmendim goditjen e shtyllës nga Edinson Cavani nga gjuajtja e lirë dhe një top i dërguar mbi portë nga Claudio Marchisio.

Edhe gjysma e dytë e takimit zhvillohej me periudha – herë dominonte njëra e herë skuadra tjetër – megjithatë ekipi vendas ishte më i rrezikshëm përpara portës.

Përmendim një gjuajtje të lirë të Andrea Pirlos, një rast të mirë të krijuar për Giovincon dhe një dështim të Alessandro Matrit përpara portës pas pasimit “si me dorë” të Pirlos.

Ndërhyrja e stafit trajnues të bardhezinjve u tregua mjaft efikase, pasi dy nga tre lojtarët e inkuadruar në gjysmën e dytë shënuan.

Një krosim nga këndi të mjeshtrit Pirlo e priti me kokë Martin Caceres për ta ndezur atmosferën në Juventus Stadium (80’).

Vetëm dy minuta më pas, Paul Pogba goditi me vole për të shuar çdo shpresë të mysafirëve për të nxjerrë një pikë nga ky takim (82’).

Pas xhiros së tetë, Juventusi mbetet skuadra e vetme pa humbje këtë edicion në Serie A (ndërsa kujtojmë se gjithë sezonin e kaluar e kaloi pa humbje). Bianconerët shkëputen në krye me 22 pikë, tri më shumë se Napoli.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *