Home / Sport / Barcelona rinovon kontratat e Mesi, Ksavi dhe Pujol

Barcelona rinovon kontratat e Mesi, Ksavi dhe Pujol

Barcelona ka njoftuar sot zyrtarisht për zgjatjen e kontratës ekzistuese të 3 prej figurave të saj më të njohura: Lionel Mesi, Ksavi Hernandez dhe Karles Pujol. Për të parin bëhet fjalë për një kontratë deri në vitin 2018, ndërsa dy të tjerët kanë firmosur deri në vitin 2016, në atë që mund të quhet kontratë e përjetshme pasi me shumë mundësi do të mbyllin karrierën në këtë klub.

Mesi kishte një kontratë ekzistuese me katalanasit deri në vitin 2016, por Barcelona ka dashur të blindojë argjentinasin me një kontratë dhe rrogë të përmirësuar, për të shpërblyer punën e tij gjatë këtij viti ku ai ka shënuar në total 90 gola për klub e kombëtare. Me 25 gola, ai kryeson edhe renditjen e golashënuesve në kampionatin spanjoll. Tani, kontrata e re e sheh atë të lidhur me katalanasit deri në vitin 2018, ndërsa mendohet se do të paguhet rreth 15 milionë euro në vit, duke u bërë lojtari më i paguar në kampionatet kryesore të Evropës. Klubi ka vendosur të mos ndërrojë as klauzolën e shitjes së lojtarit, duke lënë në fuqi shumën prej 250 milionë eurosh që në klub duhet të paguajë për të marrë atë nga katalanasit.
Ndërkohë, Karles Pujol ka zgjatur kontratën ekzistuese deri në vitin 2016, duke bërë këtë praktikisht kontratën e fundit si profesionist, pasi në atë datë ai do të jetë 37 vjeç dhe me shumë mundësi do t’i japë lamtumirën futbollit të luajtur. Klauzola e largimit të tij është caktuar 10 milion euro.
I fundit, por jo më pak i rëndësishëm në këtë skuadër, ka qenë rinovimi i Ksavi Hernandez, i cili ashtu si Pujol thjesht ka zgjatur kontratën ekzistuese, i kënaqur me kushtet që i ofrojnë aktualisht katalanasit. Edhe Ksavi pritet të jetë 36 vjeç në mbyllje të kësaj kontratë, ndërsa për ta marrë nga Barcelona para përfundimit të saj, klubet e interesuara duhet të paguajnë 80 milionë euro.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *