Home / Sport / Vilanova operohet të ejnten, mungon të paktën 6 javë

Vilanova operohet të ejnten, mungon të paktën 6 javë

Tito Vilanova do t’i nënshtrohet të ejnten operacionit për të hequr tumorin në gjëndrën parotide, duke u shkëputur për një periudhë 4-6 javore nga skuadra e Barcelonës, gjithmonë nëse nuk ka komplikime të tjera.

Sipas buletinit zyrtar të publikuar nga klubi katalanas, ai do t’i nënshtrohet kimioterapisë dhe radioterapisë, ndaj për këtë periudhë do të shkëputet plotësisht nga jeta e klubit.
Fillimisht klubi katalanas ka publikuar pasdite një deklaratë për shtyp, ku ka shpjeguar situatën, duke filluar nga kontrolli rutinë i djeshëm i trajnerit, deri të rishfaqja e kancerit dhe vendimi për një ndërhyrje të shpejtë kirurgjikale.
Klubi ka konfirmuar se nuk kanë publikuar më parë këtë vendim të trajnerit pasi ishte ky i fundit që kishte dashur të shpjegonte situatën para lojtarëve. Njëkohësisht, Barcelona ka kërkuar që të ruhej privatësia e Vilanovës, i cili për momentin do të shkëputej për të kaluar këtë moment të vështirë të jetës së tij.
Më pas, në darkë, para shtypit janë paraqitur presidenti Sandro Rosell dhe drejtori sportiv i klubit, Andoni Zubizarreta.
“Ajo që është më e rëndësishme është që Tito të riaftësohet plotësisht. Ai është shumë i fortë dhe jemi të bindur se do të kthehet përsëri mes nesh. Për shkak të kësaj që ndodhi kemi vendosur që të mos kryejmë disa nga aktivitetet festive që kishim planifikuar. Gjithsesi, duam të falënderojmë në emër të Tito Vilanova dhe klubit të gjithë ata që kanë dërguar mesazhe solidariteti”, u shpreh Rosell para shtypit, duke lënë të kuptohet se Vilanova do të vazhdonte të qëndronte në stolin e skuadrës.
Këtë fakt e ka konfirmuar edhe Andoni Zubizarreta, i cili ka hedhur poshtë zërat për një kthim të mundshëm të Pep Guardiolës apo emërimin e Luis Enrikes, dy persona që njohin shumë mirë klubin katalanas. Ai ka bërë të qartë se drejtimi i ekipit do t’i jepet Hordi Roura, asistentit të Vilanovës.
“Duhet të themi se gjëja kryesore për ne mbetet shëndeti i Vilanova dhe si janë ai me familjen e tij në këto momente. Nga ana jonë do të vazhdojmë të punojmë si zakonisht, Tito nuk do të jetë por do të jetë Hordi. Pavarësisht kësaj situate të vështirë, nuk kemi harruar anën sportive, jemi stërvitur si ditët e tjera. Do të vazhdojmë me idetë tona mbi lojën e skuadrës, derisa të kthehet Tito. Me Hordi jemi në duar të sigurta dhe të gjithë do të bëjmë maksimumin për ta ndihmuar në punë e tij në këtë periudhë. Ndonëse Tito do të operohet nesër, ne do të vazhdojmë punën, pasi kemi një ndeshje në fundjavë dhe e dimë që ai do të na ndjekë nga televizori”, tha drejtori sportiv i katalanasve.

Gjithashtu lexo

Osmani: Bëmë gabime në mbrojtje, do të ndryshojmë në lojën e ardhshme

Trajneri i Shkëndijës së Tetovës, Qatip Osmani nuk e ka përjetuar mirë humbjen nga Milani. …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *