Home / Sport / Vendos FFM, Teteksi-Shkëndija 3:0

Vendos FFM, Teteksi-Shkëndija 3:0

FFM regjistron 3:0 për Teteksin ndeshjen e ndërprerë të javës së 18-të me Shkëndijën, e zhvilluar më 9 dhjetor në Shkup. Njëkohësisht të dyja skuadrat dorëzohen para komisionit disiplinorë, ndërsa në të njëjtin vend do të ‘gjykohen’ edhe përfaqësuesi i Shkëndijës, Fikret Shaqiri, trajneri Artim Shaqiri si dhe kapiteni Muhamet Huseini.

Pas ditëve të tëra me paqartësi dhe bindje të ndryshme, organet kompetente pranë Federatës së Futbollit të Maqedonisë kanë vendosur që ndeshjen e ndërprerë të javës së 18-të ndërmjet Teteksit dhe Shkëndijës ta regjistrojnë me rezultat zyrtar 3:0 për skuadrën e Teteksit. Njëkohësisht dorëzohen para komisionit disiplinor të dyja ekipet pjesëmarëse në këtë sfidë, ndërsa në të njëjtin komision janë dorëzuar edhe përfaqësuesi i Shkëndijës në ndeshjen në fjalë Fikret Shaqiri, trajneri Artim Shaqiri si dhe kapiteni Muhamet Huseini. Me këtë marrin fund gjitha dilemat rreth vendimit të FFM-së, por nga ana tjetër hapen të tjera telashe për federatën, pasi pritet reagim i ashpër i drejtuesve të ‘kuqezinjëve’ tetovarë. Teteksi do të jetë para komisionit disiplinorë për shkak të organizimit të dobët të ndeshjes dhe incidenteve të vazhdueshme të tifozëve, të cilët madje në dy raste hynë edhe në teren, ndërsa Shkëndija ndëshkohet për shkak se lëshoi para kohe terenin, deri sa dueli ishte në minutën e 86-të. Sa është i drejtë ky vendim mbetet të shihet, por të dyja taboret dalin me faktet e tyre. Teteksi duhet të mbetet i kënaqur me këtë vendim, pasi paraprakisht u prononcuan se do të pranojnë çdo ndëshkim për organizim të dobët, me atë që duan tre pikët të shkojnë në saldon e tyre. Në anën tjetër komisionet e FFM-së me këtë vendim hudhin poshtë faktet e Shkëndijës që kërkonte të merte zyrtarisht ndeshjen, ndërsa njëkohësisht kërkonin ndëshkim për Teteksin. Bindjet e tetovarëve për mungesë kushtesh për lojë dhe rrezik për shëndetin e futbollistëve në momentin kur tifozët e tërbuar të Teteksit u futën në teren, kanë hasur në vesh të shurdhër të komisioneve ‘profesionale’ të FFM-së, të cilët sjellin vendim kontradiktor. Nga njëra anë Teteksi dorëzohet para komisionit disiplinorë për organizim të dobët, ndërsa në anën tjetër humb ndeshjen zyrtarisht skuadra që pikërisht për shkak të organizmit të dobët të vendasve, ndjente rrezik për futbollistët e saj. Gjithsesi Federata e tha të veten, komisioni disiplinorë do të vendos për ndëshkimet plotësusese, ndërsa është e sigurtë se kryesia e Shkëndijës nuk do të qëndrojë duar kryq, pasi pritet reagim i ashpër i tyre. Kjo nënkupton se rasti ‘Teteksi-Shkëndija’ do të vazhdojë të jetë në skenë edhe më tej, ndërsa për epilogun përfundimtar përgjigje do të japë vetëm koha.

Gjithashtu lexo

Ylli i Shkëndijës: Nuk kemi çfarë të humbasim ndaj Milanit

Ardian Cuculi ka thënë se Shkëndija do të tentojë të bëjë lojën e saj dhe …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *