Home / Sport / Tre finale të parakohshme në Ligën e Kampioneve

Tre finale të parakohshme në Ligën e Kampioneve

Shorti i fazës me eliminim direkt i Ligës së Kampioneve ka qenë i pamëshirshëm me skuadrat e mëdha duke vënë shumë prej tyre përballë njera-tjetrës për të krijuar praktikisht 3 finale të parakohshme.

Një nga sfidat më entuziazmuese do të jetë padyshim Real Madrid-Mançester Junajtid, dy skuadrat favorite për fitoren e trofeut në këtë edicion. Kristiano Ronaldo do të ketë mundësinë të vihet për herë të parë kundër ish-skuadrës së tij, për të cilën shënoi 118 gola në 292 ndeshje të luajtura deri sa vendosi të kalonte te madrilenët. Ndonëse sfida e parë në këtë turne mes dy ekipeve është regjistruar në prillin e vitit 1957, kjo është vetëm hera e katërt ku dy skuadrat vihen përballë njëra-tjetrës. Do të jetë interesante edhe përballja mes dy trajnerëve, Aleks Ferguson dhe Zhoze Murinjo, me këtë të fundit që përmendet si një nga zëvendësuesit e mundshëm të skocezit.
Një tjetër finale e parakohshme, mund të cilësohet ajo mes Milanit dhe Barcelonës, ndonëse kuqezinjtë nuk kanë qenë në lartësinë e duhur në këtë sezon për të luftuar për titullin kampion në Itali dhe kanë larguar shumë prej futbollistëve që i kanë dhënë suksese edhe në arenën ndërkombëtare. Katalanasit janë për momentin skuadra më e fortë në botë dhe janë favoritë, por kuqezinjtë kanë traditë në Ligën e Kampioneve dhe nuk do të jetë e lehtë të kalohen.
Sfida mes Arsenalit dhe Bajern Mynih mund të cilësohet finalja e tretë e parakohshme e Ligës së Kampioneve, pasi të dy ekipet kanë synime për fitoren e këtij trofeu që e ndjekin prej vitesh. Bavarezët favorizohen edhe nga faktori fushë, pasi do të luajnë takimin e dytë në stadiumin e tyre. Por Arsenali është një ekip që dëshiron të shfaqë në Evropë atë që nuk ka arritur të dhurojë në kampionat, ku është larg kreut, pavarësisht potencialit të madh që ka në dispozicion trajenri Arsen Venger.

Shorti i fazës së eliminimit direkt të Ligës së Kampioneve:
Gallatasaraj-Shalke
Sëlltik-Juventus
Arsenal-Bajern Mynih
Shakhtar Donetsk-Borusia Dortmund
Milan-Barcelona
Real Madrid-Mançester Junajtid
Valencia-PSZH
Porto-Malaga

Gjithashtu lexo

Shikoni çfarë ka bërë Barcelona pas sulmit terrorist (FOTO)

Klubi i Barcelonës ka reaguar pas sulmit terrorist në Barcelonë. Katalunasit e kanë bërë një …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *