Home / Lajme / Rajon / VETËVENDOSJE S’I BESON THAÇIT

VETËVENDOSJE S’I BESON THAÇIT

Lëvizja Vetëvendosje nuk u beson fjalëve të kryeministrit Hashim Thaçi kur thotë se pavarësia, sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës, nuk kanë qenë, as nuk do të jenë kurrë në tavolinën e dialogut me Serbinë. Glauk Konjufca nga kjo lëvizje, i ka kërkuar kryeministrit që të betohet në flamurin kombëtar.

Teksa ka folur pas raportimit të kryeministrit Thaçi për takimin e dytë me kryeministrin e Serbisë Daçiq, Konjufca ka lënë në foltoren e Kuvendit një flamur kombëtar. “Zoti kryeministër, qytetarët e këtij vendi presin nga ju që të betoheni para flamurit kombëtar që kurrë nuk do të bëni pazar me një pjesë të territorit, pra se kurrë nuk do të pajtoheni që veriut t’ia jepni autonominë”, ka thënë Konjufca.

E ndërkohë, dy partitë tjera opozitare, LDK e AAK, të cilat e mbështesin dialogun me Serbinë, i kanë dhënë mbështetje kryeministrit që të vazhdojë me takimet me Serbinë.

Shefi i GP të LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë se LDK-ja gjithnjë ka kërkuar transparencë.

-Një ndër kërkesat tona të vazhdueshme ka qenë që dialogu të jetë transparent dhe për këtë Kuvendi të informohet dhe në fund, Kuvendi të vendos për çdo marrëveshje eventuale, ka thënë Beqiri.

Kurse shefi i GP të AAK-së, Ardian Gjini ka theksuar se duhet gjithë spektri politik të jetë unik në këtë proces. -Pas rezolutës në Kuvend, është e pamjaftueshme që vetëm Qeveria të merret me këto tema, ka thënë Gjini.

Ndryshe, kryeministri Thaçi ditë më parë ka raportuar edhe për takimin e parë me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, ashtu siç e obligon edhe Rezoluta e miratuar në Kuvendin e Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Takimi i tretë ndërmjet Thaçit dhe Daçiqit me ndërmjetësimin e baroneshës Ashton parashihet të zhvillohet në muajin dhjetor, por për datën e takimit, kryeministri Thaçi tha se ende nuk e di as vetë.

Gjithashtu lexo

Emigranti shqiptar gjen portofolin me dollarë në New York dhe ia dorëzon të zonjës

Një emigrant nga Dibra e Madhe, i cili jeton në Staten Island, Nju Jork, ka …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *