Home / Sport / Kupa e Amerikës së Jugut, Sao Paulo kampion mes polemikave

Kupa e Amerikës së Jugut, Sao Paulo kampion mes polemikave

Skandali ka mbërthyer turneun e Kupës së Amerikës së Jugut, pasi ndeshja finale mes Sao Paulo të Brazilit dhe Tigre të Argjentinës ka zgjatur vetëm një pjesë loje. Ekipi brazilian ka ngritur trofeun pas braktisjes së fushës së lojës në pjesën e dytë nga skuadra argjentinase.

Pas ndeshjes së luajtur në Argjentinë një javë më parë dhe të përfunduar me rezultatin 0-0, tensioni ishte i pritshëm. Ekipi i Tigre është pritur me gurë nga tifozët e Sao Paulo që kanë sulmuar autobusin e argjentinasve, ndërsa situata ka qenë mjaft e tensionuar edhe në stadium, ku 65 mijë tifozë vendas kanë mbështetur fuqimisht ekipin e tyre që shënoi dy gola me Lukas Moura dhe Osvaldo në pjesën e parë.
Por në fundin e pjesës së parë, një zënkë në fushë solli largimin me karton të kuq të Paulo Miranda nga vendasit dhe Gaston Diaz nga miqtë, në një përplasje ku u përfshinë edhe forcat e policisë dhe sigurisë në stadium.
Kur Sao Paulo dhe gjyqtari kilian Enrike Oses ishin gati të fillonin pjesën e dytë, erdhi lajmërimi nga ana e drejtuesve të Tigre se refuzonin të luanin, duke akuzuar vendasit se kanë kërcënuar lojtarët argjentinas në dhomat e zhveshjeve gjatë pushimi. Sipas drejtuesve argjentinas, lojtarët janë kërcënuar edhe me armë nga rojet e sigurisë në stadium, tifozë të ekipit vendas.
Në një situatë të tillë, gjyqtari ka dekretuar fundin e ndeshjes, duke i dhënë Kupën Sao Paulos që ka filluar festimet, pavarësisht mënyrës aspak të këndshme në të cilën ka fituar trofeun.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *