Home / Sport / ‘Derbi’ i dobët i takoi Shkëndijës

‘Derbi’ i dobët i takoi Shkëndijës

Shkëndija e ‘dobët’ mundi Metalurgun ‘katastrofal’ në derbin e javës së 14-të në Ligën e Parë të futbollit në Maqedoni. Horizonti është lider i ri pas fitores 2:0 ndaj Renovës dhe barazimit 0:0 të Teteksit me Vardarin. Drita kthehet me një pikë nga Kërçova edhe pse avansonte 1:0 deri pak para fundit.

Shkëndija kthehet me tre pikë të mëdha nga Shkupi, pasi fitoi 1:0 Metalurgun në derbin e javës së 14-të në Ligën e Parë të futbollit në vend, me një gol të vetëm të Nderim Nexhipit nga pika e bardhë. Dueli i cilësuar si derbi i javës, solli futboll katastrofal, lojë nervash, shanse të humbura, penalti, kartona të kuq dhe gjithçka që karakterizon këtë lojë, mirëpo vetëm jo derbi në plotëkuptimin e fjalës. Arsyeja? Metalurgu i dobët, kaotik dhe pa ide, i paqartë në atë që dëshiron. Shkëndija? Dobët, katastrofale, mungesë angazhimi në momente të caktuar nga futbollistë të caktuar. Fitorja është vetëm për arsye se Metalurgu ishte për një nuansë më i dobët dhe më i padisiplinuar, pasi që dy kapitenët Krstev dhe Mitrov u ndëshkuan me kartonë të kuq. Sa i përket ndeshjes, Shkëndija ‘mungoi’ në 30-të minutat e parë, kur vendasit tentonin të dominojnë, ndërsa fituan një penalti të dyshimtë, kur dukej se kishte ndërhyrje ndaj Rexhepit, ndërsa arbitri dha goditje nga pika e bardhë për Metalurgun. Maznov mori përgjegjësinë për të gjuajtur dhe këtë e bëri aq dobët, sa që nuk arriti të gjejë as kuadrantin e portës. Ndoshta të frymëzuar nga penaltia e humbur e kundërshtarit, Shkëndija filloi të sulmoi dhe pak para fundit të pjesës së parë fituan 11-të metërsh, pas lojës me dorë të Dragoviqit në gjashtëmbëdhjetëmetërshin e vendasve. Nderim Nexhipi i tregoi Maznovit se si goditet penaltia dhe shënoi për epërsi 1:0 të Shkëndijës. Pjesa e dytë më shumë ngjante në komedi, se sa në një ndeshje derbi. Vendasit tentonin të rrikthehen në lojë, por ndërprerjet ishin të vetmet mënyra për të rrezikuar, ndërsa nga pamundësia për të bërë diç më tepër, shkaktonin shumë faule të rrezikshme, si rezultat i të cilave ndëshkoheshin me kartona të verdhë, madje disa futbollistë nga dy, duke dalë nga loja me të kuq dy kapitenët, së pari Krstev, ndërsa më vonë edhe Mitrov. Me 9-të futbollistë në fushë Metalurgu ishte skuadra që dominonte, ndërsa Shkëndija kishte ‘koridor’ të hapur për kundërsulme, por futbollistët ‘kuqezi’ u treguan ‘mjeshtër’ të vërtetë për tu turpëruar në momente kur duhej të fundosin kundërshtarin. ‘Një milion’ shanse për të fundosur Metalurgun kishin futbollistët tetovarë, por pa mundur të gjejnë rrjetën, gabonin raste të pastërta, pasime fëmijërore, pozicione jashtëloje dhe lojë nervash me publikun që kishte udhëtuar nga Tetova për t’i mbështetur ata. E vetmja gjë pozitive ishte fakti që Metalurgu nuk arriti të ndëshkojë këtë lojë dhe në fund takimi u mbyll me fitore 1:0 të Shkëndijës. “Fitorja dhe tre pikët mbesin të rëndësishme, ndërsa loja len shumë për të dëshiruar. Nisëm mirë ndeshjen, por kundërshtari mori një penalti që për fat të mirë nuk e shfrytëzoi. Në anën tjetër ne sikur na motivoi kjo humbje dhe për fat të mirë arritëm të shënojmë nga pika e bardhë. Në vazhdim luajtëm dobët edhe pse kishim dy futbollistë më shumë, por thash se mbetet fitorja e rëndësishme. Gabimet nga kjo sfidë, por edhe nga takimi me Horizontin do t’i analizojmë në ditët në vijim dhe do të tentojmë që t’i eliminojmë nga loja jonë”, deklaroi pas ndeshjes me Metalurgun, trajneri i Shkëndijës, Artim Shaqiri. Horizont Turnova ka mundur 2:0 Renovën dhe është rrikthyer në pozitën e liderit, duke shfrytëzuar barazimin pa gola të Vardarit në fushë të Teteksit. Drita barazoi 1:1 në transfertën me Napredokun edhe pse bogovinasit avansonin deri pak para fundit. Një gol i Genc Isenit i ka mjaftuar Rabotniçkit që të marrë fitoren përballë Sileksit, ndërsa Bregallnica minimalisht 1:0 ka mundur Pelisterin.

Rezultatet:
Horizonti-Renova 2-0
Metalurgu-Shkëndija 0-1
Bregallnica-Pelisteri 1-0
Napredoku-Drita 1-1
Rabotniçki- Sileksi 1-0
Teteksi-Vardari 0-0.

Renditja: Horizonti 29, Vardari 28, Shkëndija 27, Metalurgu 23, Napredoku 23, Drita 20, Bregallnica 20, Renova 17, Rabotnicki 14, Pelisteri 12, Sileksi 12, Teteksi 6 pikë.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *