Home / Lajme / Rajon / Mijëra shqiptarë nga trevat në Tiranë për 28 Nëntorin

Mijëra shqiptarë nga trevat në Tiranë për 28 Nëntorin

Qytetarët e Kosovës e shqiptarët e Maqedonisë pritet të bëjnë marshimin më të madh drejt kryeqytetit

Kur kanë mbetur më pak se 3 ditë nga përvjetori i 100 i Shqipërisë së pavarur, qindra e mijëra qytetarë të Kosovës, por edhe trevave të tjera shqiptare do t’i bashkohen festës në Tiranë. Qytetarët e Kosovës pritet të bëjnë marshimin më të madh drejt Tiranës më 28 Nëntor, pasi grupe të rinjsh nga Gjakova, Gjilani, Prishtina etj., kanë filluar prej pak ditësh përgatitjet. Dyndjes së mijëra shqiptarëve nga diaspora pritet t’i bashkohen edhe të rinjtë e të gjitha qyteteve shqiptare, duke mbipopulluar si asnjëherë tjetër kryeqendrën e shqiptarëve, Tiranën. Hotelet në kryeqytet pothuajse janë prenotuar të gjitha, pasi kërkesat nga shqiptarët jashtë kufijve kanë qenë tepër të larta. Por të rinjtë nga Kosova kanë gjetur një zgjidhje krejt origjinale për të qenë në Tiranë më 28 nëntor, kështu studentët kosovarë që studiojnë në universitetet shqiptare në bashkëpunim me grupe studentësh shqiptarë kanë marrë përsipër akomodimet në shtëpitë e tyre, ndërsa vendet e prenotuara nëpër hotelet e Tiranës do të shfrytëzohen nga të rejat nga Kosova dhe trevat shqiptare që do të bëhen pjesë e festës. Pothuajse të gjitha detajet janë përgatitur falë një bashkëpunimi model midis studentëve nga Shqipëria dhe studentëve nga trevat shqiptare, të cilët do të jenë mysafirët më vitalë të 28 Nëntorit. Gjithashtu, të rinjtë kanë marrë masat edhe për të qenë në qytetin e Vlorës në orët e para të mëngjesit për të parë ceremoninë e ngritjes së flamurit. Pas qëndrimit në Vlorë për 3-4 orë të gjithë studentët të organizuar me furgonët dhe autobusat e linjës do të kthehen në Tiranë për të vijuar festën. Për këtë arsye, administratorët e autobusave të transportit kanë reduktuar numrin e tyre nëpër qytete të tjera, duke ia shtuar linjës Tiranë-Vlorë. Po kështu, në mungesë të mjeteve të transportit, një pjesë e mirë e mysafirëve kosovarë pritet të mbërrijnë të hënën dhe të martën.

Agjencitë

Agjencitë e udhëtimeve Shqipëri-Kosovë kanë marrë masa për përballimin e fluksit të udhëtarëve deri më 28 nëntor. Kështu, shumë prej agjencive kanë shtuar autobusët dhe oraret drejt Shqipërisë, duke i pakësuar në linjat e tjera. “Ne kemi linjën me Kroacinë që e kemi zhvendosur Tiranë-Prishtinë falë kërkesave të mëdha për bileta. Po ashtu, kemi vendosur shtimin e orareve, për udhëtarët nga Kosova dhe Maqedonia”, tha drejtuesja e një prej agjencive që mundëson udhëtimin me autobus në disa shtete nga Shqipëria. Në mungesë të linjave direkte Shqipëri-Kosovë, studentët kosovarë kanë prenotuar edhe furgonët e linjës Tiranë-Kukës, të cilët kanë pasur një kërkesë në rritje për udhëtimin drejt Tiranës nga data 26 deri në 28 nëntor.

Aktivitetet në kryeqytet

Ngjarjet, koncertet, manifestimet, shtatoret dhe shumë vepra të tjera të rëndësishme me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë do të sjellin një atmosferë festive për shqiptarët e të gjitha trojeve, në forma e mënyra të ndryshme.

Data 26 nëntor

Në datën 26 nëntor do të përkujtohet 100-vjetori i ngritjes së flamurit në Tiranë, me përjetimin e simbolit kombëtar, shqiponjës dykrenare. Në vendin ku u ngrit flamuri para 100 vitesh do të vendoset një Mozaik i Flamurit Kombëtar, bazuar në një ndër dizenjot e hershme, stemën e Muzakajve, i punuar tërësisht me gurë natyralë nga artisti Gëzim Hidri. Mozaiku është 2012 mm i gjatë, punuar me 2012 gurë dhe përkujton vitin e shpalljes së Pavarësisë 1912-2012, është 1200 mm i lartë që simbolizon 1200 muajt që përbëjnë një shekull. Autorit i janë dashur 4 muaj të mbledhë gurë të kuq në të gjithë trevat shqiptare, një pjesë e të cilëve janë marrë në fusha e male ku janë zhvilluar dhe betejat më të përgjakshme në këtë vend, që nga koha e Skënderbeut deri në çlirimin e Shqipërisë dhe pas kaq muajsh pune intensive ky mozaik që përjetëson këtë akt historik do të vendoset në vendin ku 100 vite më parë u ngrit flamuri në qytetin tonë. Në të gjithë territorin e qytetit të Tiranës do të ketë pjesëmarrje të bandave të “rock”-ut nga Tirana, por edhe nga qytete të tjera të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, Preshevës etj. Në orën 13.00, të datës 26, në prani të kryetarëve të bashkive të qyteteve të tjera nga vendi, të kryetarëve të komunave të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Preshevës, do të zhvillohet ceremonia e emërtimit të asaj që njihet sot si rreth rrotullimi i Doganës, me emërtimin “Shqiponja” dhe vendosjen e monumentit të shqiponjës, në kuadër të festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë. Në pedonalen “Murat Toptani” nis panairi “Blej produkte shqiptare”, ndërsa përpara TOB do të nisë puna për tortën e Pavarësisë. Në orën 18.30, në Tiranë, për herë të parë mblidhet Orkestra Kombëtare Rinore apo e quajtur ndryshe edhe Filarmonia Rinore, e cila do të dirigjohet nga një dirigjent, i cili konsiderohet sot si një ndër më të mirët në botë, Alberto Cecchatto, i cili do të udhëheqë këtë koncert dhe do të jetë dëshmitar i parë i ripërtëritjes së një tradite të qytetit, vendit tonë, sa i përket talentit në fushën e muzikës klasike. Të rinjtë shqiptarë, nga mosha 13 deri 27 vjeç do të performojnë një koncert me pjesë të zgjedhura të repertorit të muzikës klasike. Para koncertit dhe gjatë periudhës së mbasdites, por edhe pas koncertit do të kemi dy aktivitete të tjera, i pari banda rock dhe i dyti, duke filluar nga ora 20.00, në rrugën “Murat Toptani”, për të gjithë ata që pëlqejnë “hip-hopin”, “rap” (gjithmonë shqip dhe nga artistë shqiptarë) do ta gjejnë atë për 4 orë deri në orët e mesnatës të datës 26.

Data 27 nëntor

Më datë 27 nëntor do të vazhdojë panairi “Blej produkte shqiptare” dhe përgatitja e tortës. Në orën 10.00 paradite kemi një koncert me këngëtarë të rinj, talente të evidentuar një pjesë në rrjetin e kulturës dhe artit të Bashkisë së Tiranës. Në orën 11.00, Bashkia e Tiranës prezanton një dhuratë për fëmijët e kryeqytetit, që është një CD me 42 këngë patriotike, nga të cilat afro 20 janë të padëgjuara më parë dhe i përkasin periudhës 1912-1945. Kjo CD me 42 këngë patriotike do të shpërndahet si fillim falas për të gjithë gjimnazistët dhe më pas edhe për nxënësit e shkollave 9-vjeçare, si dhe do të jepet për të gjithë të tjerët që duan ta kenë në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Ulqin apo kudo tjetër.
Në orën 15.00, përurohet shtatorja e Komandantit legjendar të UÇK, Adem Jashari. Kjo ceremoni do të zhvillohet në prani të autoriteteve më të larta të Shqipërisë e Kosovës.
Në orën 20.00 të mbrëmjes do të procedohet me një koncert me grupe rock, por me një repertor patriotik, zhanër ky i ri, por i zhvilluar me sukses nga të rinjtë tanë të talentuar, jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva e kudo tjetër.

Data 28 nëntor

Në datën 28 nëntor, pas Protokollit të Shtetit në Vlorë, festimet do të zhvendosen në Tiranë, ku pritet të shtrohet një banket gjigant për të pritur mysafirët nga të gjitha trevat shqiptare. Kështu një mijë desh, një mijë qengja, ushqime tradicionale të të gjithë trevave shqiptare, pije të prodhimit vendas, si dhe një tortë gjigante 4 ton do të jetë kryesisht menuja e festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë më 28 Nëntor në kryeqytet. Ndërkohë, aktiviteti kulturor do të nisë tek lulishtja e Parkut “Rinia”, ku organizohen pesë aktivitete për fëmijët, telajo për pikturën me temë 100 vjet pavarësi “Shqipëria ime”, koncert për fëmijë të Qendrës Kombëtare për Fëmijë të Shkollës së Baletit dhe Liceut Artistik, teatër për fëmijë nga Teatri i Kukullave, animatorë dhe photo point me personazhe të pavarësisë. Tek lulishtja “3 Vëllezërit Frashëri” koncert për të rinj, ndërkohë që tek ura që lidh zonën e ish-Bllokut me pjesën tjetër të qytetit do të jetë një performancë e Cirkut. Tek rruga “Ismail Qemali” ekspozitë pikture, teatër rruge, performancë me vegla muzikore dhe përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” foto point me personazhe historike dhe rreth 100 animatorë të veshur me veshje popullore, personazhe të lidhura me festën që shpërndajnë flamuj të vegjël dhe suvenirë qytetarëve.

Koncert madhështor në mbrëmjen e 28 nëntorit

Kremtimi i 100-vjetorit të Pavarësisë pritet të sjellë në Tiranë disa nga këngëtarët më të mirë shqiptarë dhe të huaj. Qindra mijëra qytetarë nga e gjithë Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, pritet të mbushin Sheshin “Nënë Tereza” në një koncert madhështor në festën e Pavarësisë. Në këtë koncert veç këngëtarëve më të njohur të Tiranës pritet të mbërrijë edhe Rita Ora, këngëtarja shqiptare me famë botërore. Ngjyrat e flamurit kombëtar do të dominojnë skenën, e cila pritet të rrethohet nga blice të shumta që theksojnë flamujt kombëtarë. Skena do të konceptohet në çdo detaj të saj me ngjyrat e flamurit kombëtar. Pas përfundimit të koncertit, vendin e këngëtarëve do e zenë fishekzjarret e shumta. Veç fishekzjerreve të shumta, në Sheshin “Nënë Tereza” pritet të lëshohen mijëra tullumbace të kuq dhe të zinj.

Prenotimet

Lokalet e kryeqytetit thuajse janë prenotuar nga qytetarët e shumtë që pritet të festojnë deri në orët e para të mëngjesit. Këngët patriotike do të jetë menuja e vetme në lokalet e kryeqytetit, të cilët kanë vënë si kusht për të ftuarit vetëm veshje kombëtare. Në kuadër të kësaj feste, të gjitha lokalet e kryeqytetit janë zotuar që nuk do të ketë rritje të çmimeve në mënyrë që t’i jepet mundësia e festimit të kësaj feste të gjitha shtresave sociale. (Lajmi i Dites)

Gjithashtu lexo

Vdes ish-kryeministri Bajram Rexhepi – (VIDEO)

Ish- kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi ka ndërruar jetë pas një sëmundje për të cilën …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *