Home / Lajme / Rajon / Përplasje në Kuvend mes VV-së dhe PDK-së

Përplasje në Kuvend mes VV-së dhe PDK-së

Seanca plenare e Kuvendit të Kosovës ka filluar me akuza nga Lëvizja Vetëvendosje ndaj aferave të fundit që kanë ndodhur në Ministrin e Punëve të Brendshme, ku 1.4 milion euro nuk i kanë shkuar kompanisë “Österreichische Staatsdruckerei”. Por, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi ka dhënë sqarimet lidhur me këtë rast, duke thënë se ka qenë ai i pari i cili ka kërkuar zhvillimin e hetimeve.

Prishtin 15 Nëntor – Në kohën e deklarimeve jashtë rendit të ditës, shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka thënë se skandali i fundit i zhdukjes së 1.4 milionë eurove nga buxheti i Republikës së Kosovës shpërfaq dy gjëra për këtë qeveri, por edhe për prokurorinë dhe gjyqësorin.

“Rasti i 1.4 milionëve të pasaportave e dëshmon qartë se EULEX-i nuk do të jetë zgjidhja e problemit, por një pjesë e rëndësishme e problemit. Kjo për shkak të politikës së EULEX-it dhe të lidhjeve të tij me politikën e qeverisë e cila e ka vendosur veten në funksion të negociatave dhe kompromisit me Serbinë. 1.4 milionë euro janë 10 për qind e kontratës prej 14 milionë eurosh të cilën e ka fituar kompania austriake ‘Österreichische Staatsdruckerei’ (OeSD) për shtypjen e pasaportave të Kosovës. Këto pasaporta na premtoheshin nga qeveria se do të jenë bileta jonë drejt udhëtimit pa viza. Ndërkohë që realiteti po e tregon se këto na paskan qenë bileta e lotarisë që i pasuron zyrtarët e lartë qeveritar”, ka theksuar Ymeri.

Ai shton se për këtë rast është arrestuar gjermania Natalie Velijaj, e cila ka ofruar dëshmi të dokumentuara për këtë aferë, se ku kanë shkuar ato 1.4 milion euro dhe në cilën llogari. Mirëpo, sipas Ymerit ka shkelje të procedurave në gjyqësor, pasi që nuk e lejojnë që të flas e arrestuara dhe të jap dëshmi në lidhje me këtë. Ai ka bërë thirrje prokurorëve të rastit që të mos e pengojnë zbardhjen e rastit dhe dënimin e fajtorëve, transmeton “Kosovapress”.

Gjithashtu, Ymeri i ka bërë thirrje ministrin të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepit, që të mos ndërhyjnë në këtë rast dhe ta lirojnë gjyqësorin nga kthetrat e tyre, në mënyrë që ai të jetë i lirë t’i ndjekë rastet e shumta të korrupsionit të cilat po na shpërfaqen përditë.

Ndërkohë, ministri Bajram Rexhepi ka thënë se kjo kontratë prej fillimit ka filluar në mënyrën më të mirë, por siç ka thënë ai “problemet kanë lindur në momentin që në bazë të ligjeve tona kjo kompani është dashur me pas një përfaqësues të vet në Kosovë dhe këtë përfaqësues e ka përzgjedh vet kompania për të bërë shërbime që duhet karshi institucioneve tona”.

Rexhepi ka thënë se në momentin që ka marr informatën se këto mjete nuk kanë shkuar në destinimin final, ka kërkuar hetimin nga institucionet gjyqësore në zbardhjen e këtij rasti.

Gjithashtu, ai ka kërkuar edhe nga shefi i Misionit të EULEX, Xavier Bout de Marnhac, që të zhvillojnë hetimet, në mënyrë që të ketë rezultate lidhur me këtë rast.

“Në opinion kjo mund të del si çështje e aferave. Kjo fortë nuk më brengos shumë, se kam qenë i përkushtuar që të luftohet hajnia dhe krimi i kujtdo qoftë dhe më së pari në oborrin tënd ose në shtëpinë tënde. Kam iniciuar hetimet fillimisht në ministrinë time dhe pastaj të vazhdojmë në të tjerat. Kjo mund të duket patetike, por nëse vazhdojmë kështu me hetime mund të kemi perspektivë. Por, nëse i mbroj çfarë do hetime ata – kushtimisht që them hajna – atëherë ka vend për me menduar për dorëheqje. Por, derisa të luftoj nuk mendoj”, ka theksuar Rexhepi.

Ndërkohë, deputeti nga radhët e PDK-së, Fadil Demaku, ka drejtuar akuza në drejtim të liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që siç ka thënë ai për shpifje që po bëjnë.

“Në foltore të kuvendit, zotëri Kurti shprehi kështu, citoj: ‘Flamuri i BE-së ishte prapa Thaçit, nuk ishte i Kosovës, ndërsa te Dacici ishte flamuri i Serbisë’. Pa fije turpi gënjente deri sa shkonte të ulej në vend. Të gjithë e keni parë foton në mediat vendore dhe ne askund nuk e pamë atë flamur. Kjo është tendencë të mashtroj opinionin, kjo formë spekuluese e të vepruarit është fyerje për elektoratin e tij”, ka thënë Demaku.

Por, ai nuk është ndaluar me kaq, duke thënë se kjo lëvizje i jep leksione se kush dhe si duhet të hy në Partinë Demokratike të Kosovës dhe vendosin a po bënë politikë të mirë Lidhja Demokratike e Kosovës apo të keqe.

Demaku ka thënë se agjenda e kësaj lëvizje për integrimin e Kosovës nuk shkon më larg se sa deri në Kukës.

“Baronehsa Ashton dhe sekretarja Clinton kanë bërë gabim historik që nuk kanë takuar Vetëvendosjen. Këta i mbajnë leksion Brukselit dhe Washingtonit për politikën e jashtme, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe integrimet dhe do të i bindin që këta më qasjen e tyre politike, agjendën për Kosovën do të qojnë deri në Kukës. Sipas tyre ne të gjithë qenkemi tradhtarë si Serbia të na kishte sjellë këtu. Vetëm këta e duan e mbrojnë dhe e çmojnë Kosovën. Këtë e bëjnë në kohë paqe e luftën nuk e mbajnë shumë”, ka deklaruar ai.

Në kohën e pyetjeve parlamentar deputetët e koalicionit qeverisës kanë drejtuar disa pyetje në drejtim të ministrit, Agim Çeku lidhur me procesin e verifikimit të statusit të ushtarit të UÇK-së.

Gjithashtu lexo

Futet për nevoja personale në bunker, burrit i ndryshon jeta përgjithmonë

Ka ndodhur në një fshat të Elbasanit. Burri hyn për nevoja personale në një bunker …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *