Home / Lajme / Rajon / Bashkëluftëtarët kërkojnë lirimin e Limajt

Bashkëluftëtarët kërkojnë lirimin e Limajt

Ish-luftëtarët e Brigadës 121 “Kumanova” të UÇK-së kanë reaguar lidhur me shqiptimin e masës së paraburgimit për Fatmir Limajn dhe tre bashkëluftëtarët e tjerë, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të tyre.

Prishtinë 25 Nëntor – “Ne, bashkëluftëtarët e Fatmir Limajt, Nexhmi Krasniqit, Naser Shalës dhe Naser Krasniqit jemi tepër të indinjuar me rastin në fjalë, ngaqë kemi të bëjmë me shkelje flagrante të drejtësisë, në veçanti të drejtave të njeriut, të cilët u futën brenda në mënyrën më mashtruese të mundshme. Bashkëluftëtarët tanë janë të pafajshëm, pafajësinë e tyre e ka vërtetuar gjykimi fer i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë në maj të këtij viti, me shpalljen e vendimit lirues nga të gjitha akuzat, kështu që asnjëherë nuk mund të pajtohemi me vendimin e Gjykatës Supreme që këtë rast ta kthejë në rigjykim”, thuhet në reagimin e ish-Komandës së Brigadës 121 “Kumanova”.

Në reagim më tej thuhet se “tendencat e vazhdueshme të prokurorit Salustro, që me çdo kusht bashkëluftëtarët tanë t’i fusë në burg, edhe pse argumentet kanë treguar të kundërtën në maj të këtij viti, mirëfilli dhe ashiqare shihet se kemi të bëjmë me ndërhyrjet politike në drejtësi”.
“Veprimet tepër të nxituara për ta kthyer lëndën në Gjykatën Supreme brenda javës, arrestimet dhe shqiptimi i masës së paraburgimit për këtë rast lënë dyshime të mëdha në drejtësi ngaqë deri më tani nuk kemi asnjë rast të tillë të njohur në praktikat e drejtësisë. Këto veprime të drejtësisë lënë për të kuptuar se liria e qytetarëve të Kosovës, në veçanti e ushtarëve të UÇK-së, është e pasigurt. Andaj kërkojmë me ngulm që masa e paraburgimit të hiqet menjëherë”, thuhet ndër të tjera në reagim.

“Ne tani nuk mund të besojmë në këtë drejtësi, sepse ka kaluar në ndjekje politike dhe kjo na kujton të kaluarën e regjimit serb. Prandaj, bëjmë thirrje publike që për shkeljen e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë të deklarohen aktorët kryesorë të vendit: Presidentja, kryetari i Kuvendit, kryeministri, ministri i Drejtësisë, kryeprokurori i Shtetit, kryetari i Gjykatës Kushtetuese dhe kryetari i Gjykatës Supreme, të cilët kanë përgjegjësi institucionale dhe politike para qytetarëve të vendit”, përfundon reagimi i ish-Komandës së Brigadës 121 “Kumanova”.

Gjithashtu lexo

Vdes ish-kryeministri Bajram Rexhepi – (VIDEO)

Ish- kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi ka ndërruar jetë pas një sëmundje për të cilën …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *