Home / Lajme / Maqedoni / Shtohen incidentet ndëretnike në Maqedoni

Shtohen incidentet ndëretnike në Maqedoni

Në Maqedoni sërish janë rikthyer tensionet dhe incidentet ndëretnike, që u nxitën me rastin e festimeve të 100 vjetorit.

Ditëve të fundit janë regjistruar disa incidente ndëretnike, mirëpo në buletinin e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) disa prej tyre edhe nuk janë publikuar, informon INA.

Gjatë javës së kaluar në rajonin e Shkupit u regjistruan tre incidente ndëretnike, kryesisht të ndodhura në autobusët urban. Incidenti më provokues ishte tre ditë më parë në afërsi të Bit Pazarit në Shkup, kur tifozë maqedonas të klubit “Gjorçe Petrov” provokuan dhe fyen qytetarët shqiptarë.

Në dy raste të tjera u regjistruan incidente, ku viktima ishin të rinj të të dyja komuniteteve nga ana e grupeve huligane. MPB në të gjitha rastet nuk publikon identitetin e viktimave, ndërsa të njëjtin veprim ka apeluar që ta bëjnë edhe mediat për mosnxitjen e tensioneve.

Një incident i fundit u regjistrua mbrëmë, kur dy të rinj të komunitetit turk, ishin viktima të dhunës së ushtruar nga huliganë maqedonas. Dy të rinjt turq nga qyteti i Radovishit u rrahën brutalisht në afërsi të stacionit të trenit në Shkup.

Rritja e tensioneve ndëretnike ka pasuar pas festimeve të shqiptarëve në Maqedoni për festën e 100 vjetorit të pavarësisë, ku huliganë maqedonas dogjën flamuj shqiptarë nëpër rrugët e Shkupit dhe qytete tjera, por edhe për djegien e flamujve maqedonas në Tiranë, pas vizitës së kryeministrit Nikolla Gruevski.

Bashkësia ndërkombëtare ka apeluar që të ndërpriten tensionet dhe vendi të shoh prioritetet për zhvillim dhe prosperitet në planin e integrimit evropian. Analistët nga radhët e opozitës, incidentet e fundit i shohin si skenarë të përgatitura nga pushteti aktual, si pjesë e strategjisë për ngritjen e toneve nacionaliste në kuadër të fushatës për zgjedhjet e ardhshme lokale që do të mbahen në mars të 2013.

Stratfor: Episodet e dhunës etnike vazhdojnë

Instituti amerikan “Stratfor” disa muaj më parë paralajmëroi rritjen e dhunës ndëretnike në Maqedoni. “Maqedonia tani po shkon drejt paralizës politike, që do të ndikojë në objektivat e saj të brendshme dhe të jashtme politike”, nënvizohet në analizën e “Stratfor”.

Sipas Stratfor, pavarësisht Marrëveshjes së Ohrit, tensionet etnike vazhdojnë në Maqedoni, si dhe episodet e dhunës etnike janë ende të shpeshta.

“Edhe pa zgjedhje të përgjithshme të parakohshme, tensionet në mes të gjitha forcave politike në Maqedoni do të rriten në muajt e ardhshëm, veçanërisht duke pasur parasysh zgjedhjet lokale. Kjo klimë parazgjedhore do të sjellë më shumë protesta në rrugë dhe mitingje të sponsorizuara nga qeveria ashtu edhe nga opozita. Ndërsa një rritje e konsiderueshme e dhunës etnike nuk është për t’u pritur. Mirëpo, megjithatë bllokimi i tillë politik do të pengojë Shkupin për të bërë progres të rëndësishëm në qëllimet e saj të politikës së jashtme”, thekson analiza e institutit amerikan. (INA)

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *