Home / Lajme / Maqedoni / Bora paralizon Pollogun, nesër nuk punojnë shkollat në Tetovë

Bora paralizon Pollogun, nesër nuk punojnë shkollat në Tetovë

11 dhjetor-Gjithashtu nga Sektori për Veprimtari Publike, tha Qamili, bëjnë të ditur se për shkak të vështirësive për udhëtim të krijuara nga reshjet e pandëprera të borës edhe në komuna tjera nga ku vijnë nxënësit, është marrë vendim që nesër të mos punohet në të gjitha shkollat e mesme dhe fillore të komunës së Tetovës.

Në orën 14:45 u hoq ndalesa për automjete të rënda transportuese në aksin rrugor Strugë-vendkalimi kufitar Qafë Thanë, kumtoi NP “Rrugët e Maqedonisë”.

Ndalesë aktive për qarkullim të automjeteve të rënda transportuese ka në Mavrovë, Strazhë, Dibër, Gjavato, Bukovë dhe në aksin rrugor Kërçovë-Makedonski brod-Prilep.

Nëpërmjet një konference për shtyp, Komuna e Tetovës, ka njoftuar mbi situatën e krijuar me reshjet e pandërprera të borës që realisht kanë vështirësuar pastrimin, përkundër angazhimit të vazhdueshëm të gjithë makinerisë. Zëdhënësi i komunës së Tetovës, Faton Murseli, tha se bora në komunën e Tetovës për 12 orë po bie pandërprerë dhe kjo ka bërë që të krijohen vështirësi në pastrimin e rrugëve. “Reshjet e pandërprera kanë vështirësuar komunikacionin në qytetit, përkundër pastrimit të vazhdueshëm të rrugëve nga makineria e angazhuar nga komuna e Tetovës.

Dëshirojmë të njoftojmë qytetarët se komuna e Tetovës ka vënë në dispozicion gjithë makinerinë e nevojshme për t’u përballur me këtë gjendje të krijuar nga reshjet e mëdha të borës dhe gjatë tërë kohës ka të angazhuar në rrugët e qytetit kamionë dhe bagerë pastrues, ndërkohë që dy kamionë pandërprerë hedhin krip në rrugët e qytetit”, tha Murseli. Ai ka bërë të ditur se është formuar Shtabi emergjent me udhëheqës, Orhan Qamilin, i cili ka dhënë më tepër detaje për pastrimin e borës.

“Realisht Komuna e Tetovës, po bën gjithçka që është e nevojshme që rrugët e qytetit, pavarësisht nga reshjet e pandërprera të jenë të kalueshme. Aktualisht të gjitha rrugët e qytetit janë të kalueshme, ndërkohë që katër kamionë dhe dy bagerë po pastrojnë pandërprerë”, tha Orhan Qamili.

Ai ka bërë të ditur se një ekip i komunës së Tetovës, sapo është kthyer nga fshatrat e malësisë, ku nga afër ka ndjekur situtën e krijuar nga reshjet e borës. “Edhe në fshatrat e malësisë, komuna e Tetovës ka angazhuar tre bagerë që pandërprerë bëjnë pastrimin e rrugëve. Me një punë intensive dhe angazhim këmbëngulës edhe rrugët në fshatrat e malësisë janë të kalueshme, por me vështirësi, ndërkohë që makineria e angazhuar do të punojë vazhdimisht në pastrimin e borës” ,tha Qamili .

Për këtë qëllim, tha ai, është formuar shtabi emergjent, i cili po ndërmerr të gjitha masat e nevojshme, duke vepruar në terren dhe duke angazhuar makineri shtesë me qëllim që të sigurohet qarkullim dhe lëvizje e lirë në qytet.

“Në këtë situatë të krijuar nga reshjet e mëdha, iu bëjmë apel qytetarëve që të largojnë veturat e tyre të parkuara në rrugë për shkak se e vështirësojnë ndërhyrjen e kamionëve pastrues. Gjithë kjo situatë kërkon një bashkëpunim të shërbimeve të komunës me qytetarët, në mënyrë që pastrimi i rrugëve të bëhet sa më mirë dhe pa vështirësi”, tha ai.

Gjithashtu nga Sektori për Veprimtari Publike, tha Qamili, bëjnë të ditur se për shkak të vështirësive për udhëtim të krijuara nga reshjet e pandëprera të borës edhe në komuna tjera nga ku vijnë nxënësit, është marrë vendim që nesër të mos punohet në të gjitha shkollat e mesme dhe fillore të komunës së Tetovës.
“Nëse vazhdojnë reshjet e borës me këtë intensitet do të shqyrtohet mundësia që të shpallet gjendje e jashtëzakonshme. Për gjithë ecurinë me situatën e krijuar komuna e Tetovës do të jetë në komunikim me qytetarët gjatë tërë kohës”, tha udhëheqësi i shtabit emergjent, Orhan Qamili.

Gjendja më e mirë nuk është as në komunat tjera ku nuk janë pastruar as rrugët lokale por as ato rregjionale. Deri në mesditë nuk kanë qenë të pastruara rrugët rregjionale Tetovë-Pirok-Gostivar dhe rruga Tetovë-Jazhincë. Dy persona, prej të cilëve njëri me këmbë të lënduar, janë bllokuar në komunën e Drugovës në borë në largësi prej 6 kilometrave midis fshatrave Izvor dhe Elkoec. Në komunën e Debarcës, megjithatë, 24 fshatra tërësisht janë shkëputur nga reshjet intensive të borës, informon Drejtoria për mbrojtje dhe shpëtim.

Ekipet e DMSH-së nga departamentet rajonale në Kërçovë dhe në Drugovë kanë dalë në terren për organizimin e aksionit për transferimin e personave që janë bllokuar në borë.

Në territorin e Shkup të pakalueshme janë rrugët në komunën Solishte drejt fshatit Drazhilovë, Patishka Rekë dhe Jabollcë si dhe fshatrat Malinë, Brezë dhe Tanushë në komunën Çuçer Sandevë.

Në Kërçovë në zonën e qytetit rrugët po pastrohen me ndihmën e NP Higjiena komunale dhe me punëtorë të angazhuar nga komuna, ndërsa në komunën e Osllomejit janë marrë aktivitete për pastrimin e borës dhe kalimi deri te vendet e banuara për momentin është mirë. Në komunën e Zajazit deri më tani nuk ka filluar pastrimi i borës që ka rënë sot dhe qasja deri te vendet më të larta të fshatrave. Qasja deri te to është e mundur me automjete në terren. Ekipet e EVN-së po punojnë në heqjen e defekteve të rrjetit elektrik. Ende nuk ka filluar pastrimi i borës edhe në komunën e Vraneshtica, ku të punësuarit nuk mund të vendosin kontakt me kryetarin e komunës.

Në territorin e komunës së Krushevës i pakalueshëm është vendkalimi drejt fshatit Slladuevsci, i cili pastrohet me një makinë, ndërsa e kalueshme është rruga Krushevë-Prilep. Reshjet e borës në Kriva Pallankë e bllokuan fshatin malor Drenok, ndërsa në Kratovë është bllokuar aksi rrugor nga fshati Lokovë drejt fshatit Kavrak. Atje ekipet e vetëqeverisjes lokale janë angazhuar për pastrimin e borës. Në territorin e komunës Probishtip qarkullimi në akset rrugore është i vështirësuar, por pa ndalesa, ndërsa ekipet që janë angazhuar në terren po përballen me gjendjen e ndodhur.

Në Demir Hisar dhe në Resnje akset rrugore po pastrohen me ndihmën e ekipeve të NP “Rrugët e Maqedonisë”.

Në territorin e komunës së Manastirit të gjitha akset rrugore po pastrohen dhe nuk ka vonesa në lëvizjen e qytetarëve, ndërsa në Strugë akset rrugore janë të kalueshme për automjete të lehta transportuese.

Sipas Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, në qytetet tjera nëpër shtete gjendja është e mirë dhe nuk ka vështirësi në lëvizjen dhe funksionimin e qytetarëve.

Krahas kësaj sitiuate të vështirë që mbiztorëron në Tetovë ka njerëz dhe pronarë të cilët kujdesen që të pastrojnë pronën e tyre. Sikur edhe ndërmarrje të tjera të pastronin oborret e tyre si Pallma Moll, Tetova sot do të ishte më e lehtë për qarkullim dhe sigurisht do të ketë edhe prezencë të qytetarëve më shumë nëpër rrugët e qytetit. Pallma Moll që nga orët e mëngjesit ka angazhuar makineri dhe punëtorë për pastrimin e rrugës dhe parkimit dhe hyrja-dalje në këtë kompleks është pa probleme dhe vështirësi.TV KOHA

Vërejtje:Çdo tekst I huazuar nga kjo ueb faqe duhet të citohet ose të shënohet komplet adresa e ueb faqes. Në të kundërtën do të meren masa ligjore ndaj atyre që marrin lajme nga kjo ueb faqe dhe nuk e tregojnë burimin.

Gjithashtu lexo

Katër të lënduar në afër Gostivarit – (VIDEO)

Të shtunën mbrëma rreth orës 23 në autostradën Gostivar-Tetovë në afërsi të pikës së pagesës …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *