Home / Sport / Shkarkohet Roberto Di Mateo!

Shkarkohet Roberto Di Mateo!

Roman Abramoviç, ashtu siç pritej dhe përflitej prej ditësh, ka shkarkuar sot nga detyra Roberto Di Mateon, pas asaj që klubi blu e ka quajtur në deklaratën e vet një ecuri “e papranueshme” rezultatesh.

Miliarderi i klubit londinez, i mërzitur nga një fushatë shkatërrimtare në Ligën e Kampioneve ku Çelsi është shumë pranë eliminimit, ka vendosur në orët e para të mëngjesit të shkarkojë trajnerin, duke mos i dhënë më asnjë minutë kohë këtij të fundit.
Di Mateo është lajmëruar për ngjarjen në një mbledhje urgjente në orën 4 të mëngjesit, sapo ai ishte kthyer në Angli me skuadrën pas humbjes 3-0 përballë Juventusit në Itali.
Më pas, drejtuesit e Çelsit kanë zhvilluar një mbledhje në ambientet e klubit gjatë gjithë paradites, duke diskutuar të gjitha alternativat më të mundshme për të marrë drejtimin e skuadrës.
Pep Guardiola vazhdon të jetë alternativa e preferuar e Abramoviç, që ëndërron të sjellë katalanasin në Londër. Por ky i fundit vazhdon t’i bëjë rezistencë ofertës së presidentit rus duke kërkuar që të mbyllë këtë sezon me pushime. Si rrjedhojë, mund të zgjidhet plani B, ai i një trajneri të përkohshëm deri në fund të këtij sezoni, me Rafael Benitez që duket se është përgjigjur pozitivisht ndaj një ftese të tillë.
Di Mateo ishte trajneri i 8-të i shkarkuar nga Roman Abramoviç në 9 vite që ka në drejtimin e klubit. Para italianit, në këtë klub gjatë periudhës së miliarderit rus kanë drejtuar Klaudio Ranieri (shtator 2000 – maj 2004; Abramoviç bleu klubin në qershor 2003), Zhoze Murinjo (qershor 2004 – shtator 2007), Avram Grant (shtator 2007 – maj 2008), Felipe Skolari (korrik 2008 – shkurt 2009), Gus Hidink (shkurt 2009 – maj 2009), Karlo Ançeloti (qershor 2009 – maj 2011) dhe Andre Vijas Boas (qershor 2011 – mars 2012).

Gjithashtu lexo

Ylli i Shkëndijës: Nuk kemi çfarë të humbasim ndaj Milanit

Ardian Cuculi ka thënë se Shkëndija do të tentojë të bëjë lojën e saj dhe …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *