Home / Sport / Mesi, Ronaldo dhe Iniesta për “Topin e Artë”

Mesi, Ronaldo dhe Iniesta për “Topin e Artë”

Lionel Mesi, Andres Iniesta dhe Kristiano Ronaldo janë 3 kandidatët e mbetur për fitoren e trofeut të “Topit të Artë” për vitin 2012., siç u shpall sot nga FIFA që bëri të ditur emrat e tre futbollistëve të kampionatit spanjoll. Pak a shumë, kandidatura e këtyre tre futbollistëve pritej, pasi ata kanë qenë vendimtarë me klubin apo kombëtaren gjatë vitit 2012.

Lionel Mesi ka fituar vetëm Kupën e Mbretit me Barcelonën në vitin 2012, por ka arritur të shënojë shifrën e pabesueshme të 82 golave që nga janari, vetëm 3 gola më pak se rekordi që mbahet nga Gerd Myler. Argjentinasi mund të bëhet i pari që fiton 4 herë trofeun më të rëndësishëm individual për futbollistë.
Kristiano Ronaldo, ka qenë lojtari kryesor i Real Madrid në edicionin e kaluar, duke ndihmuar këtë skuadër të fitojë titullin në Spanjë, falë 46 golave të tij. Një arritje tjetër është edhe shkuarja deri në gjysmëfinalet e Euro 2012 me Portugalinë.
Ndërkohë, Andres Iniesta ka fituar po ashtu si Mesi vetëm Kupën e Mbretit me Barcelonën, por u shpall “Lojtari më i vlefshëm” i Euro 2012, të cilën e fitoi me kombëtaren e Spanjës. Ai arriti të merrte çmimin “Lojtari i Vitit UEFA” duke mundur pikërisht Mesin e Ronaldon.
Braziliania Marta dhe amerikanet Ebi Uambah e Aleks Morgan janë konkurrentet për “Topin e Artë” në futbollin e femrave.
Në kategorinë e “Trajnerit të Vitit”, trofeu do të diskutohet mes Visente Del Boske, Zhoze Murinjo dhe Pep Guardiola, me dy të parët që duken më të favorizuar falë arritjeve të tyre në vitin 2012.
Bruno Bini, Norio Sasaki dhe Pia Sandhexh është treshja e trajnerëve që konkurrojnë për trofeun “Trajneri i Vitit” në futbollin femrave.
Ndërkohë, janë përcaktuar edhe tre finalistët e trofeut “Pushkash” për golin më të bukur të vitit dhe ata janë Radamel Falkao, Neimar dhe Miroslav Stoh.
Të gjithë fituesit e këtyre trofeve do të bëhen të ditur me 7 janar, në mbrëmjen gala të organizuar në Zyrih.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *