Home / Sport / Schumi: Do të isha krenar nëse Vettel thyen rekordet e mia

Schumi: Do të isha krenar nëse Vettel thyen rekordet e mia

Gara për Çmimin e madh të Brazilit është e fundit në karrierën e pilotit më të suksesshëm i Formula 1, Michael Schumacher. Ai ka thënë se pas kësaj gare do të pensionohet, kësaj radhe, përgjithmonë (pasi fillimisht ai tha lamtumirë në vitin 2006).

Në një intervistë për Bild, legjenda gjermane ka deklaruar se shpreson që tifozët e tij ta mbajnë mend për gjërat e mira, edhe pse kthimi në Formula 1 (me Mercedesin) nuk shkoi ashtu siç kishte pritur. Si fajtor kryesor për mossuksesin e Mercedesit, ai e ka përmendur aerodinamikën e bolidit.

I pyetur nëse mund t’i thyejë rekordet e tij gjermani tjetër, Sebastian Vettel, i cili po shkëlqen me Red Bullin, Schumi ka thënë që do të ishte krenar po të ndodhte ashtu.

“Pse jo. Ai i ka të gjitha predispozitat. Është talent, i shpejtë, i mençur dhe aktualisht vozit për ekipin e duhur. Do të isha krenar po t’i thyente (rekordet e mia), sepse ai është miku im”, ka deklaruar 43-vjeçari.

Kujtojmë që gjatë karrierës, Michael Schumacher ka fituar shtatë tituj të kampionit të botës në Formula 1 (1994, 1995, 2000, 2001, 2002, 2003 dhe 2004), ka regjistruar 308 gara dhe 91 fitore; 155 herë është ngjitur në podium, 65 herë ka nisur nga vendi i parë (‘pole position’), ndërsa ka regjistruar 77 xhiro më të shpejta.

Gjithashtu lexo

Osmani: Bëmë gabime në mbrojtje, do të ndryshojmë në lojën e ardhshme

Trajneri i Shkëndijës së Tetovës, Qatip Osmani nuk e ka përjetuar mirë humbjen nga Milani. …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *