Home / Sport / Benitez drejt konfirmimit te Çelsi

Benitez drejt konfirmimit te Çelsi

Abramoviç po mendon të vlerësojë ecurinë pozitive të skuadrës në javët e fundit duke e bërë Benitezin trajner të përhershëm të ekipit dhe duke i ofruar një kontratë afatgjatë.

Rafael Benitez shumë shpejt mund të heqë etiketën “i përkohshëm” që e shoqëron pranë titullit trajner i Çelsit. Një lajm i tillë mund të tronditë shumë tifozë të skuadrës londineze të cilët e urrejnë atë për deklaratat që ka bërë në periudhën kur drejtonte Liverpulin, por burime pranë klubit blu kanë konfirmuar për “The Sun” se Roman Abramoviç po mendon të vlerësojë ecurinë pozitive të skuadrës në javët e fundit duke e bërë atë trajner të përhershëm të ekipit dhe duke i ofruar një kontratë afatgjatë.
Pronarit të bluve i ka bërë përshtypje fakti se si trajneri spanjoll ka arritur brenda pak kohësh të realizojë premtimet e tij, duke kthyer Çelsin përsëri në rrugën e fitoreve, me 6 të tilla në 7 ndeshjet e fundit, duke shënuar 26 gola dhe duke arritur gjysmëfinalet e Kupës së Ligës. Për më tepër, spanjolli ka zgjidhur edhe shqetësimin më të madh të miliarderit rus, duke kthyer përsëri në një sulmues të mirëfilltë Fernando Torres, i cili ka shënuar 7 gola në 7 ndeshjet e fundit.
Edhe ngjarjet larg klubit kanë përforcuar disi pozitat e Benitez, i cili mendohej se do të shërbente në këtë detyrë deri në fundin e sezonit, me shumë ekspertë që parashikuan një largim që në javët e para të punës së tij. Por tani Abramoviç duket se nuk ka më një garanci absolute se mund të marrë Pep Guardiolën në sezonin ardhshëm dhe nuk dëshiron të lërë të iki kaq shpejt nga duart një trajner i cili ka gëzuar suksese në eksperiencat e mëparshme në Angli dhe njeh mirë mentalitetin e skuadrave të këtij kampionati.
Megjithatë, vendimi përfundimtar nuk do të merret para marsit, periudhë në të cilën Çelsi do të mësojë nëse do të jetë ende në garë për titullin kampion apo thjesht do të mendojë për t’u kualifikuar në Ligën e Kampioneve për edicionin e ardhshëm.

Gjithashtu lexo

Shikoni çfarë ka bërë Barcelona pas sulmit terrorist (FOTO)

Klubi i Barcelonës ka reaguar pas sulmit terrorist në Barcelonë. Katalunasit e kanë bërë një …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *