Home / Lajme / Maqedoni / Gruevskin e krahasojnë me Millosheviqin

Gruevskin e krahasojnë me Millosheviqin

Gruevski sikur Millosheviqi janë akuzat që po i mvishen kryeministrit Nikolla Gruevski nga ana e opozitës.

Të gjitha partitë e opozitës e kanë quajtur pushtetin e Gruevskit si kopje të regjimit të Millosheviqit. Opozita në protestat e djeshme theksoi se Maqedonia prej dje ka Sllobodan Millosheviqin e saj.

“Prej sot në Maqedoni ka një regjim diktatorial në njërën anë dhe në anën tjetër populli. Gruevski sot e bëri hapin e tij fatkeq. Ai prej sot vendosi dhe Maqedonia e ka Sllobodan Millosheviqin e saj. U rrahën gazetarë, deputetë dhe populli. Ata sot tentuan të shkaktojnë përleshje dhe gjakderdhje”, deklaroi kryetari i LSDM-së, Branko Cërvenkovski, para turmës së protestuesve.

Por, epitetin e tillë kryeministri aktual e gëzon edhe nga partitë shqiptare dhe Shoqatat e veteranëve të luftës së UÇK-së.

Deputeti i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Orhan Ibrahimi kohë më parë e ka quajtur neofashist kryeministrin e Maqedonisë, Nikolla Gruevskin, duke i krahasuar qëndrimet e tij me politikat e ish – kryekriminelit dhe udhëheqësit serb, Sllobodan Millosheviq.
Reagimi i deputetit të PDSH-së ka ardhur pas deklaratave nacionaliste të Gruevskit se nuk lejon frikësimin dhe nënçmimin e dinjitetit kombëtar maqedonas dhe se shqiptarët duhet të ndryshojnë duke hequr dorë nga kërkesat kombëtare. Deputeti i PDSH nuk e shkëputë fare nga goja identifikimin e politikave të Gruevskit me ato të Milosheviçit, transmeton ina.

Kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi kohë më parë lidhur me arrestimet e shqiptarëve për vrasjen në Smilkovc, theksoi se Qeveria e Gruevskit po bën arrestimet sikur në kohën e Millosheviqit.

Edhe Demokracia e Re e krahason qeverisjen e Gruevskit me atë të ish diktatorit serb. Sipas DR-së, fjalimet e tij, të cilat janë përjashtues, dëshmojnë qartë se ky kryeministër aspak nuk lëviz nga qëndrimet e tij nacionaliste dhe njëkohësisht ofenduese, luftënxitëse dhe anti NATO e BE.

“Këso fjalimesh folklorikë të Gruevskit të njëjta si të Sllobodan Milosheviqit 1988/89 e çojnë popullin në një rrugë të pakthyeshme dhe te rrezikshme për të ardhmen e tyre,kurse popujve tjerë i tregoi se ai nuk është i interesuar për bashkë jetesë. Ai njëkohësisht deklaron se është i përgatitur me çdo çmim të paguajë për mbrojtjen e dinjitetit të Maqedonasve ndërsa harron se në këtë shtet të posa krijuar jetojnë edhe popuj tjerë. Shqiptarët kemi paguar dhe po paguajmë gjithmonë për këtë dinjitet, por dallimi mes neve dhe tij është se ne asnjëherë nuk mendojmë se respekti për të tjerët na e ulë dinjitetin, përkundrazi ne mendojmë se respekti për të ndryshmen është vyrtit”, thuhet në reagimin e DR-së.

Fazli Veliu, i rebeluari në radhët e “integristëve” është ndër të parët që shpërtheu duke e krahasuar Nikolla Gruevskin dhe veprimet e tij të ngjashme me ato të ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviq, si një ndër kryekriminelët për gjenocidin kundër shqiptarëve në Kosovë.

“Nëse Gruevski vazhdon njësoj sikur Milosheviqi , e pret i njëjti fat, atje ai ku vetëshkoi dhe vetëpërfundoi”, kështu Veliu, e ka cilësuar kohë më parë, kryeministrin dhe liderin e VMRO-DPMNE-së. Identifikimi i kryeministrit Nikolla Gruevski me politikat e tij në stilin e sfiduesit kundër shqiptarëve është një temë debati edhe nëpër kuluaret politike, por edhe forumet e ndryshme shqiptare.

Gjithashtu lexo

Stejt Departamenti: Qeverisja e VMRO-së ka nxitur diskriminim fetar në Maqedoni

Grupet religjioze në Maqedoni vlerësojnë se ish-Qeveria e VMRO-DPMNE-së e ka favorizuar Kishën Ortodokse – …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *