Home / Sport / Perez, i çuditur nga vendimet e Murinjos

Perez, i çuditur nga vendimet e Murinjos

Florentino Perez ka mbetur i shtangur më shumë se të tjerët nga vendimi i Zhoze Murinjos për të lënë në stol Iker Kasijas, kapitenin dhe një nga idhujt e tifozerisë së Real Madrid. Një gjë e tillë është vënë re në momentin kur ai ka mësuar për formacionin që do të zbriste në fushë ndaj Malagas, në takimin e humbur me rezultatin 3-2.

Presidenti i Realit ishte gati të fliste drejtpërdrejt në televizion para fillimit të takimit, kur gazetarja i ka treguar atij në celular formacionin e sapo publikuar nga Murinjo. Pasi ka parë i çuditur formacionin dhe mungesën e Kazijas, presidenti i Realit është larguar, duke vendosur që të mos flasë për televizionin, në mënyrë që të evitonte ndonjë deklaratë apo situatë të pakëndshme. Por mediat spanjolle kanë bërë të ditur se ai ka qenë shumë i irrituar me trajnerin, sidomos pasi eksperimenti me Adan rezultoi i dështuar.
Të çuditur kanë qenë edhe vetë lojtarët e Realit kur kanë mësuar për këtë zgjedhje të trajnerit portugez. Ky fakt është konfirmuar nga një tjetër “armik” i Murinjos, mbrojtësi Serxho Ramos që e ka provuar vetë pankinën pasi kishte folur kundër teknikut.
“U çuditëm duke parë Kasijas në pankinë. Ai është kapiteni ynë. Kemi humbur dhe kur humbet, duhet të kesh kujdes të mos bësh deklarata sa je i nxehur”, ishin fjalët e mbrojtësit.
Ndërkohë, një nga ish-drejtuesit e Realit, Horge Valdano, mendon se me gjestin e tij, portugezi ka dashur të tregojë pushtetin që ka mbi ekipin.
“Murinjo ka një raport të veçantë me skuadrën e tij, por tani po tejkalon çdo normë. Kjo ishte vetëm një demonstrim force, ai po përdorte autoritetin e tij mbi një legjendë të klubit. Mendoj se e ka menduar për një kohë të gjatë këtë vendim dhe besonte shumë në aftësitë e Adan, pasi në të kundërt do të dënonte vetë skuadrën e tij. Ky ishte një vendim mjaft i rëndë”, tha Valdano për trajnerin portugez që ishte shkaktari pse ai u largua nga posti i drejtorit sportiv te Real Madrid.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *