Home / Lajme / Rajon / Tiranë:Inaugurohet sheshi Shqiponja që u financua nga biznesmeni tetovar Lazim Destani

Tiranë:Inaugurohet sheshi Shqiponja që u financua nga biznesmeni tetovar Lazim Destani

26 nëntor-Investitori i kësaj shqiponje biznesmeni tetovar Lazim Destani në ceremoninë e inaugurimit tha: “Ta zhvillojmë ekonominë e atdheut për të siguruar lumturi për brezat që vijnë. Kontributi ynë për zhvillimin ekonomik e shoqëror të trojeve tona është mirënjohja më e mirë ndaj përpjekjeve brez pas brezi dhe amanetit të të parëve tanë për ta bërë Shqipërinë të lirë, të pavarur e të fuqishme” tha Destani.

Në kuadër të festimeve për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, në Tiranë është inauguruar skulptura monumentale me shqiponjën për t’u bërë një ikonë në qytetin e Tiranës e cila është financuar nga Biznesmeni tetovar Lazim Destani.

Në këtë ceremoni morën pjesë Z. Sali Berisha, Kryeministër i Shqipërisë, Z. Lulzim Basha, Kryetar Bashkie i Tiranës, dhe Z. Lazim Destani, biznesmen dhe filantrop i cili personalisht dha kontribut për realizimin e këtij projekti.

Destani me këtë rast në fjalimin e tij para të pranishmëve është shprehur se ky është një moment i veçantë. “Fillimisht, dua të falënderoj autoritetet e vendit dhe gjithë qytetarët e Tiranës për realizimin e këtij projekti simbolik të krenarisë sonë kombëtare. Në këtë moment të veçantë për mua dhe familjen time, falënderoj Zotin që arritëm t’ia dhurojmë kombit këtë Shqiponjë dy-krenare të cilën çdo shqiptar e ka në zemër” tha Destani.

Z. Lazim Destani, njeriu që dha ndihmesën e tij në çështjet dhe zhvillimet të komunitetit shqiptar gjithandej, gjithashtu njihet si biznesmen i suksesshëm që aktualisht është Kryetar Bordi i një numri kompanishë të njohura të operuara nga familja e tij.

Ai gjithashtu është një filantrop i shquar, iniciativat e të cilit kanë dhënë kotribut të drejtpërdrejtë në ndërtimin e shkollave, implementimin e iniciativave mjedisore e komunale dhe duke dhënë ndihma të ndryshme humanitare.

Financuesi i kësaj vepre madhështore Lazim Destani ka apeluar për bashkim kulturor, arsimor dhe ekonomik të shqiptarëve.

“Sot, dëshira më e madhe e çdo shqiptari është të jemi të bashkuar . Bashkimi është proces që ka filluar . Le ta përshpejtojmë bashkimin tonë arsimor, kulturor, ekonomik dhe në të gjitha fushat e tjera, për ta bërë realitet ëndrrën e shumëpritur të bashkimit kombëtar. Prandaj sa herë që janë në pyetje interesat gjithëshqiptare, duhet të jemi unikë e të flasim me një zë” tha biznesmeni tetovar.

Z. Lazim Destani më tej theksoi. “Ta zhvillojmë ekonominë e atdheut për të siguruar lumturi për brezat që vijnë. Kontributi ynë për zhvillimin ekonomik e shoqëror të trojeve tona është mirënjohja më e mirë ndaj përpjekjeve brez pas brezi dhe amanetit të të parëve tanë për ta bërë Shqipërinë të lirë, të pavarur e të fuqishme”, u shpreh ai.
Monumenti që u inaugurua sot ka peshë prej 16 ton çelik, skulpturë e shqiponjës dy-krenare shqiptare, simbol krenarie për vendin.
Shesh-rrotullimi ku u ngrit monumenti tash e tutje do të njihet si ‘Sheshi Shqiponja’ dhe së shpejti do të bëhet pikë referimi në qytet, si ditën ashtu edhe natën, me një pajisje të veçantë ndriçimi me ngjyrë të kuqe për të ri-krijuar ngjyrën e sfondit të flamurit kombëtar.

Në këtë ceremoni kryeministri shqiptarë Sali Berisha falënderoi familjen Destani për këtë dhuratë të bukur.

“Sheshi me shqiponjën dy krenare, me shqiponjën e flamurit të Skënderbeut, shqiponjës që do të ngrihej në 28 nëntor, nga Vlora heroike për të fluturuar për jetë mbi trojet shqiptare. Falënderoj Bashkinë e Tiranës dhe familjen Destani, falënderoj ata të cilët shkrinë mendjen e tyre aftësinë e tyre në këtë monument madhështor të të gjithë shqiptarëve ku do që janë sot”, u shpreh kryeministri Berisha.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha e ka cilësuar shqiponjën, simbol force, krenarie dhe lartësie për shqiptarët.

“Sot jemi mbledhur këtu shqiptarisht dhe solemnisht, nga çdo kënd ku flitet dhe jetohet shqip, për të nderuar këtë simbol të kombit, në 100 vjetorin e Pavarësisë, këtë simbol që askush nuk e vrau dot në shekuj, që askush nuk e futi dot në kafaz, që askush ndër ne nuk e harroi dhe nuk do ta harrojë në jetë të jetëve! Ky simbol i mungonte Tiranës dhe sot vjen këtu, në këtë 100 vjetor, derdhur në çelik të rëndë, sepse sot jemi më të lirë dhe më të fortë se dje, sepse sot kjo shqiponjë në fushën e kuqe të flamurit tonë, valëvitet më e fortë dhe më e lirë, kudo ku jetojnë shqiptarët” tha Basha.

Kjo është njëra nga shumë ceremonitë zyrtare në vargun e festimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, ndryshe e njohur si Dita e Flamurit, që do të kulmojë më 28 Nëntor me festime mbarë-kombëtare me pjesëmarrje të një vargu miqësh ndërkombëtarë.

Lazim Destani – TiranLAZIM DESTANI

Gjithashtu lexo

Futet për nevoja personale në bunker, burrit i ndryshon jeta përgjithmonë

Ka ndodhur në një fshat të Elbasanit. Burri hyn për nevoja personale në një bunker …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *