Home / Lajme / Rajon / Si u ndanë Kosova me Shqipërinë

Si u ndanë Kosova me Shqipërinë

28 nëntor-Sala Ahmetaj, pedagoge në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, rrëfën se gjyshi i saj, Hazir Radisheva, së bashku me të afërmit e tij, bashkë me Isa Boletinin shkuan në Vlorë para 100 viteve për të shpallur Shqipërinë e pavarur. Më 1924 ai do të binte në burgun e Idrizovës në Shkup, ku edhe do të vdiste. Shumë vite më vonë pedagogja e gjuhës shqipe do të lindte vajzën e dytë. Vlora ishte emri që përzgjodhi për të.

Para një shekulli u ngrit flamuri në Vlorë, por për shkak të rrethanave të asaj kohe, Kosova dhe viset e tjera shqiptare mbetën jashtë kufijve zyrtarë të Shqipërisë.

Edhe përkundër kësaj, lidhja me Shqipërinë në mënyra të ndryshme do të vazhdonte deri në ditët e sotme. Pagëzimi i fëmijëve me emra qytetesh e fshatrash të Shqipërisë ishte një mënyrë për të mbajtur këtë lidhje me Shqipërinë dhe për të kundërshtuar pushtimin serb. Vlora, si qyteti i flamurit dhe vetë Flamuri janë simbole të pandashme që krijuan këtë lidhje.

Sala Ahmetaj, pedagoge në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, rrëfën se gjyshi i saj, Hazir Radisheva, së bashku me të afërmit e tij, bashkë me Isa Boletinin shkuan në Vlorë para 100 viteve për të shpallur Shqipërinë e pavarur.

Më 1924 ai do të binte në burgun e Idrizovës në Shkup, ku edhe do të vdiste. Shumë vite më vonë pedagogja e gjuhës shqipe do të lindte vajzën e dytë. Vlora ishte emri që përzgjodhi për të.

“Emrin Vlora ia kemi vënë për të mos e harruar dhe për ta vazhduar atë përpjekje që ta kemi një Shqipëri reale, të pavarur siç e kishin projektuar Hasan Prishtina, Isa Boletini, Ismail Qemaili, etj. Emri Vlora është metaforë, është simbol që pengon harresën dhe që frymëzon idealin për liri”, tregon Ahmetaj.

Vite më vonë, pas çlirimit të Kosovës, vajza e saj do të bëhej deputete e legjislaturës që shpalli pavarësinë e Kosovës, e më pas edhe ministre për Integrimet Europiane. Vlora Çitaku thotë se emri Vlorë dhe shteti i Kosovës nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën, përkundrazi e plotësojnë njëra-tjetrën. Dhe që nga koha e vështirë kur asaj iu vu ky emër gjendja në Kosovë ka ndryshuar.

“Sot unë mund ta kem emrin Vlora dhe ta mbaj me krenari. Mund ta shpalos vazhdimisht identitetin tim kombëtar shqiptar dhe paralelisht me të të ndërtoj një identitet të ri qytetar dhe politik, por assesi duke përjashtuar njëra-tjetrën, por duke e përplotësuar njëra-tjetrën. Tashmë nuk ka mur që ndalon shqiptarët këndej e andej kufirit. Unë sot, pas 100 vitesh, do të bëj rrugën që ka bërë stërgjyshi im, por në dallim prej tij unë e di që kur të kthehem në Kosovë nuk do të përfundoj në burg dhe nuk do të vdes në burg, por do të kthehem në zyrën time, në qeverinë e Republikës së Kosovës”, thotë Vlora Çitaku.

Vlora është vetëm një nga femrat e shumta që në Kosovë kanë këtë emër. Prej vitit 1933 e deri më tani në Kosovë, sipas të dhënave, janë 5 mijë e 352 veta që kanë emrin Vlora. Kurse nga viti 1933 deri më tani janë 4 mijë e 13 persona të pagëzuar me emrin Flamur.

Të dhënat nga Agjencioni për Regjistrim Civil të Kosovës përfshijnë vetëm ata persona që kanë marrë shërbime pas përfundimit të luftës, çka do të thotë se shifrat mund të jenë edhe më të larta. Flamuri kombëtar në Kosovë ishte i ndaluar gjatë Jugosllavisë, deri në vitin 1968 kur edhe u legalizua përdorimi i tij.

Flamuri është shenja më e lartë e një kombi, simboli më i spikatur. Këtë e kishte në mendje kur xha Haziri më 1963, kur vendosi të pagëzojë fëmijën e tij. Flamur Shala do të ishte vetëm 9 muajsh kur xha Haziri, tani 80-vjeçar, siç rrëfen ai, u burgos për shkak të angazhimit të tij në çështjen kombëtare.

“Ka qenë jo vetëm e ndaluar por dhe e dënuar dhe nga ana e serbëve konsiderohej si injorim i madh. Por ne nuk kemi hequr dorë. Flamuri lindi në ‘63-shin, unë u burgosa 9 muaj më vonë për lëvizje revolucionare dhe veprimtari shqiptare. Kur formuam organizatën ishim disa profesorë dhe juristë që ngritëm flamurin e Shqipërisë nëpër Kosovë”, tregon xha Haziri.

“Pagëzimi me emrin Flamur është pikërisht për ta kompensuar atë mungesë të flamurit si simbol i kombit që na mungonte asokohe në hapësirat tona. Krenaria për këtë emër ka qenë dhe vazhdon të jetë, por është edhe një barrë, sepse e kam ndjerë se përveç se dua që të më rrijë emri mua, duhet që edhe unë t’i rrij emrit”, thotë Flamur Shala.

Emërtimi i fëmijëve edhe me emra të tjerë nga Shqipëria, për historianët ka një domëthënie të madhe. Profesori universitar Agim Zogaj thotë për Top Channel se emërtimet e tilla shprehin identifikimin shpirtëror me Shqipërinë.

“Dedikimi shpirtëror e psikologjik me nënën Shqipëri ka bërë dhe bën që shqiptarët e Kosovës t’i tregonin pushtuesve sllavë se, ata janë nën pushtim, por shpirti i tyre është shqiptar, gjaku i tyre është shqiptar”, thotë Zogaj.

As kalimi i viteve e as pavarësia apo hapja e kufijve e shkurtimi i rrugëve nuk e kanë zhdukur këtë tendencë në Kosovë. Fëmijë të tjerë vazhdojnë të quhen Vlora apo Flamur dhe të dhënat flasin se vetëm gjatë vitit 2012 në Kosovë nëntë fëmijë janë pagëzuar me emrin Vlora dhe dhjetë të tjerë me atë Flamur. TOP-CHANEL

Gjithashtu lexo

Emigranti shqiptar gjen portofolin me dollarë në New York dhe ia dorëzon të zonjës

Një emigrant nga Dibra e Madhe, i cili jeton në Staten Island, Nju Jork, ka …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *