Home / Lajme / Rajon / Dominika njeh pavarësinë e Kosovës

Dominika njeh pavarësinë e Kosovës

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pranuar notën verbale të njohjes zyrtare të Republikës së Kosovës nga Dominika.

Autoritetet e Dominikas, po ashtu kanë dërguar edhe një letër, e cila i adresohet presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ku konfirmohet vendimi zyrtar i këtij shteti për njohjen formale të pavarësisë së Kosovë.

“Në emër të popullit të Komonvelthit të Dominikas, është kënaqësi e veçantë të ju informoj se Dominika njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Përgëzojmë përkushtimin e popullit të Kosovës për të ndërtuar një shtet të pavarur mbi bazën e parimeve të lirisë dhe demokracisë”, thuhet në letër, njofton Ministria e Jashtme e Kosovës.

Në të, po ashtu vlerësohet se që nga shpallja e pavarësisë së saj, Kosova ka demonstruar përkushtim për të bashkëpunuar me komunitetin ndërkombëtare, sidomos me Kombet e Bashkuara, për zgjidhjen e konflikteve me fqinjët e saj.

“Me këtë ne jemi të gëzuar të ju informojmë se pranojmë kërkesën tuaj për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Dominikën”, thuhet në letër, ku theksohet se Dominika planifikon të hap përfaqësi në Kosovë, duke shprehur mirëpritjen e përfaqësisë së Kosovës në Dominika.

“Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë lobimit të fuqishëm për njohje nga shtetet e Karaibeve, dy herë gjatë vitit 2012 ka vizituar Dominikan dhe ka pasur kontakte të shpeshta dhe takime direkte me liderët e këtij shteti. Hoxhaj ka takuar kryeministrin, njëkohësisht ministër i Punëve të Jashtme si dhe i Financave i Dominikas, Roosevelt Skerrit dhe përfaqësues të tjerë të lartë. Pas prezantimit të argumenteve të fuqishme për Kosovën, nga ana e ministrit Hoxhaj, autoritetet e këtij shteti patën premtuar përkrahje konkrete për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës”, thuhet më tej në kumtesën e MPJ-së.

Ndryshe, disa ditë më parë edhe zëvendëskryeministri Pacolli kishte paralajmëruar njohjen nga ky shtet.

“Dominika është shteti i radhës, anëtar i OKB-së, që do ta njoh Republikën e Kosovës”, është thënë të shtunën nga Zyra e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Behxhet Pacolli.

Sipas Zyrës së Pacollit, konfirmimi ka ardhur gjatë darkës zyrtare që Pacolli ka zhvilluar me kryeministrin e këtij shteti, Roosevelt Skerrit, të premten në Paris, menjëherë pas kthimit nga kontinenti afrikan.

Dominika (Commonwealth of Dominica), është një shtet ishullor në detin e Karaibeve, me një sipërfaqe prej 750 kilometrash katrorë dhe me popullsi mbi 73 mijë banorë.

Dominika ka kryeqytet Roseaun dhe është shtet anëtar i Kombeve të Bashkuara që nga viti 1978.

Gjithashtu lexo

Bashkimi emocional pas 3 vjetësh, i fëmijës së rrëmbyer nga ISIS, me familjen e tij (Video)

Një djalë 12-vjeçar jazidi është bashkuar me nënën e tij në Kanada tre vjet pasi …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *