Home / Lajme / Rajon / Skënderbeu, të gjitha faktet tregojnë se është Princ i Matit

Skënderbeu, të gjitha faktet tregojnë se është Princ i Matit

Ndërkaq, formulimi i pritshëm dhe i kuptueshëm, Princ i Matit dhe mbret i Shqipërisë dhe Epirit duhet parë dhe zbërthyer në shënjimin e vet historik dhe politik, atdhetar dhe zotërues, madje pavarësisht faktit se kur është përplotësuar ky shënim, në të gjithë rrafshet apo në vetëm në disa prej tyre, për të cilin sërish historianët kanë qëndrime të ndryshme dhe madje të tejlarguara, përgjithësisht duke ikur nga dëshmia faktike e këtyre përcaktimeve.

Ardhja e armëve dhe e përkrenares së Skënderbeut shënon një ngjarje të pazakontë, që e ka kthyer Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë në një vend pelegrinazhi. Ato dëshmi simbolike dhe shpirtërore, historike dhe legjendare janë gjurma e qëndresës së këtij burri, atëherë dhe përgjithmonshëm, trim dhe mentar, misionari dalzotës i fatit të qenies arbnore.

Prania e armëve dhe përkrenares ceremoniale, siç nënvizojnë studimet mbi to: Përfundimisht, mund të thuhet se si përkrenarja, ashtu edhe shpata me trup të drejtë i kanë shërbyer që kjo e dyta të jetë shpata që Papa Pali II i dhuroi Heroit, natën e Krishtlindjeve së vitit 1466. Tashmë në atdheun që e lindi dhe e mëkoi me dashuri, është dëshmi e heroikës shqiptare në shekullin e XV, që na e risjellin figurën e tij nga matanëjeta dhe përjetësia. Brenda natyrës unike dhe simbolike të përkrenares, pandërmjetshëm qëndrimeve të mbajtura, ndeshim edhe një të dhënë, që zgjon interes si gjurmë historike, që do të duhet të merret në shqyrtim nga historiografia, gjejmë këtë situatë: Në pjesën e poshtme të saj ka rreth e rrotull një rrip bakri me një mbishkrim prej gjashtë rrokjesh, të ndarë midis tyre me rozeta: IM*PE* RA* TO* RE* BT, që do të thotë: Jhezus Nazarenus* Principi Emathiae* Regi Albaniae* Terrori Osmanorum* Benedictat Te (Jezuj i Nazaretit të bekon ty Skenderbe, Princ i Matit, Mbret i Shqipërisë, Tmerri i Osmanllinjëve, Mbret i Epirit).

Këto përcaktime mbi heroin, tanimë do të duhen parë, interpretuar dhe zbërthyer, në të gjitha gjasat dhe kontekstet që rrokin. Nuk është se këto përcaktime nuk diheshin nga historianët, por për shkaqe nga më të ndryshmet, nuk është hedhur dritë mbi këto simbole unike, natyrisht për ta bërë pjesë integrale të jetëshkrimit të heroit. Formatimet domethënëse dhe të shumëfishta, që bartin disa simbolika, të pritshme në rrafsh historik, sjellin argumente të pakundërshtueshme mbi qenësinë e tij shqiptare, pavarësisht mëtimeve, brenda dhe jashtë Shqipërisë, për ta tjetërsuar dhe zbehur figurën e tij.

Përcaktimet e këtilla, pak rëndësi ka se kur u shkruan në përkrenare, në gjalljen e tij apo viteve të mëvonshme, përvijojnë qartësisht linjën e verifikimit, se këto relike i përkasin vitit 1466, pra ceremonisë kur heroi ynë ishte në Vatikan, ku edhe mori bekimin si atlet i krishterimit. Le të pranojmë, me gjasë se janë shënime të bëra nga pasardhësit e tij (që megjithatë dëshmon vetëdijen e tyre mbi rolin dhe hapësirat e zotërimit të principatës së Gjergj Kastriotit), në fakt nuk zbehin kurrsesi faktologjinë e dëshmisë së tyre mbi përkrenaren e heroit, që krahas elementëve të tjerë, të brirëve të dhisë, të sasisë së bakrit dhe arit, shoqërohen nga këto shënime, të cilat përçojnë shenja të shumta dhe me vlera simbolike.

Ndërkaq, secili prej këtyre përcaktimeve bart një element thelbësor të përfaqësimit dhe dimensioneve të figurës. Emërtimi i parë e ka lidhur me krishtërimin, madje duke e bekuar, që nuk është se nuk gjendet në shqyrtimet historiografike dhe letrare, shqipe dhe të huaja. Po kaq, përcaktimi si Princ i Matit, nëse do të merret në konsideratë ideja e M. Barletit, një historiani bashkëkohës të epokës së motit të madh, i cili e vendos vendin e lindjes në ato rrethina, kuptohet se kemi të bëjmë me hapësirën e zotërimeve të Kastriotëve, që kanë vijimësi të pashkëputshme.

Në vijim, përcaktimet mbret i Shqipërisë dhe i Epirit, por edhe tmerr i otomanëve, nuk është se vihen në dyshim shpesh, të cilat vetëm se përplotësojnë rolin e tij në atë periudhë. Po kaq, ky formulim i qartë dhe përfaqësues, pa mëdyshje me të gjithë elementët e vet, shkrimor dhe tekstual, me gjasë dhe jo i rastësishëm, hedh dritë në të dhëna jetëshkrimore, që kanë në qendër fisin e Kastriotëve, mbi hapësirën e zotërimit të principatës së tyre, pra me gjasë të shtetit të arbrit, në të gjitha rastet e zgjerimit dhe rrudhjes, në asnjë rast nuk e kanë përjashtuar krahinën e Matit, që ka në gjirin e vet rrënojat e shumë kështjellave dhe kishave. Madje, në njërën prej këtyre kishave për rrjedhojë të zotërimit të trevave, Pal Engjulli, arqipeshkv i Durrësit dhe Shqipërisë, këshilltar i Skënderbeut, më 8 nëntor të vitit 1462, shkruan Formulën e Pagëzimit, dokumentin e parë të gjuhës shqipe. Formulimet e këtilla na shpien tek një situatë e ndërlikuar e qasjeve të gjertanishme të historiografisë, që kanë përplasur ndërmjetshëm aspekte të trajtimit të kësaj figure:

– Nga njëra anë zotërimin e hapësirave, të trojeve përqark, të cilat ndonëse rrudheshin dhe zgjeroheshin, gjithnjë në varësi të rrethanave dhe konteksteve historike, por duke mbetur gjithsesi krahina e Matit si zemra e zotërimit të Kastriotëve, që në këtë formulim të përkrenares, qartëson se është Princ i Matit dhe mbret i Shqipërisë, qoftë edhe duke qenë edhe vetëm Zot i shqiptarëve.

– Ndërkaq, formulimi i pritshëm dhe i kuptueshëm, Princ i Matit dhe mbret i Shqipërisë dhe Epirit duhet parë dhe zbërthyer në shënjimin e vet historik dhe politik, atdhetar dhe zotërues, madje pavarësisht faktit se kur është përplotësuar ky shënim, në të gjithë rrafshet apo në vetëm në disa prej tyre, për të cilin sërish historianët kanë qëndrime të ndryshme dhe madje të tejlarguara, përgjithësisht duke ikur nga dëshmia faktike e këtyre përcaktimeve.

– Në anën tjetër, rrekjet për të shënuar origjinën e tij, në jo pak zona të Shqipërisë, si një hipotekë e diskutueshme në të gjitha rastet, gjithsesi nuk lë asgjëmangut në marrëdhënie me figurën dhe rolin madhor, ku ka pak rëndësi kohëshkrimi, sepse historinë e heroikës së dëshmuar, e ka të lidhur me hapësirat që pati në zotërim, me krahinën e Matit, Dibrën e Moisiut, por edhe me kryeqendrën e kësaj epoke, qytetin e Krujës.

Pesha dhe misioni i Skënderbeut tanimë lidhet me identifikimin e qenies shqiptare dhe jo thjesht me origjinën e tjegullës, mëhallës, kullës apo kështjellës së gjenezës së fisit të Kastriotëve, sepse heroi kombëtar, tanimë është një pikë referenciale e mbijetesës dhe unitetit të kombit shqiptar. Gjithashtu, sidomos prania e përcaktimit, Princ i Matit, ose Viset e Skënderbeut, siç e pati emërtuar Pjetër Budi, poeti i parë i letrave shqipe, në letrën e 15 shtatorit të vitit 1621, drejtuar Kardinal Gocadinos, që gjendet në përkrenare, një dëshmi faktike, që vë në zgrip tezat dhe hipotezat se në cilën hapësirë ka ekzistuar shteti i Skënderbeut. Ardhja e armëve, sidomos e përkrenares le të shërbejë edhe si një shkas tjetër, që historianët të bëjnë pjesë të kërkimeve edhe këtë fakt, unik dhe të patjetërsueshëm, të përcaktimit të Skënderbeut, më gjithë ato atribute të shënuara në përkrenaren e tij.

Hamendjet dhe hipotezat, përballë faktit të dëshmuar, shkruar e zeza mbi të bardhë, madje në njërën prej trofeve më të çmuara që trashëgojmë prej atij, si dhe të vetë epokës së ndritur, të përkrenares që simbolizon figurën dhe heroin, jo vetëm janë të tepërta, por njëherazi vetëm sa nxjerrin në pah qasjet anësore ose me gjasë përjashtuese, të shënjimit të hapësirës ku qe vendosur principata e Kastriotëve, që dihet dhe është vërtetuar nga historiografia, se pati një shkëlqim të përveçëm me kontributin e vyer të Skënderbeut, në qëndresën e pashembullt antiosmane në shekullin e XV. mb/hr/15:25

Gjithashtu lexo

Emigranti shqiptar gjen portofolin me dollarë në New York dhe ia dorëzon të zonjës

Një emigrant nga Dibra e Madhe, i cili jeton në Staten Island, Nju Jork, ka …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *